E Shtunë, 31 Tetor 2026

Itali, parashikohet shtrenjtim i energjisë dhe gazit

Duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm, tarifat e energjisë elektrike në Itali mund të shtrenjtohen me 4.8% dhe ato të gazit, me 2.7%. Ky ka qenë përfundimi i një studimi të Qendrës së Studimeve Ekonomike “Nomisma”. Që nga 1 janari 2012, tarifat e elektricitetit do të rriten me 0.8 cent për kwh, që sipas ekspertëve, për një familje “tip” që konsumon rreth 2 400 kwh në vit do të përkthehej në një rritje vjetore prej 21.5 euro. Nga ana tjetër, për gazin, për një familje që konsumon 1 400 metër kub metan në vit, çmimi do të rritej me 32 euro në vit. Sipas ekspertëve, pas çmimit të benzinës, që shpërndarësit italianë e rritën më shumë se të gjitha vendet e Europës, për konsumatorët italianë vjen një tjetër tronditje me tarifat e energjisë elektrike dhe gazit. Nëse parashikimet do të merrnin miratimin e Autoritetit të Energjisë, për 3-mujorin e parë të vitit të ardhshëm do të bëhej fjalë për rritjen e pestë 3-mujore në radhë, për gazin dhe e treta për faturat e energjisë elektrike brenda një viti. Parashikimet për gazin bazohen mbi llogaritjen automatike të caktuar nga Autoriteti i Energjisë, që nënkuptojnë rritjet e muajve të kaluar të naftës së papërpunuar, së cilës i shtohen disa përbërës të rinj për transportin. Ekspertët kanë vlerësuar se për elektricitetin është më i vështirë, pasi kuadri shtyn të supozohet një rritje, e cila lidhet me prodhimin e energjisë dhe me rritjen e madhe të kostos së shpërndarjes së saj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›