E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Rritja ekonomike më 2010 u dominua nga eksportet

Ekonomia e vendit tonë gjatë vitit që shkoi ka siguruar rritje pozitive që, sipas Bankës së Shqipërisë, është ndikuar fuqimisht nga eksportet. Ekonomia shqiptare regjistroi ritme pozitive rritjeje, edhe në tremujorin e tretë të vitit. Sipas të dhënave të raportuara nga INSTAT-i, rritja reale vjetore e PBB-së shënoi nivelin 4.9%, duke qenë më e lartë se vlerat e regjistruara në dy tremujorët e parë të vitit. Përmirësimi i aktivitetit ekonomik është mbështetur më shumë nga sektori i tregtisë, i turizmit dhe i shërbimeve të tjera. Sektori i industrisë ka ruajtur të njëjtin kontribut në rritjen ekonomike, ndërkohë që aktiviteti i sektorit të ndërtimit vazhdon të kontraktohet për të katërtin tremujor radhazi. Sipas BSH-së, të dhënat e disponuara sugjerojnë se, rritja e aktivitetit ekonomik ka vijuar të nxitet në një masë të madhe nga kërkesa e huaj, pra eksportet, ndërkohë që konsolidimi fiskal gjatë gjashtëmujorit të dytë ka dhënë në mënyrë të parashikueshme një ndikim ngadalësues në aktivitetin ekonomik. Ecuria e konsumit dhe e investimeve private, mbetet e ngadaltë edhe gjatë gjysmës së dytë të vitit, megjithë përmirësimin e kushteve të financimit të aktivitetit të tyre. Konsumi privat vazhdon të kushtëzohet nga një sjellje hezituese e konsumatorëve, në kryerjen e shpenzimeve dhe nga një mbështetje e pakët e tyre me kredi bankare. Rritja e pagave, e punësimit dhe e remintancave në ekonomi, nuk janë faktorizuar plotësisht në optimizmin e individëve për të ardhmen, sikurse dëshmohet nga nivelet e ulëta të indeksit të besimit konsumator edhe për tremujorin e tretë të vitit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›