E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inspektorati prish tendën për të zbuluar “mëkatet” e bashkisë



Shkatërrimi i një tende në ditën e Shën Valentinit do të nxirrte zbuluar mëkatet e ndërtimit të Bashkisë së Tiranës. Bëhet fjalë për një nga zonat më të kamura të kryeqytetit e njëkohësisht për disa nga shtëpitë më të dëmtuara e të pabanueshme që ekzistojnë në Tiranë. Inspektorati Ndërtimor i Bashkisë vendosi dje që të prishte pa paralajmërim dhe pa treguar urdhrin e ekzekutimit një lavazh në afërsi të stadiumit “Dinamo”, ndonëse vetëm pak kohë më parë bashkia nuk i kishte dhënë leje për tendën pronarëve të lavazhit, pasi sipas saj, nuk ekzistonin procedura të tilla.

“Është absurde, - thonë për “standard” pronarët e lavazhit, - prej fillimit i kishim kërkuar bashkisë leje për këtë tendë dhe na thanë që nuk kishte procedura për të na dhënë lejen dhe se mund të vazhdonim punën normalisht. Ne paguajmë taksa në shtet si çdo biznes tjetër, kërkuam edhe lejen për një tendë dhe nuk na i dhanë dhe tani po na prishin gjithë biznesin tonë. Prishja duket qartë që është selektive, sepse tenda të tilla gjen në gjithë Tiranën, akoma edhe në ballkonet e shtëpive.”.

Por, kjo tendë nuk ishte thjesht një biznes, ajo fshihte pas një kaos urban. Prej vitesh pesë familje janë të detyruara të jetojnë në “shtëpi-kasolle”, me muret gati për të rënë dhe në një lagështirë që sa herë bie shi, i bën të sëmuren. Nuk është një histori varfërie si ato që shpeshherë pushtojnë faqet e para të gazetave, por historia e pesë familjeve që jetojnë në një nga zonat më të kamura të kryeqytetit shqiptar. Ata jetojnë në shtëpi të vjetra, me çati gati të rrënuara dhe me mure të shkatërruar nga vitet, e gjithë kjo sepse Bashkia e Tiranës nuk i lejon që të përdorin pronën e vet.

“Kjo tendë fshihte masakrën në të cilën jetojmë”, – thonë banorët e këtyre shtëpive. “Sa herë që këtu bie ndopak shi, ne gjendemi përpara shkatërrimit. Çdo natë kemi frikë se mos nuk zgjohemi gjallë në mëngjes, se mos na bie çatia në kokë, ndoshta këtë pret edhe bashkia, edhe këta (inspektorët e ndërtimit) që të na lënë rehat”.

Prej vitesh ata kanë lidhur kontrata me një firmë ndërtimi për të ndërtuar një pallat në shtëpitë e tyre, sikurse e parashikon edhe plani i miratuar urbanistik për zonën kur jetojnë. Por zvarritjet e njëpasnjëshme të bashkisë së kryeqytetit i kanë lënë në pritje dhe në shpresë se mos nuk shkatërrohen shtëpitë teksa ata apo fëmijët e tyre janë brenda.

“Nga bashkia ç’të presim, shihni si po shkatërrojnë edhe këtë tendën, e jo më të na japin një leje ndërtimi që kemi bërë gjithë dokumentet, kemi ligjin me vete dhe planin urbanistik që thotë se këtu duhen bërë pallate dhe atje (në bashki) na thonë që duhet të rregullojmë çatinë deri sa të merret leja e ndërtimit”.

Ndonëse në qendër të qytetit, banorët e shtëpisë jetojnë në kushte mizerable dhe pa mundësi të zhvillojnë pronën e tyre. Shtëpia e tyre e vjetër ka filluar të rrënohet dhe çatia pritet të bjerë nga çasti në çast. E shesh herë, duke rregulluar plasmasët që kanë në vend të çatisë, ata i frikohen se mos bien së bashku me fëmijët e tyre. Familjar tregojnë se ku bie shi, ata luten që trarët e çatisë të mos i zënë brenda. E në këto kushte, kur ata kanë kërkuar prej vitesh të ndërtojnë, bashkia nuk u jep përgjigje ndonëse banorët janë në të drejtën e tyre.

“Kjo policia bashkiake që vjen me vrap për të prishur një tendë të ligjshme, nuk i shohim asnjëherë të vijnë për këto shtëpitë tona, që edhe instituti i shëndetit i ka nxjerrë të pabanueshme” – thonë banorët.

Ata kanë mbështetjen edhe të planit rregullues të qytetit që u njeh të drejtën të ndërtojnë në tokën e tyre. Paradoksi qëndron në faktin se pavarësisht se kanë një pronë në qendër të qytetit me mundësi zhvillimi, jetojnë në kushte të vështira dhe të rrezikshme, sepse bashkia mendon ndryshe. Përgjigja e Bashkisë së Tiranës ndaj tyre ka qenë: “Rregulloni çatinë”, ndonëse ata janë në të drejtën e ligjit për të vepruar me pronën e tyre.

“Nuk e kuptojmë bashkinë dhe përgjigjen e saj se çfarë problemi kanë që të ndërtojmë një pallat. Ne nuk kemi para për çatinë, s`kemi ç`të bëjmë” – thotë një tjetër banor.

Në këto ditë me shi, familjen e gjen më shumë jashtë se brenda mureve të shtëpisë, sepse siç na thonë, “nuk i dihet se ç’mund të ndodhë”. Rreth shtëpisë së tyre, banorët e tjerë kanë ndërtuar banesa të mëdha, por kjo e drejtë iu është refuzuar këtyre familjeve, që për më tej, prej vitesh sheh si se po iu rrënohen shtëpitë e vjetra. Muret anësore janë rrëzuar, muret brenda janë thuajse të kalbura dhe suvaja ka rënë, çatia është mbuluar me plasmas që uji të mos hyjë poshtë, ndërsa trarët e saj kërcasin duke paralajmëruar shembjen e çatisë dhe të ndonjë tragjedie të paralajmëruar.

“Jemi bërë më keq se ata në Haiti, nuk di më ç’të bëj” – na thotë amvisa e shtëpisë. “Jo vetëm që s’po na ndihmojnë të bëjmë diçka, por na pengojnë. Këto vetëm shtëpi nuk janë se ne po dëgjojmë çfarë bëjnë komshiut se muret janë shkatërruar. Dëgjon vajza ime çdo gjë që bëhet në shtëpinë në krah dhe po rritet në terror nga kjo gjë”. Njësia bashkiake ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme nga ana e bashkisë përpara se të ndodhë ndonjë tragjedi, por ndoshta vetëm një tragjedi mund të vendoste në lëvizje institucionet e ngadalta si bashkia e kryeqytetit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›