E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: Shqipëria po bën hapa prapa, rrezikohet NATO

Shqipëria rrezikon seriozisht anëtarësimin në NATO, për shkak të përplasjeve që kanë nisur mes qeverisë dhe institucioneve të tjera si Presidenti, KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme. 

Një diplomat i lartë amerikan në Tiranë ka mbajtur këtë qëndrim gjatë një takimi të zhvilluar ditët e fundit, me disa nga përfaqësuesit e medias shqiptare. Burime diplomatike nga selia e ambasadës së SHBA në Tiranë komentojnë se konfliktualiteti mes qeverisë dhe institucioneve të pavarura kushtetuese, shihen si mjaft shqetësuese për ndërkombëtarët, si një synim për cenimin e pavarësisë së KLD-së, Prokurorisë. Burimi diplomatik i SHBA në Tiranë e konsideroi të paprecedentë reagimin e kryeministrit Berisha ndaj një deputeti të opozitës në Kuvend duke shtuar se, këto veprime janë reminishenca të një kohe të shkuar dhe rrezikojnë hapa prapa të qeverisë. Konflikti me kryeprokuroren Ina Rama shihet dhe në mënyrën e hartimit të një projektligji të ri “Për funksionimin e organit të lartë akuzës”, duke e vënë nën ndikimin e qeverisë. Në axhendën e Kuvendit në sesionit e ardhshëm të vjeshtës, parashikohet shqyrtimi i këtij projektligji, që do të shoqërohet me ulje të rolit të Prokurores së Përgjithshme dhe dobësim të vendimmarrjes së saj. Diplomati amerikan zbulon një fakt tjetër, kur kryetarja e Kuvendit Topalli i ka dërguar Ina Ramës fjalimin e fotokopjuar të Mediut në Kuvend, me qëllim të orientojë hetimet ndaj Gërdecit. Kjo cilësohet si një ndikim për mënyrën e hetimit mbi tragjedinë e Gërdecit. Lidhur me Prokurorinë e Përgjithshme përveç shqetësimeve publike, që ka shprehur ambasadori amerikan në Tiranë, shikohet me shqetësim fakti, që Kuvendi i Shqipërisë ka mbajtur një qëndrim poshtërues ndaj prokurores, kur ajo është paraqitur të raportojë dhe ky konsiderohet sinjal i keq në Uashington. Pas kësaj ngjarjeje, diplomati amerikan ka bërë të ditur se, janë shtuar përpjekjet e qeverisë për të vënë nën kontroll sistemin e drejtësisë dhe atë votimit në zgjedhje. “Me gjithë progresin e jashtëzakonshëm politik dhe të reformave para dhe pas samitit të Bukureshtit, pas Gërdecit, qeveria po kërkon të kontrollojë dhe të kufizojë Prokurorinë, KLD, Shërbimin Sekret, Gjykatën e Lartë, e aq më keq që të sulmojnë edhe OSBE-në”, mësohet të jetë thënë në këtë takim. “Ka dhe sinjale të tjera negative kundër misionit të OSBE, që nuk mund t’i themi tani, por mund të themi se është koha më e keqe dhe e papërshtatshme të kërkosh largimin e OSBE nga Shqipëria”. Sipas tyre, kjo këmbëngulje shtron pyetjen: Përse duhen larguar monitoruesit e procesit zgjedhor në një vit elektoral nga Shqipëria? Dhe kjo është një pyetje që ngre dyshime të vjetra për qeverinë aktuale. Dyshimet shkojnë deri te përpjekjet për të deformuar vullnetin e zgjedhësve në vitin 2009, dhe këtu shtohen dyshime të arsyeshme për infrastrukturën e zgjedhjeve. Jo pak shqetësuese janë edhe raportet mes qeverisë, maxhorancës dhe presidentit, ku konflikti më i madh u vërejt në votimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, duke hedhur poshtë në bllok gjashtë kandidaturat e para. “Është e pamundur që në gjashtë kandidatë asnjë të mos jetë i mirë”, tha burimi diplomatik, ndaj ai votim ishte sinjal negativ për imazhin e Shqipërisë, pasi shumica shihej qartë që po përpiqej të diktonte përbërjen e asaj gjykate, sipas shijeve të saj politike. Ata po ashtu shikojnë me dyshim sulmet ndaj Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe përpjekjes për ta vënë atë nën kontroll. Me dyshim shihen dhe sulmet ndaj KLD–së dhe përpjekjeve për ta vënë atë në kontroll. Shqetësim serioz janë edhe përpjekjet e kryeministrit për të ngritur një super agjenci shërbimesh sekrete, sipas modelit të këshilltarit të tij të jashtëm Tom Rixh. Shqetësimet e diplomatëve amerikanë në Tiranë duket se, iu janë përcjellë në rrugë direkte shumë qendrave problematike të qeverisjes, si Qeverisë, Ministrisë së Drejtësisë, Kuvendit dhe zyrave të tjera të përfshira në këtë problematikë të nxehtë, por duket se nuk kanë gjetur mirëkuptim. Përpjekja për t’i bërë ato publike përmes medias duket se, është një zhvillim shumë negativ për raportet e qeverisë me disa kancelari të rëndësishme perëndimore. Nëse ftesa për në NATO nuk ratifikohet nga disa vende anëtare të NATO-s, Shqipëria rrezikon të mos pranohet në samitin e vitit të ardhshëm, duke e shtyrë këtë anëtarësim pas zgjedhjeve të vitit 2009.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›