Pasuritë e fajdeve, çmimet transparente para ankandit
Çmimet me të cilat do të shiten pasuritë e ish-administratorëve të fajdeve do të jenë transparente para nisjes së procedurave të ankandit. Vendimin për transparencën mbi çmimet e ka marrë Këshilli i Ministrave gjatë mbledhjes së djeshme. Ndërsa kryetari i Grupit të Mbikëqyrjes së Fajdeve, Bajram Malaj, tha dje për gazetën MAPO se ky ndryshim në ligj synon një rritje më të madhe të interesit për blerjen e këtyre pasurive. Sipas ligjit aktual, çmimi për shitjen e pasurive dhe aseteve të ish-administratorëve të kompanive rentiere dhe familjarëve të tyre publikohej vetëm në momentin e nisjes së ankandit. Mirëpo Malaj tha se kjo procedurë e la të vakët interesin e pjesëmarrjes në ankande. Kryeadministratori i aseteve të ish-firmave rentiere tha se tani pasuritë shiten nga një agjenci e posaçme në Ministrinë e Financave. Por ecuria e shitjes së objekteve dhe pasurive të tjera nuk ka qenë shumë e kënaqshme pikërisht për shkak të mospublikimti të çmimit deri në momentin e hapjes së ankandit. Ai tha se vendimi që mori qeveria dje synon të rrisë interesin e marrjes pjesë në ankande dhe në rritjen e vlerës së objekteve që do të shiten në këto ankande. Objektet që përbëjnë pasurinë e shoqërive huamarrëse, si dhe të personave të lidhur me ta, shiten për të realizuar kthimin e tyre në vlera financiare. Me kryerjen e veprimit juridik të shitjes, e drejta e pronësisë, të drejtat reale, si dhe çdo e drejtë tjetër mbi pasurinë e shoqërisë apo të personit të lidhur me të, i kalon blerësit. Këto të drejta mbrohen me dispozitat e parashikuara në këtë ligj. Ndërsa sipas ligjit për shitjen e këtyre objekteve, që është miratuar qysh në vitin 1998, personat juridikë jobankarë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë, nuk kanë të drejtë që, pas realizimit të shitjes, të riblenë pasurinë e shoqërisë apo të kërkojnë në gjykatë të drejtën për kthim në favor të tyre. Radha e shitjes së pasurisë të shoqërisë caktohet nga administratori. Ky i fundit saktëson përpara fillimit të procesit të shitjes të drejtën e pronësisë, përkatësinë dhe vendos për formën e procedurën e shitjes, deri në arkëtimin e çmimit të shitjes së tyre. Me shitjen e pasurisë së shoqërisë, konsulenti juridik, në emër të administratorit, bën veprimet e duhura për likuidimin dhe çregjistrimin e shoqërisë huamarrëse nga regjistri tregtar. Shitja e aseteve të ish-firmave rentiere bëhet sipas tri formave, shitje direkte, ankand dhe tender publik. Administratori, duke respektuar kriteret e vendosura në këtë ligj, përcakton formën e shitjes. Ai mund të zbatojë një, disa ose të gjitha format e mësipërme. Në raste të veçanta mund të përdoret agjent për shitje. Personat fizikë a juridikë, vendas ose të huaj, të cilët kërkojnë të blenë pasuritë e shoqërive huamarrëse, paraqesin pranë administratorëve këto dokumente. Kërkesa për objektin që ata do të blenë, dokumenti bankar që vërteton pagesën e 20 për qind të shumës që ai konkurron për blerje të objekteve që do të shiten dhe Deklarata me shkrim për konton bankare që disponon apo sasinë e mjeteve monetare cash. Në çdo rast blerja e pasurive të shoqërive brenda vendit do të bëhet me lekë, ndërsa kur ato do të shiten jashtë Shqipërisë, edhe në valutë të huaj. Ndërsa personat fizikë e juridikë të lidhur me shoqëritë huamarrëse përjashtohen nga e drejta e shitjes, e blerjes ose çdo veprim tjetër juridiko-civil që sjell gëzimin e kësaj. Publikimi i shitjes bëhet jo më vonë se 20 ditë nga data e caktuar për shitje. Në rastet kur natyra e objektit është e tillë që kërkon një kohë më të gjatë, ky afat është nga një deri në tre muaj.