OPEC lajmëron rritjen e prodhimit të naftës
Një nga anëtarët pjesëmarrës të mbledhjeve të kartelit të arit të zi, deklaroi dje se, OPEC do diskutojë politikën e kuotave të prodhimit, gjatë mbledhjes ndërkombëtare të energjisë, që do të mbahet më 22 shkurt në Arabinë Saudite. Organizata e vendeve prodhuese dhe eksportuese të naftës është nën presion të lartë, për të rritur kuotat e prodhimit, në mënyrë që të ndalë rritjen e çmimit të naftës, aktualisht, pranë nivelit 100 dollarë për fuçi. Kuotat aktuale të prodhimit, organizata i vendosi në mbledhjen e dhjetorit të vitit 2008, kur kriza financiare rrëzoi çmimin e naftës në më pak se 35 dollarë për fuçi. Më 22 shkurt, ministrat e naftës së OPEC do të takohen në Riyadh, me homologët e vendeve konsumatorë, në prani të agjencisë ndërkombëtare të energjisë dhe forumit ndërkombëtar për energji. “Të gjithë ministrat e naftës së OPEC do të jenë në Riad më 22 shkurt dhe ai do jetë një shans për të diskutuar situatën në treg”, tha për Reuters, një prej anëtarëve të këtij bordi, pa dashur të identifikohet. Ndërkohë takimi i radhës i OPEC është planifikuar për muajin qershor, por historikisht grupi ka treguar fleksibilitet të mjaftueshëm, për t’u mbledhur jashtë axhendës në rastet e nevojshme. Ende nuk është e qartë, nëse do ndryshojë politika e prodhimit në takimin e Riadit, por ministrat mund të caktojnë një tjetër datë për t’u mbledhur përpara muajit qershor. Ditën e premte, protestat e dhunshme në Egjipt rritën naftën Brent bruto të Londrës me më shumë se 4%, në 100 dollarë e 50 cent për fuçi. Vlera është pika më e lartë e bençmarkut europian të naftës, në 28 muajt e fundit dhe përkon me vlerën që kishte më 1 tetor të 2008. Ndërkohë, delegati i OPEC tha se vendet anëtare do të duhet të presin të qetësohet situata në Egjipt, përpara se të marrin një vendim të tyre. Në javët e kaluar, ministrat e OPEC kanë refuzuar të rrisin prodhimin, duke fajësuar spekulatorët për vlerën e lartë të naftës në treg dhe duke argumentuar se niveli i stokut të naftës bruto është ende i lartë. Por nga ana tjetër, analistët e tregut energjetik thonë se çmimi i naftës është rritur si pasojë e përmirësimit të ekonomisë në vendet e industrializuara, që janë dhe konsumatorët e parë të këtij produkti.