Islami: PS mbeti në opozitë, jo për faj të Kodit Zgjedhor
Aristir Lumezi
Sekretari socialist për Çështjet Zgjedhore në PS, sqaron gjatë një interviste për “Panorama” se humbja e koalicionit të PS në këto zgjedhje nuk ka ardhur nga sistemi dhe Kodi Zgjedhor, por si pasojë e vendimmarrjes politike në ndërtimin e koalicioneve. Ai pranon se rezultati, edhe pse disa çështje kanë shkuar në Kolegjin Zgjedhor, nuk pritet të ndryshojë, duke e nxjerrë koalicionin e PS-së të dytë dhe atë të PD-së në vend të parë, me të drejtën për të negociuar për qeverinë e re.
Përfaqësues të lartë të PS-së fajësojnë sistemin zgjedhor dhe formulat e llogaritjes së mandateve në kodin e ri zgjedhor në arritjen e këtij rezultati për PS-në. Sa e penalizoi PS-në dhe koalicion e saj Kodi Zgjedhor në këtë humbje?
Nuk më lejohet të jem kaq naiv dhe të futem në një kurth shpjegimesh për “fajësinë” apo “pafajësinë” e sistemit zgjedhor. Më duhet të mbetem serioz dhe racional përballë “sulmesh” që të kujtojnë lëvizjet çartiste. Ndjehem shumë mirë realisht kur më konsiderojnë ideatorin e këtij sistemi dhe jam i bindur se është një sistem, që përshtatet mirë aktualisht e në perspektivë. Ndërkohë jam përpjekur me qetësi të mos shpenzoj shumë energji në mbrojtje të tij thjesht për të mos lënë asnjë hapësirë, që shpjegimet të konsiderohen si ndjenjë kompleks. Ky sistem ka sjellë shumë risi duke eliminuar shumë defekte e praktika negative të kësaj periudhe tranzitore. Përmbledhtas do të thosha se debati mbi “fajësinë” e sistemit zgjedhor bëhet për të shmangur përgjegjësitë politike mbi shkaqet e vërteta lidhur me rezultatin e zgjedhjeve nga grupimet politike konkurruese apo forcat politike në përbërje të tyre.
Cili është mendimi juaj rreth deklaratave që “PS është parti fituese”, se “në zgjedhje nuk ka fitues” etj?
Lidhur me rezultatin aktual zgjedhor, kjo bëhet gjithashtu për të goditur racionalitetin e votuesve dhe nxitur emocionet e tyre, të cilët nuk arrijnë të kuptojnë lidhjen midis votave të një partie me mandatet e fituara prej saj. Për shembull thuhet se “..PS është parti fituese, por ka marrë më pak mandate se partitë e tjera...” dhe kjo paraqitet si defekt i sistemit. Kjo lidhje është e gabuar dhe e pavërtetë; minimalisht është naive. Nga njëra anë, PS nuk ka pranuar zyrtarisht të flasë për rezultatin zgjedhor derisa ai të jetë final dhe kjo është normale. Por nga ana tjetër, nëse thuhet se PSSH është parti e parë fituese atëherë indirekt flitet për rezultatin e zgjedhjeve dhe kështu sulmohet sistemi. Nëse do të flitet për rezultatin e zgjedhjeve atëherë duhet pranuar gjithashtu se koalicioni i PD është koalicioni i parë fitues me vota e me mandate kuvendore. Nëse duhet heshtur, duhet heshtur për gjithçka. Për më tepër që edhe sikur PS të dalë përfundimisht forcë e parë politike, kjo nuk ka asnjë rëndësi për lidhjen e votave të saj me numrin e mandateve të saj kuvendore. Përballë këtij emocioni negativ ka një të vërtetë të pakundërshtueshme, që lidhet me faktin se konkurrimi në këto zgjedhje ka qenë midis koalicioneve dhe jo midis partive dhe ai që shpjegon numrin e mandateve nuk është numri i votave të partisë, por numri i votave të koalicionit. Aq më pak krahasimi i votave të fituara nga partia në vitin 2009 me ato të fituara në vitin 2005 nuk do të thotë asgjë për numrin e mandateve të fituara në 2009. Në këtë kontekst do të ishte jo racionale të pretendohen më shumë mandate kuvendore nga PS, ndërkohë që koalicioni i PS në shkallë kombëtare ka marrë më pak vota sesa koalicioni i PD. Në disa qarqe po ashtu për mungesë dijenish shprehet çudi që “janë marrë shumë vota dhe jo aq shumë mandate...” dhe për këtë fajësohet D’Hondi sikur të ishte ndonjë armik që ka shkaktuar humbjen (kjo ka qenë edhe pjesa