Orik Shyti: Dritan Dajti nuk ka lidhje me “Hakmarrjen”
TIRANE – Orik Shyti i akuzuari si kreu i “Hakmarrjes për Drejtësi”, aktualisht azilant në Zvicër, mohon që Dritan Dajti, autori i masakrës së 7 gushtit ndaj policëve në Durrës të jetë pjesë e “Hakmarrjes”. Nëpërmjet një mesazhi të dërguar dje nëpërmjet postës elektronike Shyti ka reaguar pas publikimit të një lajmi se Dajti lidhet me “Hakmarrjen” nëpërmjet të pandehurit të kësaj bande, Dritan Hate. “Nuk e di se cilët janë miqtë e Dritan Hates, se nuk kam pasur asnjë lloj lidhje me të në asnjë kohë. Madje, për mungesën e lidhjeve falsifikatorët e procesit kanë krijuar edhe një të çarë më shumë në procesin e manipuluar. Haten e akuzojnë për një krim të vetëm dhe për atë krim nuk akuzohem unë, “koka” e “Hakmarrjes”. Pra, as Hatja nuk është akuzuar se ka pasur ndonjë lidhje me mua”, thotë Shyti, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm. Me tej, Shyti thotë se publikimi i një lajmi të tillë është shpifje dhe se është dhënë nga funksionarë të lartë të Policisë së Shtetit, të cilët e kanë përhapur qëllimisht. Sipas tij Hate ishte arrestuar pas publikimit të fakteve të rreme për krimet që kryente në Shqipëri në emër të “Hakmarrjes”, ndërsa u dënua me një vit burg. “Arsyeja e dënimit: kishte parë armë dhe nuk e kishte pyetur mbajtësin e tyre, kishte apo nuk kishte leje nga policia”, thotë Shyti në mesazhin elektronik, duke ironizuar lidhjen e Hates me Dajtin.