E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta thyen parashikimet, 163 lekë për litër

Nafta arrin rekordin historik të çmimeve në vend, nivele të cilat nga ana e konsumatorëve as që janë menduar. Pikat e shitjes së arit të zi në kryeqytet gjatë ditës së djeshme kanë kuotuar në një nivel rekord një litër naftë, duke e shitur këtë të fundit me 163 lekë për litër. Nafta D2 është shitur gjatë ditës së djeshme me një çmim prej 155 lekë për litër, ndërsa benzina ka patur një çmim prej 160 lekë për litër. Çmimi i naftës së cilësisë së parë vazhdon që të luhatet sipër atij të benzinës, duke paraqitur një sjellje të re në tregun vendës. Tashmë askush nuk e sheh me çudi që çmimi i arit të zi në vend të mbërrijë në 200 lek për litër në fund të këtij viti, pasi konjunktura e çmimeve vazhdon që të drejtohet me shpejtësi në këtë nivel rekord. Grosistët në vend, bëjnë të ditur se për çdo javë që kalon, çmimet rriten me rreth 20 dollarë për ton. Çmimet janë rritur aq shumë, sa edhe kompanitë që mundet të importojnë sasira të mëdha të naftës janë të pakta, duke treguar se vlera e arit të zi është në rritje të vazhdueshme. Por dritë shprese kanë lindur gjatë ditëve të fundit në bursat ndërkombëtare, pavarësisht rritjeve rekord të çmimit. Sipas specialistëve të tregjeve, nafta për këtë vit parashikohet që të ketë një çmim mesatar, që do të shkojë në 107 dollarë për fuçi, ndërsa gjatë 2009 dhe 2010, çmimi mesatar parashikohet që mos të kalojë 102 dollarë për fuçi.

***Rritja e çmimit të naftës dhe të benzinës ka sjellë efekte zinxhir edhe në mallrat e tjerë dhe shërbimet në të cilat ajo përdoret si lëndë e parë. Kështu, qeveria vendosi që të rrisë çmimet e biletave të transportit urban me 50 për qind. E njëjta situatë është duke u përjetuar edhe përsa i përket çmimeve të biletave në të gjithë transportin e qytetarëve, që realizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga privatët. Kështu, çmimet e të gjitha biletave të shërbimit interurban kanë pësuar një rritje të ndjeshme, që prej fundit të vitit 2007. Me rritjen e fortë të çmimeve të naftës, një nga sektorët që po përjeton krizën e radhës, është bujqësia. Kostot e shumta po rëndojnë mbi fermerët, që, për shkak edhe të nivelit të pakët të tokës në pronësi, nuk mund që të bëjnë asgjë për të përfituar nga kjo situatë. Ngritja e një strukture të veçantë të specializuar, që do të rekomandonte masa konkrete për të ndihmuar në këtë situatë, do të ishte një zgjidhje e mirë. Të tilla institucione tashmë po operojnë në shumë vende që po përballen me krizën botërore. Përsa i përket çmimeve të karburanteve, specialistët theksojnë se Shqipëria vuan nga një mungesë e shërbimit cilësor urban, që do të ishte me një kosto të ulët për qytetarët. Shqipëria vazhdon që të jetë në nivele të ulëta, përsa i preket numrit të makinave për banorë, krahasuar me vendet evropiane, por konsumi i karburanteve nga mjetet që qarkullojnë në vend është në nivele të larta.

***E marta ka qenë një ditë e mbarë përsa i përket çmimeve të arit të zi në bursa. Nga një rekord prej 135.09 dollarë për fuçi që ka arritur nafta gjatë javës që kaloi, ditën e djeshme, çmimi i naftës arriti në 130.69 dollarë, duke pësuar një rënie me 1.50 dollarë krahasuar me një ditë më parë. Pavarësisht deklaratave dhe parashikimeve të bëra nga ana e specialistëve të tregjeve ndërkombëtare, fati i çmimit të naftës mbetet tërësisht në dorë të lëvizjeve gjeopolitike. Irani ka bërë të ditur se ka ulur ndjeshëm naftën e nxjerrë në treg nga vendburimet e tij, gjatë javës që kaloi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›