E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama dhe abuzimi me lejet e ndërtimit

Gjatë seancave të fundit në Kuvend kemi folur për blerje dhe shitje të tokave nga firma të huaja dhe vendase. Janë marrë nëpër gojë avokatë, juristë, kontabilistë, duke fajësuar çdokënd që ka marrë pjesë në këto transaksione ndërmjet subjekteve private. Mendoj se toka si pronë, shpërndarja e saj, regjistrimi në gjithë territorin e vendit, por veçanërisht në zonat bregdetare, është një nga problemet që shqetëson më shumë shqiptarët. Gjatë këtyre 18 viteve janë ndarë dhe rindarë me ligjin 7501, janë dhënë në përdorim toka në fushë, në bregdet në kënetë, në qytet dhe në fshat, duke përfituar gjithkush që ka mundur i pari të gjejë një lidhje me drejtuesit e pushtetit lokal.

Ngatërresa e qëllimshme me tokën bujqësore, duke përfituar në mënyrë të paligjshme veçanërisht në zonën bregdetare, shpresoj se do të gjejë zgjidhje me ligjin mbi “Vlerësimin e titujve të pronësisë”.

Por një kasaphanë e vërtetë në përdorimin e tokës publike është bërë në zonat urbane, veçanërisht në Bashkinë e Tiranës.

Zonat nga më të përshtatshme për hapësira rezidenciale si ish-Blloku, Don Bosko , Tirana e Re janë betonizuar, me një dendësi neto të banimit jashtë çdo norme të qytetërimit, duke i thyer këto vende në geto. Në qendër të Tiranës, tokën publike që e ka për detyrë funksionale që ta mbrojë z. Rama e ka shpërdoruar, duke dhënë leje ndërtimi për pallate shumëkatëshe jashtë të gjitha rregullave.

Sipas normave të urbanistikës për një kompleks banimi vetëm 50% e sipërfaqes duhet të jetë territor banimi, rreth 15% ndërtim social-kulturor, 13% sipërfaqe e gjelbër dhe rreth 14% rrugica dhe parkim.

Këta parametra teknikë nuk janë zbatuar pothuajse në asnjë leje ndërtimi që është realizuar në qytetin e Tiranës. Madje gjatë viteve të fundit sipërfaqet e gjelbra si lulishtja “Vëllezërit Frashëri”, Namazgjaja, lulishtja tek Ministria e Mbrojtjes dhe rreth 60 ha të parkut të Liqenit Artificial janë betonizuar me firmën dhe bekimin e z. Rama. Pra ky mbrojtës i madh i tokave joproduktive jashtë kryeqytetit, pa iu dridhur dora ka firmosur betonizimin e mijëra metrave katrorë gjelbërim në qytetin e Tiranës. Madje me guxim të paimagjinueshëm del në televizion dhe pohon se sipërfaqja e gjelbër në qytetin e Tiranës është rritur në 4,3 m²/banor. Nuk e di se cilët kalemxhinj ia kanë bërë llogarinë dhe si e ka besuar që gjelbërimi rritet, ndërsa çdo ditë hapësirat e gjelbra betonohen. Vetëm n.q.s llogariten tarracat e pallateve me gjelbërim sipas traditës spanjolle, mund të dalë një shifër e tillë. Sipas Aleancës për Hapësirë Publike, sipërfaqja e gjelbër reale në Tiranë është vetëm 0,5 m²/banor pa përfshirë këtu parkun e Dajtit që nuk jep asnjë ndikim mbi cilësinë e jetës. Ndërsa qytete të tjera evropiane, si Stokholmi, ka rreth 24 m² sipërfaqe të gjelbër për banor, Vjena ka 22 m²/banor, Hamburgu 17 m²/banor. Kjo gjendje e rëndë theksohet akoma më shumë kur krahasohet me normën evropiane të gjelbërimit për një qytet me mbi 200 mijë banorë që është 16 m²/banor. Prandaj si mund të krenohet 3 herë kryetari i Tiranës për gjelbërimin e saj kur edhe shifrat e fryra që ai reklamon, janë 4 herë më të ulëta se normat evropiane. Si mund të krenohet 3 herë kryetari i Tiranës për gjelbërimin, kur ai është okupatori më i madh i saj dhe mik i ngushtë i betonit. Po ky mbrojtës i madh i tokave joproduktive jashtë Tiranës, pa iu dridhur dora ka firmosur së fundi që i vetmi park i kryeqytetit të betonizohet. Pjesa veriore e parkut të Liqenit, kopshti i vetëm botanik në Shqipëri, kompleksi i pishinave do të shkatërrohen dhe mbi to do të ndërtohen të paktën 16 pallate deri 33 kate pa marrë parasysh dëmshpërblimin e ish-pronarëve, pa marrë parasysh cilësinë e jetës së qytetarëve, duke pasur parasysh vetëm qëllimin e fitimit për veten dhe rrethin e ngushtë jashtëparlamentar. Qytetarët e Tiranës do ngelin pa shëtitjet e tyre përgjatë këtij parku, mosha e tretë për të cilën përbetohet çdo ditë, do ngelë pa hapësirën e tyre të freskët ku mund të marrin pak ajër të pastër. Megjithatë, s’kam rrugë tjetër vetëm të shpresoj që pas këtyre arritjeve financiare që ka pasur kryetari i PS-së, të pendohet për mëkatet e tij dhe në Planin e Ri Rregullues të ruajë gjelbërimin e mbetur që qytetarët të mos asfiksohen.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›