BSH fle gjumë, 30 miliardë humbje nga mosveprimi
Kriza ekonomike botërore mund të kishte efekte më të vogla në ekonominë shqiptare nëse institucionet përkatëse do të kishin vepruar në kohë, duke parandaluar me mjetet që kanë në dorë disa pasoja të rënda. Për Shkëlqim Canin, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, tashmë pedagog me kohë të plotë dhe ekspert i opozitës, ky institucion është përgjegjësi kryesor për këto veprime. Ai prek disa pika kyçe, ku mund të ishte vepruar në kohë, siç ishte ulja e normës së interesit në mënyrë drastike që në vitin 2008 dhe më tej miratimi po në kohë i ligjit për sigurimin e depozitave, do të ishin shmangur të paktën 30 miliardë lekë humbje të ekonomisë. Por ka akoma kohë që të ndreqen gabimet e së shkuarës dhe momenti është tani, kur kriza në ekonominë greke që po prek dhe sistemin bankar atje, mund të rrezikojë depozitat e shqiptarëve. Cani i jep disa këshilla pasardhësit të tij, Adrian Fullani
Zoti Cani, Shqipëria nuk është jashtë ndikimit të krizës ekonomike botërore. Sipas jush, në çfarë mase e ka prekur kjo krizë ekonominë shqiptare dhe a po gjen ajo mjetet e duhura për të dalë prej saj?
Unë mund të japë shifra për të treguar se sa janë prekur sektorët e ekonomisë. Ajo që vlen të theksohet është se nga një analizë që i kam bërë vetes një vit e gjysmë pas daljes në publik, ku bëra paralajmërimin për efektet e krizës, më rezulton se jam treguar më i stepur nga ç’duhet sepse ekonomia është infektuar shumë më tepër nga ç’kam parashikuar unë. Por nga ndonjë zë tek-tuk më shumë të dëgjuar indirekt nga të huajt, nga Banka Botërore apo ambasadorët, për këtë vlerësim timin personal, natyrisht dhe si vlerësim i opozitës, guvernatori dhe ministri i Financave më kanë cilësuar paniksjellës, njeri që i ekzagjeroj gjërat, njeri që i kam zmadhuar etj. E vërteta është krejt ndryshe, nuk kam ngjallur panik, madje kam qenë i rezervuar. Unë kam dashur me modesti të paralajmëroj, kam dashur që me kohë t’u jap një armë institucioneve shqiptare, në mënyrë që ato të parashikojnë në kohën e duhur efektet që mund të ketë kriza. Ekonomisë mund t’i ishte bërë shumë mirë nëse do të ishte vepruar në kohë.
Cilat janë efektet?
Thashë shumë qartë që në shtator (2008) se buxheti 2009 nuk mund të zbatohej, kriza botërore do të reflektohej në ekonominë shqiptare dhe goditja e parë dhe më e matshmja do të ishte në buxhet, e vërteta është se nuk u zbatua. Në ato kohë, studimet janë të publikuara, ne flisnim për 20-30 miliardë lekë mosrealizim të të ardhurave dhe janë mbi 30 miliardë lekë mosrealizimi i të ardhurave, duke e krahasuar me buxhetin e parë. Thamë që deficiti nuk do të realizohet dot dhe nuk u realizua dhe folëm për menaxhimin e shpenzimeve. Pa u parë se cilat janë të domosdoshme apo jo, u la që shpenzimet të marrin rrjedhë dhe pastaj doemos që do e pësojë një grup shpenzimesh. Sepse duhet të bësh me prioritet një shpenzim të domosdoshëm që është me leverdi dhe të lësh një shpenzim tjetër. Unë nuk vë në dyshim se çdo shpenzim ka një logjikë, megjithatë nuk do ta merrja përsipër pa e bërë një analizë të këtij lloji. Natyrisht borxhi publik u rrit. Ky është grupi i parë dhe përkeqësimi i treguesve e vë vendin në pozita jo shumë komode për t’u vlerësuar nga agjencitë e vlerësimit ndërkombëtar. Ky është grupi i parë, për të cilin ne i kërkuam qeverisë të rishikonte buxhetin dhe disa masa të tjera. E dyta është inflacioni. Ne patëm parashikuar se gjatë 2009 inflacioni do të qëndrojë në nivele të ulëta. Për grupin e dytë i sugjeruam Bankës së Shqipërisë që të merrte masa të shpejta dhe një ulje drastike të normave të interesit, duke gjykuar që inflacioni do të qëndronte i ulur. Kam dhënë shifrën te 2 për qind dhe e kam korrigjuar dhe deri në 3 për qind, për uljen e normës së interesit, duke u treguar më agresiv për shkak të krizës botërore që po përkeqësohej. Duke qenë se inflacioni nuk do të ishte më problem për Shqipërinë, ulja e normës së interesit prodhon pak inflacion, por nuk i prishte punë, ndërkohë që do t’i bëhej shumë mirë grupit tjetër të ekonomisë që është: 1 - ulja e “yield”-it të bonove të thesarit dhe për pasojë buxheti do paguante më pak kosto, 2 - do të ulte normat e interesit të kredisë ose do të bënte një presion për ulje të normës dhe 3 - do t’i jepte një shtysë rritjes së ekonomisë me ritëm më të mirë se ai që u vërtetua.
