BSH: “Rritja e kreditimit për biznesin, mbështetje në kushtet e krizës”
Në vitin 2008 kredia bankare për biznesin shqiptar zuri rreth 66 për qind të portofolit të kredisë. Rritja e mbështetjes financiare për biznesin, ku bëjnë pjesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, ka një rëndësi të veçantë për zhvillimin e iniciativës dhe të ekonomisë, veçanërisht në kushtet aktuale të krizës financiare ndërkombëtare. Sipas zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë, Fatos Ibrahimi, biznesi ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në uljen e papunësisë dhe rritjen e produktivitetit në veprimtaritë ekonomike. Duke vlerësuar kontributin e biznesit në rritjen e sektorit të shërbimeve, të ndërtimit, të tregtisë dhe të agrikulturës, Ibrahimi evidenton faktin se mikrokredia ka luajtur rol të rëndësishëm në ripërtëritjen afatgjatë dhe të qëndrueshme të biznesit dhe ekonomisë shqiptare. Zgjerimi i këtij portofoli gjykohet të ketë ndikuar pozitivisht në rritjen e aktivitetit ekonomik për sektorët kryesorë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të BSH-së, në shtator 2008, portofoli i kredisë dominohej nga kreditimi i sektorit të tregtisë (gati 25 për qind), të ndërtimit (afro 15 për qind) dhe të industrisë (mbi 15 për qind). Sipas përllogaritjeve të BSH-së, kredia për sipërmarrjet e vogla e të mesme, në nëntor 2008, paraqitej rreth 60 për qind më e lartë se fundi i vitit 2006, duke përbërë një raport mbi gjysmën e totalit të kredisë bankare dhënë për biznesin.
Viti 2009, bankat shtojnë gamën e produkteve dhe shërbimeve të reja
Këtë vit, bankat private po ofrojnë produkte dhe shërbime më specifike e të diversifikuara, sipas kategorive të ndryshme të klientëve potencialë dhe të nevojave të tyre. Gjatë vitit 2009 pritet gjithashtu të shtohet numri i bankave që do të ofrojnë shërbime nëpërmjet internetit. Konceptet e zakonshme bankare të kredisë apo depozitës po marrin një kuptim gjithnjë e më të përgjithshëm me zhvillimin e sistemit bankar në vendin tonë. Për shembull, depozitat nuk janë më vetëm në afate dhe kushte të ndryshme, por edhe në grupmosha dhe kategori të ndryshme. Disa banka ofrojnë depozita për fëmijët, disa paketa shërbimesh për studentët, shumica e tyre ofrojnë kredi të kategorizuara në mënyrë mjaft të detajuar sipas llojeve të shpenzimeve konsumatore etj. Zhvillimi i produkteve të reja, më të detajuara dhe specifike, pritet të jetë një synim i sistemit bankar edhe gjatë vitit 2009. Nga ana tjetër, bankat po thellojnë përpjekjet për të bërë më të përdorura nga konsumatorët shqiptarë format më të sofistikuara të veprimeve me paranë, si pagesat elektronike dhe ato nëpërmjet internetit. Gjatë fundit të vitit 2008, kartat e kreditit zunë një vend shumë të rëndësishëm në marketingun e bankave.
23 Janar 2009