më qesharake e kësaj periudhe). Duke qenë se ky sistem është proporcional, duhet pasur parasysh se në kushtet e këtyre zgjedhjeve janë dashur rreth 10 mijë e 700 vota për të fituar një mandat (me një pjesëmarrje në votime rreth 50 për qind). Mjafton të pjesëtohet numri i votave të fituara në qark nga një koalicion me këtë kuotë dhe të rrumbullakoset pjesëtuesi për të kuptuar se sa mandate meritohen. Dhe duhet pasur parasysh se nuk mund të pretendohet të fitohen më shumë mandate nga çfarë të ofron ky rregull. Pastaj shtrihet debati për numrin tek apo çift të mandateve për çdo qark që është akoma më qesharak.
Cili është mendimi apo reagimi i kryetari Edi Rama për “fajësinë” e sistemit zgjedhor?
Me sa kam kuptuar, kryetari i PS ka përjashtuar plotësisht “fajësinë” e sistemit zgjedhor nga gjithçka ka ndodhur me zgjedhjet e 28 qershorit, por mendoj se duhet të ishte më i plotë në këtë pikë për të mos lënë asnjë keqkuptim. Ai së paku, por edhe shumë të tjerë me koshiencë politike normale, kanë qenë në dijeni të së gjithë avantazheve dhe dizavantazheve të këtij sistemi. Kryetari, kryesia dhe Asambleja Kombëtare janë informuar sistematikisht dhe kanë marrë vendime me konsensus pothuajse të plotë për gjithçka lidhet me sistemin zgjedhor. Shpresoj të mos lodhem më në të ardhmen me shpjegime për “(pa)fajësinë” e sistemit zgjedhor.
Ajo që shumë socialistë të bazës por dhe të selisë rozë nuk arrijnë të besojnë është fakti që PS ka marrë më shumë vota dhe përqindje më të lartë se PD, por ajo rezulton me më pak mandate deputetësh duke mbetur në minorancë parlamentare. Sa sistemi zgjedhor ka lejuar këtë ngërç?
Tani po flas vetëm teknikisht, sepse politikisht jam i angazhuar në përmbylljen e procesit zgjedhor dhe mbi të gjitha i fokusuar në fotografimin e mangësive e të parregullsive të procesit me synimin, që ato të korrigjohen e të mos përsëriten në të ardhmen. Sistemi elektoral është në thelb proporcional. Ai është pa asnjë dyshim i njëjtë për të gjithë grupimet konkurruese. Por si edhe në çdo rast tjetër hapësirat e sistemit mund të shfrytëzohen në mënyra të ndryshme nga secili subjekt elektoral. Sistemi favorizon koalicionin më të madh dhe jo partinë më të madhe dhe kjo është kështu në çdo sistem qoftë maxhoritar, proporcional apo i përzier kur pranohet konkurrimi me koalicione. E thënë më shkoqur, ajo forcë politike që arrin të garantojë më shumë vota përmes krijimit të koalicionit, fiton zgjedhjet sepse konkurrimi është me koalicione dhe jo me parti. Krijimi i një koalicioni kalon gjithnjë përmes një analize dhe optimizimi përftim/kosto apo sukses/risk, analiza e vlerësime, të cilat janë tërësisht me natyrë politike. Këtë hapësirë të sistemit e ka shfrytëzuar më mirë PD sesa PS, ndërkohë që sistemi zgjedhor nuk paraprivilegjon asnjërën prej tyre. PS duhet të ndërtonte një koalicion më të gjerë e më efikas me aleatët e saj tradicionale gjë që nuk ka ndodhur. Kjo do të mundësonte sjelljen e jo 68 mijë votave siç ka ndodhur me aleatët e saj, por mbi 100 mijë vota, duke pasur parasysh se aleatët e PD sollën rreth 102 mijë vota. Ky është një defekt me natyrë politike dhe s’ka lidhje me sistemin zgjedhor. Ndërkohë që një mënyrë bashkëpunimi edhe me LSI do të mund të garantonte ose prurjen edhe të shumë votave të tjera në një koalicion eventual apo së paku maksimalizim të mandateve kuvendore në një formë tjetër bashkëpunimi. Taktikat politike për të ndërtuar koalicione zgjedhore dhe optimizuar suksesin e tyre përcaktohen nga vullneti politik i palëve dhe kalojnë përmes vendimmarrjeve politike. Vendimmarrjet politike nuk varen nga sistemi elektoral, por përcaktohen mbi bazën e mundësive dhe hapësirave, që jep sistemi elektoral dhe i gjithë ky ushtrim ka në themel vullnetin politik.
