E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrabanda, mbyllet hetimi për Neranxin

Hetimi i prokurorisë pretendon se ka provuar abuzimin prej 116 milionë lekësh, nga subjekti nga babai i të pandehurit

Prokuroria përfundoi procedurën e hetimit ndaj ish- deputetit i akuzuar për kontrabandë gjatë periudhës '01- 04

TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, përfundoi hetimin dhe dërgoi për gjykim dosjen penale në ngarkim të ish-deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nikollaq Neranxi.

Ish- deputeti i LSI-së, akuzohet për kryerjen e veprës penale të "Kontrabandës me mallra të tjera". Lajm bëhet i ditur nga burime zyrtare të njësisë së Task-Force-s për Antikrimin Ekonomik në Prokurorinë e Tiranës si dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet.

Kancelaria e ksaj tw fundit nëpërmjet shortit ka caktuar gjyqtarin Sokol Tona për gjykimin e dosjes penale në ngarkim të Neranxit. Sipas dosjes që mban numrin 2395, i pandehuri gjatë viteve 2001-'04 ka konsumuar veprën penale të "Kontrabandës me mallra të tjerë", duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 116 milionë lekësh të vjetra.

Kjo shumë është shkaktuar nga mos pagimi i doganës për disa automjete që figuronin në emër të firmës së babait të tij, me të cilat janë importuar materiale të ndryshme për laboratorë fotografikë, si shirita të kasetave, negativë të aparateve fotografikë, e pjesë të ndryshme për biznesin e tij.

Nga hetimet ka rezultuar se kompania drejtohej nga i biri, i pandehuri Neranxi, fakt ky i provuar edhe nga dëshmitë e punonjësve që kanë drejtuar këto makina nga Greqia në Shqipëri.

"Të gjitha të dhënat e mbledhura nga hetimi, në cilësinë e provës materiale na dërgonin tek personi kryesor që drejtonte këtë firmë importi, i pandehuri Nikollaq Neranxi. Për shkak të imunitetit që ai ka pasur, ndaj tij nuk është kryer asnjë veprim, por pas mbarimit të mandatit ndaj tij janë kryer të gjitha hetimet në përputhje me ligjet dhe dosja tashmë është dërguar në gjyq.

Nga këto të dhëna të grumbulluara ekzistojnë prova materiale të arsyeshme, se shtetasi Nikollaq Neranxi, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, është përgjegjësi kryesor i detyrimeve doganore, duke futur në vend mallra kontrabandë",- thuhet në dosjen e prokurorisë.

Ndërkohë, nga të gjitha veprimet hetimore të kryera për këtë çështje, ka rezultuar se importi i kryer nga personat dhe automjetet e kompanisë së biznesit, ligjërisht figuronte se kjo shoqëri drejtohej nga babai i të pandehurit tashmë i ndjerë.

Gjithashtu, është provuar se ish-deputeti Nikollaq Neranxi, gjatë vitit 2001-'04 kishte regjistruar si president të firmës së tij, emrin e babait të tij, për të cilin punëtorët e tij fusnin në Shqipëri mallra kontrabande sipas organit të akuzës.

Kallëzimi ndaj firmës së babait të deputetit Neranxi është kryer nga krerët e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, për mos pagimin e detyrimeve doganore për mallrat që shoqëria e tyre fuste në Shqipëri. Mësohet se materialet e futura kontrabandë në Shqipëri, kanë qenë të ndryshme, por pjesë të laboratorit të fotografisë dhe filmit, që kompania e tij importonte nga Greqia dhe që në total i kanë shkaktuar shtetit një dëm që kap shifrën e rreth 116 milionë lekë të vjetra.

Reagimi
Neranxi: Hetimi ndaj meje tendencioz

Ish-deputeti përfaqësues i LSI-së gjatë fazës hetimore të njësisë së Task- Forces së Prokurorisë së Tiranës është shprehur se hetimet ndaj tij janë një farsë e institucionit të akuzës.

"Hetimi i nisur nga Prokuroria e Tiranës, është një farsë e iniciuar nga prokurori i çështjes dhe njerëzve të komanduar në dogana dhe që ka qëllime politike ndaj meje,- pati deklaruar ish- deputeti i LSI-së. Këtë deklaratë Nikollaq Neranxi e pati dhënë për gazetën "Shekulli", kur ai ishte pyetur në lidhje me hetimin e hapur ndaj tij nga organi i akuzës.

AKUZA
Neni 174
"Kontrabanda me mallra të tjera"

Importimi, eksportimi apo tranzitimi i mallrave, nëpërmjet kalimit jashtë pikave doganore, fshehjes së plotë apo të pjesshme, mosdeklarimit të saktë në doganë, deklarimit të rremë për natyrën, llojin, cilësinë, çmimin, destinacionin e mallit apo të tjera forma që kanë për qëllim shmangien nga detyrimet doganore, dënohen me gjobë ose burgim gjer në pesë vjet

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›