E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH: Stabiliteti financiar në rrezik

Gjatë shtatë viteve të fundit, që kur Banka e Shqipërisë vendosi standardin e paralajmërimit publik për rreziqet në ekonomi, togfjalëshi standard i deklaratave ka qenë: “Nuk shikohen rreziqe konkrete për stabilitetin financiar të vendit”. Ky togfjalësh nuk qe i pranishëm në dy deklaratat e fundit të z.Ardian Fullani, guvernator i BSH-së. Në deklaratën e publikuar dje, z.Fullani foli për një “situatë komplekse zhvillimesh dhe pritshmërish, situatë që e bën të domosdoshëm kujdesin për stabilitetin financiar të sistemit”. “Përveç rrezikut të kredisë dhe rrezikut të kursit të këmbimit, ekzistojnë dhe rreziqe të lidhura me faktorë të jashtëm”,- deklaroi z.Fullani. Më herët, në një deklaratë tjetër, BSH paralajmëroi se “rritja e fortë e importeve për shkak të çmimeve më të larta të ushqimeve dhe energjisë, mund të sjellin luhatshmëri të forta në kursin e këmbimit”. BSH vëren me alarm, rritjen e sasisë së kredive të këqija në vend. Rritja e shpejtë e kreditimit gjatë viteve të fundit, karakterizuar nga konkurrenca e ashpër mes bankave, besohet se ka krijuar një portofol kredish të pasigurta, që arrin në rreth 90 milionë euro.

DeficitetBanka e Shqipërisë vëren se deficiti tregtar ka arritur në nivele shqetësuese, e lidhur kjo jo me sasinë e mallrave të importuara, por me çmimet më të larta të importit. Energjia elektrike, është malli më domethënës, pasi ka shkaktuar rritje të importeve me afro 200 milionë euro gjatë vitit të kaluar. Raporti i fundit i FMN-së fuste në listën e fenomeneve që prodhojnë importe edhe rrugën Rrëshen-Kalimash, e cila do të kushtojë në total 530 milionë euro, nga të cilat, shumica dërrmuese përkthehen në mallra dhe makineri të importuara. Deficiti tregtar arriti në 2.3 miliardë euro gjatë vitit të kaluar, me rritje në masën 26% kundrejt vitit 2006.

BSH: Shikoni bujqësinë dhe ndërtiminBanka e Shqipërisë vëren se dy sektorët për të cilat qeveria duhet të kujdeset më shumë sot, janë bujqësia dhe ndërtimi. Bujqësia rezulton se pati një rritje të papërfillshme prej 1.5% gjatë vitit 2007. “Në këto rrethana, merr një rëndësi të dorës së parë shfrytëzimi racional i tokës bujqësore, duke synuar shtimin e sipërfaqeve të mbjella, si dhe produktivitetin për njësi. Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë rithekson domosdoshmërinë për kryerjen e reformave të thella strukturore që kanë të bëjnë me tokën, pasurinë, sistemin grumbullues dhe atë shpërndarës, si dhe me infrastrukturën”,- deklaroi dje z.Fullani.Sektori i ndërtimit, i cili ka gjithashtu rëndësi të madhe për ekonominë, ka vuajtur gjatë viteve të fundit nga mungesa e planifikimit urban dhe fragmentarizimi i politikëmarrjes në zgjerimin e qyteteve kryesore e në insuficiencën në investime në infrastrukturë. “Dega e ndërtimit vazhdon të karakterizohet nga një situatë jo e qartë edhe në tremujorin e parë të vitit 2008”,- deklaroi Guvernatori i BSH.

Qeveria, valë huamarrjeje në korrik

Interesat e bonove të thesarit që emetohen nga Banka e Shqipërisë për llogari të qeverisë, pësuan një rritje graduale gjatë muajit të fundit, me mesatarisht rreth 10 pikë përqindjeje. Në ankandin e fundit, interesi i bonove 12 mujore arriti maksimumin e shumë kohëve në 8.17%, me rritje prej 3 pikësh bazë kundrejt ankandit të parafundit të zhvilluar më 6 maj, si dhe me rritje prej 16 pikësh bazë kundrejt muajit prill. Në interesat e bonove tremujore, ankandi i të cilave u zhvillua dje, interesat nuk njohën të njëjtin ndryshim. Prej vitesh, vihet re se huamarrja e brendshme e qeverisë rritet ndjeshëm në muajin qershor dhe në muajin dhjetor, duke sjellë edhe rritje të interesave të bonove. Por këtë vit nuk vërehet ende kjo rritje në kërkesën për bono thesari. Sipas kalendarit të emetimeve të borxhit, publikuar nga Ministria e Financave, rritja e kërkesës do të shfaqet në muajin korrik. Gjatë muajit maj u emetuan 25.2 miliardë lekë bono, në qershor pritet të emetohen 27.6 mld, ndërsa në korrik, do të emetohen 55.1 miliardë lekë bono thesari.

Interesat në rritjeInteresat e bonove të thesarit ndikohen teorikisht nga kërkesë-oferta, por në rastin e Shqipërisë, ndikimin më të madh e ka interesi bazë në ekonomi. Interesi bazë, ose REPO, është rritur nga janari i vitit 2007 deri më sot me 0.75%, por interesi mesatar i borxhit të brendshëm është rritur me më shumë se 1%. Vlerësohet se rritja e interesave të borxhit me 1%, mund t’i kushtojë qeverisë rreth 35 milionë euro shpenzime për interesa më shumë në vit. Tregu i borxhit të brendshëm kontrollohet përgjithësisht nga një oligopol bankash në masën 70%, si dhe nga Banka e Shqipërisë me rreth 18%. Publiku i gjerë është dekurajuar nga investimi në këtë treg, gjatë viteve të fundit.

Efekti te kursi i këmbimitRritja e nivelit të huamarrjes në korrik dhe në dhjetor shkakton kërkesë për lekë në treg e për pasojë, sjell edhe forcimin e monedhës vendëse kundrejt valutës. Konkretisht, gjatë ditëve të fundit, leku u forcua si kundrejt dollarit, ashtu edhe kundrejt euros. Dollari zbriti në 77.5 lekë gjatë ditëve të fundit, ndërkohë që Euro qëndroi pa lëvizur, në nivelin e 122 lekëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›