Qeveria u kërkon bankave 250 milionë euro kredi për zgjedhjet
Qeverisë i nevojiten më shumë fonde se kurrë nisur nga procesi i afërt zgjedhor. I gjithë buxheti për investimet do të jetë rreth 1 miliard dollarë, diçka më pak se viti 2008, por që nuk "tkurr" planin e rritjes së shpenzimeve në ato objekte ku qeveria ka interes. Për ta zgjeruar më tej planin e inaugurimeve, qeveria do të marrë një fond mbështetës në formën e kredisë tregtare prej rreth 250 milionë eurosh nga bankat private. Fondi që do të përdoret për fushatë konsiderohet i mjaftueshëm për të hapur rrugë të reja dhe për të përfunduar në kohë rekord, para datës së zgjedhjeve, objektet që kanë nisur në vitet 2007-2008. Por Ministria e Financave nuk pranon që i gjithë fondi prej 250 milionë eurosh të përdoret për fushatë. Sipas zëvendësministrit të Financave, Sherefedin Shehu, kredia duhet të garantojë një mbështetje më të madhe buxhetore. Ndryshe nga sa ishte planifikuar, kredia prej 200-250 milionë eurosh do të merret nga bankat e huaja jashtë vendit. Këtë fakt e deklaron zëvendësministri Shehu, duke siguruar që tregut bankar në vend mos t‘i krijohen boshllëqe likuiditeti. Hapja e ofertave është parashikuar të kryhet më 30 janar 2009 nga Ministria e Financave, e cila ka bërë dhe aplikimin për tenderin ndërkombëtar.
23 Janar 2009