Kam thënë se do të ketë një ulje të eksporteve shqiptare, sepse goditja në radhë të parë ishte në grupin e mineraleve, ranë çmimet në mënyrë drastike. Kromi, bakri, materialporositësi, të gjitha këto kanë rënë mbi 20 për qind. Gjykimi ishte tek investimet e huaja dhe në tërësi, ishte e pakuptimtë që të pritej ky ngërç i madh në ekonominë botërore që investimi i huaj të bënte bumin në Shqipëri. Ka një logjikë të thjeshtë. Investitorët marrin kredi në një bankë, nëse sistemi bankar tkurret dhe nuk të jep kredi për brenda vendit, s’të jep as për jashtë vendit. Qeveria na paraqet investitorë që kanë marrë licenca për hidrocentrale, e keqja është se ata do kërkojnë para. Do të merrnin kredi. Një vëzhgues i hollë i ekonomisë do e kuptonte. Asnjë nga licencat nuk gjeti zbatim. Ka dalë një teori e re se këto licenca mund të rishiten. Mua më duken si të thuash hajde ti dorë e parë dhe të të paguajnë të tjerët pastaj, ky është problemi i korrupsionit.
Gjithashtu, kursi i këmbimit u nënçmua. I vetmi tregues që mua më çorodit është treguesi i turizmit. Unë parashikoja rënie të turizmit, sepse ra në gjithë botën, në Shqipëri u rrit 40 për qind. Nuk e di sa e saktë është llogaritja e numrit, por duhet parë dhe sa janë rritur të ardhurat nga turizmi. Nëse të ardhurat e turizmit janë rritur vetëm 20 për qind, do të thotë se po prodhojmë turistë që nuk konsumojnë në Shqipëri. Të gjitha këto kanë efekte në ekonomi.
Ju e përmendët më lart se Banka e Shqipërisë, si institucion i menaxhimit të ekonomisë së vendit, ka detyrë të parandalojë me sa është e mundur dhe të mirëmenaxhojë efektet që mund të sjellë kjo krizë. Sipas jush, çfarë masash duhej të merrte konkretisht?
Banka e Shqipërisë ka bërë lëvizjet e veta. E keqja është se ajo i ka bërë të gjitha lëvizjet me vonesë. Nëse do ta përgjithësoja dhe me qeverinë, biem dakord që në fillim se na duhet një Bankë Shqipërie dhe një qeveri dhe institucione të tjera, që më së paku dinë të parashikojnë një situatë. Analizën se çfarë ndodhi le të na e lënë ne njerëzve të thjeshtë, publikut. Një Bankë Shqipërie që di të parashikojë ngjarjet një vit përpara, sepse nëse ata na bëjnë analizën historike, s’na duhen asnjë gjë. Parashikimi është për t’i paraprirë ngjarjes. Kjo detyrë është akoma më e thellë për Bankën e Shqipërisë, sepse qeveria mund të ndalojë, u mbyllën, u hapën portat, mirë është që t’i dinte më përpara, por dhe kur i di në kohë prapë ka një veprim, por shumica e veprimeve të BSH-së janë veprime që i kanë efektet pas gjashtë muajsh ose pas një viti. Nëse ajo nuk vepron në kohë, nëse nuk parashikon në kohë, praktikisht ekonomia ballafaqohet me efektet negative. Kjo ka qenë e meta kryesore e BSH-së, sepse jo se nuk ka vepruar, por më shumë i është përshtatur situatës. Ose kur ka gjëmuar e ka dëgjuar dhe ajo, po atëherë kjo gjë vlen për kritikë.
Kriza ekonomisë greke po duket shqetësuese dhe çdo ditë po shfaq kërcënim për Eurozonën. Por duket pasur parasysh se shumë banka në Tiranë janë filiale të bankave greke, sa rrezikojnë nga kjo krizë paratë e shqiptarëve? A duhet të merren masa nga BSH në mbrojte të bankave shqiptare?
