E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritja e ofertës monetare do të jetë rreth nivelit 8 për qind

06/01/2009  Banka e Shqipërisë miraton politikën monetare deri në 2011

Politika monetare e Bankës së Shqipërisë për vitin e ardhshëm do të jetë e orientuar drejt stabilitetit të çmimeve. Këshilli Mbikëqyrës i Autoritetit Mbikëqyrës miratoi në fund të vitit të kaluar politikën monetare që do të ndiqet gjatë periudhës 2009-2011. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë mbështeten mbi projeksionet e ndryshimit të çmimeve për një periudhë afatmesme, duke marrë parasysh dhe ekuilibrat e rreziqeve që shoqërojnë këto projeksione. “Rritja e ofertës monetare përtej kërkesës së ekonomisë sinjalizon dhe është premisë për rritjen e presioneve inflacioniste. Duke u nisur nga parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2009 si dhe nga tendencat e fundit të zhvillimeve monetare, Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e ofertës monetare rreth nivelit 8 për qind do të jetë në linjë me objektivin e Bankës së Shqipërisë për inflacionin për vitin 2009”, thekson dokumenti i politikës monetare. Në rastin e devijimeve të parashikimit nga objektivi, duke u nisur dhe nga shkaqet që çojnë në këto devijime, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë merr vendimin për normën e interesit. Nga informacioni i deritanishëm, rezulton se faktorët e kërkesës së brendshme me natyrë nxitëse ndaj presioneve inflacioniste në ekonomi, janë më të balancuara. Megjithatë, parashikimet e Bankës së Shqipërisë për dymbëdhjetë muajt në vijim, evidentojnë se rreziqet inflacioniste janë ende të pranishëm në periudhën afatmesme, veçanërisht në kushtet e krizës financiare në tregun ndërkombëtar dhe mundësisë për shfaqjen e efekteve në një kohë të mëvonshme. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë do të monitorojë me kujdes të veçantë çdo informacion dhe zhvillim të ardhshëm, në tregun financiar ndërkombëtar dhe vendas, bëjnë të ditur burime nga BSH-ja. Në linja të përgjithshme, strategjia bazë e politikës monetare për periudhën 2009-2011 do të ruajë parimet dhe trajtat kryesore të ndjekura gjatë viteve të fundit. Megjithatë, ajo do të pasurohet me elemente të reja në fushat e analizave ekonomike dhe atë të vendimmarrjes, në përputhje me praktikat më të fundit në fushën e administrimit monetar, me zhvillimin e ekonomisë dhe të tregut financiar.

Ndërhyrja

Bankat qendrore ndërhyjnë në ekonomi në bazë të parashikimeve të tyre për ecurinë e çmimeve në të ardhmen. Banka e Shqipërisë do të mbështesë vendimmarrjen e saj të politikës monetare mbi një analizë të gjerë të treguesve ekonomikë dhe financiarë. Të gjitha modelet analitike dhe parashikuese do të perfeksionohen në vazhdimësi gjatë periudhës 2009-2011, duke rritur shkallën e besueshmërisë së tyre dhe të efektivitetit të vendimeve të politikës monetare të bazuar në to. Sipas BSH-së, aktualisht sistemi bankar shqiptar nuk është prekur nga kriza financiare që ka prekur tregjet ndërkombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›