Ka një mori termash që përdoren për rezultatin e zgjedhjeve, PD nuk fituar dhe as PS nuk ka humbur, e majta dhe e djathta janë në barazim 70 me 70, tjerë e tjerë. Si i gjykoni këto përkufizime?
Së pari, për të qenë seriozë deri në fund duhet pranuar se KQZ nuk ka shpallur ende rezultatin përfundimtar dhe gjithçka është paraprake dhe jo e plotë. Së dyti, PS është në një proces ndjekjeje serioze të skrutinimit të çdo vote, gjë që është legjitime dhe shumë normale. Por njëkohësisht mund të jemi shumë seriozë e realistë edhe vetëm në interpretimin e rezultateve paraprake, duke ruajtur të drejtën për të bërë eventualisht ndryshimet minore në planin sasior sepse cilësisht ka shumë pak gjasa që rezultati i zgjedhjeve të ndryshojë shumë. Për të qenë racionalë duhet pranuar se PS do të jetë në opozitë me rreth 65 mandate dhe nuk duket të ketë asnjë shans tjetër për pozitë të ndryshme politike së paku në periudhën afatshkurtër. PD duket se do të ketë së bashku me aleatët e saj rreth 70 mandate, duke qenë grupimi i parë që do të kishte të drejtën kushtetuese për të negociuar formimin e koalicionit të ri qeverisës. Dhe LSI me rreth 4 mandate do të ishte forca përcaktuese e koalicionit të ardhshëm qeverisës. Pa përdorur termat “humbës” apo “fitues” të zgjedhjeve, kjo është situata politike paszgjedhore apo paraqeverisëse. Për më tepër në këto zgjedhje ka ndodhur diçka normale dhe e pritshme që asnjë grupim politik nuk mundet me sa duket i vetëm të formojë maxhorancën e re qeverisëse, pra maxhoranca qeverisëse do të dalë si rezultat i koalicionit paszgjedhor që do të krijohet minimalisht nga dy grupimet politike që dolën nga zgjedhjet e 28 qershorit. Kjo situatë ka shumë gjasa të mbetet edhe pasi të deklarohet rezultati final, megjithatë duhet pritur edhe pak ditë.
Duke qëndruar përsëri tek sistemi, e majta favorizohet nga ky sistem apo penalizohet?
Për të qenë krejtësisht i saktë duhet thënë se rregullat e lojës përmes këtij sistemi zgjedhor janë përcaktuar të barabarta për të gjithë forcat politike. Për shkak të realitet konkret elektoral në Shqipëri mund të thuhet apriori dhe eventualisht ky sistem proporcional do të mund të privilegjonte lehtësisht të majtën, por një koalicion të majtë efikas, dhe jo një të majtë të përçarë në dy grupime, gati armiqësore. Nuk ka asnjë sistem në botë që të garantojë maksimalizimin apo optimizimin e suksesit të forcave politike që nuk bashkëpunojnë. Bile ndikimi negativ mbi një grupim të përçarë është maksimal në një sistem maxhoritar, mesatar në një sistem të përzier dhe minimal në një sistem proporcional. Përçarja nuk shmanget apo ngjitet me sistem zgjedhor sepse kërkon vullnet e teknika politike dhe sistemi zgjedhor aktual i ofron të gjitha këto mundësi. Për më tepër e djathta e drejtuar nga PD e shfrytëzoi maksimalisht këtë mundësi të sistemit, ndërkohë që e majta nuk e bëri një gjë të tillë, ndonëse potencialisht e kishte më të madhe këtë mundësi.
