E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra, RENEA u njoftua me vonesë për Dritan Dajtin

 

Trazhgim Sokolaj

Dinamika e gjurmimit për kapjen e Dritan Dajtit ka përjashtuar repartin RENEA nga aksioni që përfundoi tragjikisht me vdekjen e katër oficerëve të policisë në Durrës të premten e 7 gushtit. Katër efektivat e Sektorit të Operacioneve Speciale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari, Altin Dizdari dhe Kastriot Feska, që humbën jetën në përballje me të shumëkërkuarin, ishin vënë prej kohësh në ndjekje të tij. Dajti po hetohej për një veprimtari të mundshme në trafikun e drogës, ndërsa ishte në zonën e kuqe të Interpolit si person i shumëkërkuar pas arratisjes nga Gjykata e Tiranës në tetor 2003. Ky hetim i hapur për trafik narkotikësh kishte vënë në lëvizje katër agjentët që u vranë në përplasjen me armë gjatë tentativës për kapjen e Dritan Dajtit. Skuadra që po gjurmonte personin me të kërkuar në Shqipëri, ishte vënë prej ditësh në dijeni të faktit se Dajti qëndronte në një banesë në Durrës. Informacionet operative kishin mundësuar madje edhe lokalizimin e shtëpisë në fjalë. Megjithatë gjithçka dukej e mjegullt deri mesditën e 7 gushtit 2009, kur skuadra e operacioneve speciale e përbërë nga drejtuesi Fatos Xhani dhe agjentët Saimir Duçkollari, Altin Dizdari e Kastriot Feska, ka konfirmuar praninë e Dritan Dajtit pranë pistës “Iliria” në Durrës.
Gjurmimi
Zyrtari i policisë që po ndiqte nga afër hetimin dhe ndjekjen e këtij rasti, sipas burimeve nga Prokuroria e Përgjithshme ka qenë Arjan Muça, shef i Sektorit Kundër krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Agjentët që ndodheshin në terren, kanë konfirmuar gjatë vëzhgimit të tyre praninë e Dritan Dajtit gjatë kohës kur makina në të cilën ai ndodhej, po kërkonte vend parkimi në afërsi të pistës “Iliria” ku ndodhej edhe vendstrehimi i të shumëkërkuarit. Sapo kanë konfirmuar praninë e 38-vjeçarit, agjentët e policisë kanë vënë në dijeni eprorët e tyre. Sipas verifikimeve të policisë mbi gjithë dokumentacionin e planit operacional për kapjen e Dritan Dajtit, rezulton se plan-veprimi është firmosur atë ditë, më 7 gusht 2009 nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Prençi. Drejtues i aksionit në planin operacional ka qenë shefi i Antikrimit të Organizuar Arjan Muça, ndërsa në terren në drejtimin e skuadrës ndodhej Fatos Xhani, i cili ka firmosur edhe ai planin e aksionit. Është e paqartë nëse Xhani ka qenë në Tiranë ku ka firmosur dokumentin, apo ndodhej në Durrës bashkë me tre agjentët e njësisë që drejtonte për gjurmimin e të shumëkërkuarit. Pa humbur kohë, katër efektivat e skuadrës që po ndiqnin Dajtin janë bashkuar në Durrës dhe për disa minuta kanë ndjekur veprimet e personave që ndodheshin në makinë me të shumëkërkuarin. Duket se dinamika e ngjarjes, ka përjashtuar nga aksioni repartin special të policisë RENEA. Ekspertët e policisë, mendojnë se në rast se do të ndërhynte ky repart, rezultati i aksionit do të ishte krejt ndryshe. Megjithatë, RENEA-s nuk i është kërkuar të veprojë.
Përplasja me Dajtin
Fatos Xhani ka qenë i pari që ka drejtuar armën nga Dritan Dajti duke u identifikuar si efektiv i policisë. Ai është qëlluar menjëherë me plumb në kokë duke gjetur vdekjen, ndërsa menjëherë Dritan Dajti ka qëlluar në të njëjtën mënyrë edhe oficerin Sajmir Duçkollari. Informacioni ndërkohë ka mbërritur në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë prej nga vetëm pas vrasjes së dy agjentëve, është dhënë urdhri “për veprim” në adresë të repartit RENEA. Efektivat speciale janë nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes, por duket se ka qenë shumë vonë. Ndërsa oficerët e RENEA-s udhëtonin me urgjencë në drejtim të Durrësit, dy kolegët e tyre, Altin Dizdari e Kastriot Feska kanë mbetur edhe ata të vdekur në përplasje me armë zjarri me Dritan Dajtin dhe personat që e shoqëronin atë, Erges Xhoxhi, Ledian Mara dhe Elvis Karoli.

I katërti i masakrës, gjurmët në banesën ku u strehua Dajti

Tirane - Hetimet për personin e katërt që ndodhej pranë vendit ku u vranë 4 policët, kapërcejnë rrethin e miqve të Dritan Dajtit. Personi, i cili qëlloi pesë herë me pistoletë nga kati i dytë i ndërtesës ku strehohej i shumëkërkuari, dyshohet se mund të jetë armik i tij. Këto dyshime janë ngritur dje, kur në Laboratorin e Kriminalistikës u dërguan për ekzaminim gjurmët që janë gjetur në katin e dytë të godinës 6-katëshe ku strehohej Dajti. Pas matjeve dhe krahasimeve që janë bërë në vendin e ngjarjes, ekspertët kanë arritur në përfundimin se personi i katërt që ende nuk është identifikuar nga policia, ka qëlluar me pistoletë 5 herë nga një lartësi e caktuar, që sipas provave, besohet se ka qenë në katin e dytë të ndërtesës. Ekspertët mendojnë se të shtënat kanë qenë të drejtuara nga makina “Tuareg” e Dritan Dajtit, por ende nuk është saktësuar momenti kur është qëlluar. Sipas hetuesve, nëse saktësohet koha kur mund është qëlluar nga personi i katërt, mund të shpjegohet nëse objektivi kanë qenë oficerët Fatos Xhani dhe Altin Dizdari, apo vetë Dritan Dajti. Burimet nga policia nuk japin detaje rreth këtij personi, veç faktit se ai dyshohet të jetë kontingjent kriminal i skeduar nga policia disa herë. Nëse deri tani janë hetuar miqtë e personit që vrau 4 policë në Durrës, tashmë objekt i hetimit do të jenë edhe armiqtë e të shumëkërkuarit. Provat e mbledhura në vendin e ngjarjes, flasin se shumë pranë vendit të masakrës ndodhej edhe një person i katërt. Madje edhe ky person është bërë protagonist i saj që ndodhi, pasi dyshohet se ka qëlluar të paktën 5 herë me armë zjarri pistoletë. Për këtë person, gjatë këtyre ditëve ekspertët e kriminalistikës kanë ekzaminuar vetëm gëzhojat e fishekëve, që duket se i përkasin armës së përdorur prej tij. Këto gëzhoja janë të një pistolete me kalibër 9 mm dhe gjatësi gëzhoje 18 mm. Pasi është përcaktuar vendi se nga ku ka qëlluar personi tjetër protagonist i ngjarjes, që sipas matjeve i bie të jetë kati i dytë i ndërtesës ku strehohej Dajti, është arritur që aty të fiksohen edhe disa gjurmë të tij. Këto janë prova tjetër për këtë njeri, që mund të hedhë dritë mbi identitetin e tij. Gjurmët e gjetura do të ekzaminohen në Laboratorin e Kriminalistikës, ku më pas do të jepet një përfundim rreth tyre.                                       e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›