E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Politika monetare ka kontribuar në konsolidimin e stabilitetit financiar

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në konsolidimin e stabilitetit financiar. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës Qendrore, në analizën e zhvilluar dje mbi zhvillimet më të fundit ekonomike e monetare në vend, evidentoi se “qetësimi i goditjeve” nga kahu i ofertës si dhe qëndrueshmëria makroekonomike në vend, ndikuan në normalizimin e inflacionit brenda kufijve të objektivit. Sipas një njoftimi për shtyp të BSH-së, politika monetare e Bankës së Shqipërisë ka kontribuar në garantimin e kushteve të përshtatshme monetare për të kontrolluar rritjen e çmimeve të konsumit brenda objektivit. Shtrëngimi i kushteve monetare dhe forcimi i normave të mbikëqyrjes bankare kanë ndihmuar në kontrollin e ritmeve të kredisë dhe të ekspansionit monetar, duke kontribuar direkt në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe në konsolidimin e stabilitetit financiar. Gjithashtu, nëpërmjet sinjalizimit të vullnetit institucional të bankës qendrore për respektimin e objektivit të saj ligjor, këto masa kanë ndihmuar në ruajtjen e besimit të publikut në monedhën kombëtare dhe në sistemin financiar, si dhe në ankorimin e pritjeve inflacioniste në nivele të ulëta, - bënë të ditur burimet e BSH-së.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›