Këto përparësi që diktonte ky sistem zgjedhor, janë evidentuar dhe janë bërë të qarta në forumet e larta të PS-së për të përcaktuar mbi bazën e tyre dhe strategjinë elektorale të PS-së në krijimin e koalicionit të saj?
Natyrisht që diheshin dhe do të ishte injorancë për të gjithë ata që do të pranonin se nuk e dinin një gjë të tillë, sepse kjo është minimalja për këdo që pretendon të merret me politike. Aritmetika e këtij sistemi është për nxënësit e vitit të parë në gjimnaz dhe nëse dikush pretendon se nuk e di ky nuk është problemi i sistemit zgjedhor, por i sistemit apo nivelit arsimor apo edhe politik. Për më tepër vendimmarrjet politike nga të gjitha palët natyrisht janë marrë duke u bazuar në këto njohuri dhe në analizën e plotë të së gjithë opsioneve. Është minimalisht injorancë, jo vetëm politike, që të stigmatizohet sistemi elektoral për rezultatin e zgjedhjeve të dy forcave të para politike. Arsyet për të shpjeguar rezultatin e këtyre zgjedhjeve duhen kërkuar gjetiu e janë gjetiu dhe aspak tek sistemi. Kjo natyrisht do të bëhet e plotë pas daljes së rezultatit zyrtar. Por e sigurt është se çështja e koalicioneve ka ndikuar rezultatin e këtyre zgjedhjeve. “Treni i gjatë” i PD ka grumbulluar rreth 40 mijë vota më shumë sesa koalicioni minimal e joefikas i PS dhe kjo shumë e 40 mijë votave përkthehet mesatarisht në rreth 4 mandatet të koalicionit të PD. Të thuash se PS është para PD nuk do të thotë asgjë, ndërkohë që të thuash se aleatët e PD kanë sjellë rreth 40 mijë vota më shumë se sa aleatët e PS do të thotë sukses në fitim mandatesh. Kjo e fundit për momentin është e vërteta paraprake mbi bazën e rezultateve paraprake, por që me shumë gjasa do të jetë edhe një nga të vërtetat finale për këto zgjedhje.
Sa ky sistem zgjedhor ndikoi edhe në rezultatin e LSI-së, për shkak se ajo ishte në krye të një koalicioni më vete?
Nuk më takon mua të merrem me analizën politike të rezultatit të LSI. Por thjesht teknikisht rezulton nga një krahasim shifrash se LSI në vitin 2009 ka marrë rreth 38 mijë vota më pak sesa në vitin 2005 ose nga rreth 9 për qind në 2005 ka zbritur në rreth 5 për qind të votave në shkallë kombëtare në 2009. Grumbullimi i votave nuk ka lidhje me sistemin zgjedhor, por me taktikat politike dhe ndërtimin e ekipit e të programit elektoral. Ndërkohë, duhet pasur parasysh që në këtë sistem proporcional rreth 38 mijë votat e munguara do të mund të përktheheshin ndoshta në rreth 3-4 mandate kuvendore. Megjithatë duhet thënë se ky sistem nga pikëpamja kuantitative, e ka privilegjuar LSI duke e kthyer atë në një forcë vendimtare për fatin e koalicioneve qeverisëse, pavarësisht nëse përmasa e këtij roli është me katër deputete apo mund të ishte me më shumë deputetë. Dhe kjo dihej paraprakisht nga të gjithë aktorët politikë. Maksimalizimi i kësaj mundësie që i jep ky sistem zgjedhor do të varej nga taktikat elektorale dhe nga mënyra e ndërtimit të koalicioneve zgjedhore prej LSI, duke përcaktuar edhe një perspektivë elektoralo-politike në terma afatmesëm apo edhe afatgjatë.