Analizën e krizës së sistemit financiar grek duhet ta bëjmë në funksion të Shqipërisë. Çështja e dytë është që nuk mendoj se pasojat do të jenë fatale ose me goditje të madhe për Shqipërinë. Duke thënë këtë natyrisht se çdo neglizhencë ka pasoja dhe ne folëm për pasojat dhe në këtë mënyrë themi se BSH nuk duhet ta neglizhojë. Bankat greke kanë një rol modest në ekonominë shqiptare, nuk zënë shumicën e tregut, zënë 20-25 për qind të tregut. Janë 4 banka, s’janë pak, por s’janë të mëdha. BSH ka shumë detyra. Nuk duhet të presë se çfarë veprimesh duhet të bëjë Banka e Greqisë ndaj bankave greke. Ajo duhet të shohë fillimisht në bankat e Greqisë nëse kanë bonde dhe letra me vlerë të blera nga qeveria apo institucionet greke për arsye se ato do të rivlerësohen dhe bankat mund të goditen nga kjo. Së dyti, mund të shohin nëse bankat greke mëma mund të kenë sjellë para në filialet e tyre në Shqipëri për të kredituar ekonominë, apo sistemin apo buxhetin e Shqipërisë. Nëse do të ketë, duhet të parashikohet si do të jetë viti 2010. Pra duhet të komunikojë me ato banka për të parë efektet, nëse ato kanë ndërmend që të tërheqin një pjesë të valutës që kanë sjellë në Shqipëri, kjo do të thotë se do të ketë më pak para në sistemin financiar shqiptar. Kështu që BSH duhet të bëjë llogaritë e veta në këtë drejtim. Po kështu duhet të shohë emigrantët nga këndvështrimi se ekonomia greke i ka hapësirat të ngushtuara tashmë. BE-ja dhe BQE-ja thanë se do të mbështesim Greqinë, por s’ka ndonjë sqarim përtej kësaj mbështetje. Ajo që duket është se do të tkurren shpenzimet, do të rriten taksat dhe kjo do të sjellë pasoja tek emigrantët e punësuar. Duhet marrë e mirëqenë që do ketë efektin e drejtpërdrejte në aspektin e dërgesave që vijnë në Shqipëri. Përveç kësaj do ketë shumë më pak mundësi për investime dhe nga grekët, që ne i kemi partnerë kryesorë. Ajo që ndoshta vlen për të parë, këtë do bëjë dhe Eurozona dhe BE, nëse rasti grek për analogji është Spanja, Italia për fatin tonë të keq, Portugalia etj. Pra kjo është çështja, që sëmundja të mos përhapet më tej. Shqipëria duhet ta marrë rastin grek edhe si shembull për çështjen e shifrave, sepse dhe këtu gënjehet me shifrat, sepse deficiti dhe borxhi janë më të rritura se ç’janë raportuar. Shqipërisë mund t’i ndikojë në borxhin e jashtëm që do të marrë.
Ka kritika nga biznesi se BSH nuk reagoi në kohë për të ulur normën e interesit, a duhet të ishte bërë kjo, kur dhe çfarë pasojash solli mosveprimi i BSH-së?
Duhet të ishte ulur në mënyrë drastike në muajin nëntor apo dhjetor 2008, por dhe kur u ul në qershor u ul vetëm 0.5 për qind, thuajse pa asnjë efekt, përveç propagandës. Ulja e parë s’pati asnjë efekt. Në kohë krize duhen ulje drastike, në mënyrë që të ketë efekte zero, përkundrazi në vend që të uleshin, u rritën normat e interesit. Në teori quhet dështim total i politikave monetare, kur banka qendrore ul normën e interesit dhe bankat e tjera e rrisin. Por ky nuk është dështim i BSH-së, është efekt i krizës. Por ama nuk arriti asgjë. Janë tërhequr nga sistemi bankar, supozojmë 10 për qind të depozitave, nëse Banka e Shqipërisë do të kishte vepruar në kohë dhe ta kishte rritur sigurimin e depozitave që në muajt shtator-tetor 2008, shumë më pak do të kishte tërheqje. Ky ligj hyri në fuqi vetëm nga muaji prill 2009, kur s’kishte më vlerë. Nga një studim që kam bërë është 30 miliardë lekë humbje nga mosveprimi, injorimi i krizës, për të mos parandaluar efektet e saj në Shqipëri.
Kursi i këmbimit, zhvlerësimi i lekut është një tjetër problem, si duhet të reagonte në këtë rast BSH?
Nuk është kursi në vetvete që po ndryshon, është ekonomia keq. Është efekt i drejtpërdrejtë i kursit të këmbimit. Është sëmurë ekonomia dhe e tregon termometri. Kursi i këmbimit është termometri që tregon temperaturën, por tregon temperaturën e trupit, as më pak as më shumë, pra organizmi është i sëmurë. Ne mund ta ulim, por nuk fitojmë gjë duhet të lënë siç është. Kursi do të jepte efekte më të mëdha nëse nuk do të binin importet. Kanë rënë importet dhe ka balancuar deri diku kursin. Edhe kredidhënia në valutë, ka ndihmuar deri diku mbajtjen e kursit, por kjo kredi është një tjetër histori, sepse është marrë një kredi me 14 për qind jashtë kushteve të tregut. Edhe për individin, kjo është një spekulim i bankave, sepse po shfrytëzojnë monopolin që kanë dhe po duan t’ia hedhin krizën individin. Këtu është sërish e domosdoshme veprimi i BSH-së, sepse nuk duhet ta kishte lënë në harresë dhe të dalë në mbrojtje të klientëve. Sepse detyra e BSH-së është që të mbrojë sistemin bankar, por të mos lejojë të shfrytëzohen klientët, sepse është një bankë publike.