E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pollo: Rrjetet e komunikimeve elektronike, jo më kaos telash

SHKRUAN: Sabina Veizaj 01-02-2011 11:11

Në Shqipëri, për herë të parë, ndërtimi i rrjeteve të komunikimeve elektronike do të rregullohet me ligj. Komisioni Kuvendor i Veprimtarive Prodhuese ka miratuar dje, në parim, projektligjin “Për të drejtën e kalimit në pronë të shtetit dhe private, për ndërtimin e rrjetit të komunikimeve elektronike”. Ky projektligj synon të legalizojë në një farë mënyre, pra t’i japë të drejtën kompanive të komunikimeve elektronike, të përdorin tokën dhe godinën e shtetit, ose privatit, për të kryer me cilësi shërbimin ndaj klientëve. Ky projektligj do të rregullojë si ndërtimet ekzistuese, ashtu edhe ato që do të vijojnë. Në këtë mënyrë, në asnjë komunë apo bashki nuk do të vërehet më kaos telash. Ministri për Inovacionin dhe Teknologjinë e Informacionit e të Komunikimit, Genc Pollo, gjatë prezantimit të projektligjit në Komisionin Kuvendor të Veprimtarive Prodhuese, e cilësoi këtë projektligj si shumë të rëndësishëm, duke argumentuar se me hyrjen në fuqi dhe implementimin e tij do të parashikohen rregullat, kompetencat, organet dhe procedurat e tyre në mënyrë që çdo investitor në fushën e komunikimeve elektronike, që synon të ndërtojë rrjete, të dijë se çfarë duhet të bëjë dhe në rast se vepron në përputhje me këtë ligj, ta ketë të qartë se është edhe i mbrojtur në investimin e tij. Ai tha se operatorët duhet që brenda 6 muajve të regjistrohen tek AKEP, për t’u legalizuar. Në të njëjtën kohë, projektligji në fjalë ndihmon edhe decentralizimin e mëtejshëm të pushtetit vendor, pasi në rastet e parashikuara nga ligji, do të jenë bashkitë e komunat dhe qarqet ato që do të japin leje për ndërtimin e rrjeteve, siç parashikohet që AKEP do të japë lejet në rang kombëtar. Sipas projektligjit, e drejta e kalimit në prona të shtetit mund të shtrihet në pronat publike të paluajtshme të shtetit dhe pronat jopublike të paluajtshme të shtetit. Gjithashtu, e drejta e kalimit mund të ushtrohet në pronat publike të paluajtshme të shtetit, vetëm nëse ushtrimi i kësaj të drejte nuk cenon karakteristikat dhe vlerat unikale të pronës. Sipërmarrësi që kërkon të ndërtojë rrjete, në fushën e komunikimeve elektronike, sipas projektligjit në fjalë, duhet të paraqesë kërkesë me shkrim pranë bashkisë, komunës, qarkut ose AKEP, sipas rastit, ndërsa kërkesa duhet të përmbajë gjeneralitetet e sipërmarrësit, autorizimin e përgjithshëm të lëshuar nga AKEP, të dhëna të plota për pronën, ku kërkohet të ushtrohet e drejta e kalimit, projektin, afatet e parashikuara për realizimin e planit të punëve, vërtetimin e buxhetit për projektin, garanci financiare për shpërblimin e dëmit. Ky ligj, pas hyrjes në fuqi, do të zbatohet në përputhje me ligjin për urbanistikën, kurse përsa i përket detyrimeve tatimore, ministri Pollo sqaroi se do të kalojnë direkt në thesar, siç e dikton sistemi aktual i taksave. Zhvillimi domethënës i viteve të fundit, në fushën e komunikimeve elektronike, i shoqëruar me prioritetin e Qeverisë Shqiptare për “Shqipërinë Dixhitale”, sjell nevojën e përmirësimeve në kuadrin rregullator të kësaj fushe. Në fokus të veçantë të këtyre përmirësimeve është sigurimi i infrastrukturës së nevojshme, që t’i përgjigjet zhvillimeve të kohës, por edhe ndjekja e hapave të Bashkimit Europian në këtë fushë. Objektivat strategjikë dhe vizioni i Qeverisë Shqiptare, për të mbështetur zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe të komunikimeve, janë pjesë e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2007-2013.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›