E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhons: Reformat anëtarësuan Shqipërinë në NATO

SHBA-ja është e bindur se reformat e qeverisë Berisha çuan Shqipërinë drejt anëtarësimit në NATO. Zv.ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, z. Stjuart Xhons, mbajti dje pasdite një fjalim para diplomatëve shqiptarë, në ditën e tretë të Konferencës së Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë. Z. Xhons, i cili mbulon Evropën Juglindore në Departamentin Amerikan të Shtetit, pasi u përshëndet nga ministri i Jashtëm, z. Lulzim Basha, u ftua të paraqiste vizionin amerikan mbi zhvillimet në rajon dhe më gjerë. Duke u ndalur tek Shqipëria, ai vlerësoi progresin dhe reformat e bëra në shumë fusha, gjë që sipas tij, sollën dhe marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO. Z. Xhons përmendi në veçanti raportin e fundit të Bankës Botërore ku Shqipëria renditet e dyta për reformat e ndërmarra. Gjithashtu, ai shprehu mirënjohje ndaj Shqipërisë për rolin që ka luajtur në rajon si faktor paqeje dhe stabiliteti, duke qenë vazhdimisht një partner i devotshëm dhe serioz i SHBA-së në sfidat e përbashkëta. Duke folur për Kosovën, z. Xhons tha se ka progres në zhvillimet atje dhe çmoi se numri i vendeve që kanë njohur pavarësinë, është i konsiderueshëm, duke u shprehur optimist se ky numër do të rritet ndjeshëm në të ardhmen. Pasi bëri një prezantim të situatës në Evropën Juglindore dhe pikëpamjes amerikane për këto zhvillime, z. Xhons iu përgjigj edhe shumë pyetjeve të ambasadorëve shqiptarë për çështje aktuale të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›