BSH: Remitancat ranë me 35 për qind
Raportohet se gjatë tremujorit të tretë të 2009-s tregu ka pasur më pak likuiditete. Shlyem 5 mln euro interesa kredish
TIRANË - Ekonomia shqiptare ka filluar tkurrjen për shkak të efekteve të krizës ekonomike globale. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009, në vend kanë hyrë dhe kanë dalë më pak para, krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë raporton se gjatë kësaj periudhe deficiti i llogarisë korrente është thelluar me 100 milionë euro, në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar duke arritur në 331 milionë.
Ndërsa, raportohet se shuma e transaksioneve korente hyrëse dhe dalëse gjatë po të njëjtës periudhë, arriti në 2.65 miliardë euro duke pësuar një rritje me 7 për qind krahasuar me një vit më parë.
Si një nga zërat e llogarisë korente, të ardhurat gjatë këtij tremujori janë mbyllur me një bilanc negativ prej 34 milionë euro duke pësuar një rënie me 49 për qind. Ndërkohë, të ardhurat nga emigrantët vazhdojnë të pësojnë rënie nga muaji në muaj. Dy burimet kryesore të të ardhurave kanë qenë puna e emigrantëve dhe të ardhurat nga investimet në formën e interesave të depozitave të sistemit bankar jashtë.
BSH, raporton se të ardhurat hyrëse nga puna e emigrantëve kanë rënë me 35 për qind. Ndërkohë, janë dyfishuar daljet për shlyerjen e borxhit të jashtëm. Gjatë tremujorit të tretë të vitit 2009 Shqipëria ka paguar 5 milionë euro për të shlyer këto interesa.
Gjatë tremujorit të tretë të këtij viti, fluksi i importeve dhe eksporteve nga Shqipëria është ulur duke konfirmuar parashikimet e institucioneve financiare ndërkombëtare sipas të cilave shenjat e krizës ekonomike globale do të fillojnë të pasqyrohen në vend duke filluar nga tremujori i tretë i vitit 2009.
Kështu, vëllimi i përgjithshëm i shkëmbimeve tregtare gjatë këtij tremujori shënoi 994 milionë euro, me një rënie vjetore prej 8 për qind. Sipas BSH-së eksportet shënuan 202 milionë euro duke pësuar një rënie me 17 për qind. Krahas eksporteve, gjatë kësaj periudhe, rënie pësuan edhe importet rreth 6 për qind më pak se një vit më parë. Për pasojë, deficiti tregtar u tkurr me 11 milionë euro duke arritur në 591 milionë.
Duket se shkaku kryesor i rënies së të ardhurave nga importi ka të bëjë me ndryshimet e çmimeve të mallrave në tregun ndërkombëtar. Sipas të dhënave, rënia e çmimit të karburanteve në këtë treg ka bërë që të ardhurat nga ky import të bien me 24 për qind. Ndërkohë, kërkesa vazhdon të mbetet e lartë për import të mallrave ushqimorë, të cilat pësuan një rritje me 22 për qind.
Për sa i përket eksporteve, raportohet se rënia vjetore me 17 për qind gjatë kësaj periudhe erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e tkurrjes së këtij aktiviteti nga prodhimi i brendshëm, kryesisht në kategorinë e metaleve dhe lëndëve djegëse.
Energjia, 8.2 mln euro eksport në 2010
TIRANË- Reshjet e ditëve të fundit i kanë ardhur në ndihmë KESH-it për të rritur sasinë e eksportit të energjisë elektrike. Korporata Elektroenergjetike e Shqipërisë organizoi dje tenderin për shitjen e energjisë gjatë vitit 2010 duke zgjedhur dy kompani fituese, të cilat do të bëjnë të mundur eksportin e 164 milionë kilovat/orëve gjatë kësaj periudhe.
Kjo sasi energjie do t'i shitet Greqisë, Malit të Zi dhe Serbisë. Burime pranë KESH-it bëjnë të ditur se shitja do të kryhet sipas kuotimit të çmimit të energjisë në bursë.
Për momentin një MW/h kuotohet mesatarisht me 50 euro. Nëse çmimi vazhdon të qëndrojë në këto nivele, në fund të vitit parashikohet që nga kjo shitje, arka e KESH-it të mbledhë rreth 8.2 milionë euro.