E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH: Sistemi bankar i stabilizuar, merrni kredi

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u ka bërë apel dje gjatë një konference për shtyp subjekteve private dhe qytetarëve që të marrin hua, pasi sistemi bankar është i stabilizuar dhe në gjendje për të plotësuar kërkesat e tyre. Ndërkaq, bankat janë të gatshme të japin kredi për ekonominë, por problemi qëndron te kërkesa e ulët, veçanërisht nga biznesi. “Sektori bankar shqiptar është solid. Ai po shkon drejt një stabiliteti afatgjatë. Është i gatshëm të japë kredi, e do të thosha, siç e kam theksuar dhe gjatë kohëve të fundit, problemi kryesor është problemi i rritjes së kërkesës.” – deklaroi guvernatori në një konferencë. Guvernatori konfirmoi se “Gjatë muajit të kaluar u panë përmirësime të dukshme, sidomos sa i përket kërkesës së konsumatorëve të thjeshtë.” Investimet e ulëta që po bën sipërmarrja private po kushtëzojnë, sipas Bankës së Shqipërisë, edhe rritjen ekonomike të vendit, e cila, edhe pse vijon të jetë pozitive, mbetet nën potencialet e saj. “Kërkesa e sektorit privat të ekonomisë vijon të shfaqet e ngadaltë, duke kryqëzuar edhe projeksionet tona për rritjen ekonomike gjatë pjesës së mbetur të vitit. Investimet private vijojnë të kenë një ecuri të ngadaltë, krahasuar me rritjen e tyre historike dhe nevojat për rritjen sasiore e cilësore të kapaciteteve tona prodhuese."- u shpreh guvernatori. Përsa i përket rritjes ekonomike, në mungesë të të dhënave direkte, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja ekonomike gjatë kësaj periudhe është e ngjashme me atë të regjistruar në tremujorin paraardhës, duke mbetur kështu nën ritmin potencial të rritjes së ekonomisë shqiptare. Sipas BSh, aktiviteti ekonomik është mbështetur nga sektori publik dhe nga kërkesa e huaj, por në një masë më të moderuar krahasuar me tremujorin e parë të vitit. Ndërkohë, kërkesa e sektorit privat të ekonomisë vijon të shfaqet e ngadaltë, duke kushtëzuar edhe projeksionet e BSh-së për rritjen ekonomike gjatë pjesës së mbetur të vitit. Këshilli Mbikëqyrës i BSh ka vendosur të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, duke e lënë atë në 5.25%, ndërsa inflacioni për muajin korrik rezultoi 3.6%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›