E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjurmët e krizës

Fitimi i ndërmarrjes Fungo FF nga Dardana ka rënë gati përgjysmë gjatë vitit 2009 krahasuar me vitin paraprak. Kjo ndërmarrje, e cila kryesisht eksporton kërpudha në vendet e Evropës, po përballet me vështirësi.

Ndikimi i krizës financiare, për pronarin e saj Fatmir Krasniqi, ka lënë gjurmë dhe pasoja. Pos rënies se çmimeve në shtetet evropiane, eksportuesit thonë se vërehet, gjithashtu, rënie drastike e kërkesave nga ana e tyre.

Ndryshe nga herët e kaluara, kur ndërmarrja “Fungo FF” kishte probleme me përmbushjen kërkesave, gjatë vitit 2009, e posaçërisht këtë fillim viti, problemet janë shfaqur me gjetjen e blerësve. Vetëm gjashtëmujorin e parë të vitit të kaluar kjo ndërmarrje ka shitur 60 tonë kërpudha për Itali, prej nga ka realizuar 300 mijë euro. Në total ka eksportuar mbi 80 tonë kërpudha. Fatkeqësisht problemet me krizën nuk kanë lejuar që të realizohen ambiciet e ndërmarrjes për dyfishimin e fitimit.

“Krizën e kam vërejtur në rënien e kërkesës nga ana e shteteve ku eksportoj. Për shkak të krizës, çmimet kanë rënë dhe fitimi ka qenë më i vogël ”, ka thënë Krasniqi.

Ndryshe të dhënat nga Enti i Statistikave të Kosovës flasin për rënie të eksportit prej 18.1 për qind gjatë vitit 2009, krahasuar me atë 2008. Drejtori për ekonomi në ESK, Ilir Berisha, pati thënë se kriza financiare ka ndikuar negativisht në bilancin tregtar të Kosovës.

Veç kësaj, eksportuesit përmendin edhe probleme të tjera siç është mosnjohja e shtetit të Kosovës nga të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian, duke u shkaktuar atyre shumë telashe gjatë tregtimit të mallrave.

Krasniqi thotë se prej shpalljes se pavarësisë, në kohën kur Serbia mbylli kufirin për eksportuesit kosovarë, dëmet nga transporti janë të mëdha. Si alternativë për t’i dërguar kërpudhat deri në Itali, ai tani shfrytëzon rrugën për Mal të Zi, që është rrugë më e gjatë dhe më e shtrenjtë.

“Për Serbi transporti kushtonte 1600 euro, ndërsa tash për Mal të Zi, 2300 euro. Gjithashtu ndonjëherë problemet me dokumentacion na shkaktojnë vonesa, kur i bie kamionit të presë disa ditë”, pohon Krasniqi.

Krizën fuqishëm e ka ndjerë edhe gjiganti metalurgjik “Trepça”. Kjo ndërmarrje po pret muajin mars që të nisë një valë të re të eksporteve, duke shpresuar se do të stabilizohen çmimet e metaleve në tregjet ndërkombëtare. Gjatë vitit 2009, Trepça ka eksportuar 16.289 mijë tonë produkte dhe ka realizuar fitim prej afër 10 milionë dollarësh, që krahasuar me vitin 2008 është shumë më pak, kur ishte mbi 4.5 milionë dollarë.

Ndonëse eksporti i Trepçës gjatë vitit 2009 ishte më i madh krahasuar me vitin paraprak, fitimi ishte më i vogël. Kjo gjë nga menaxhmenti shpjegohet me rënien e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

“Trepça kryesisht eksporton në mënyrë ciklike, apo hove hove. Arsyet pse së fundi ka rënë eksporti, është për shkak se kanë rënë çmimet në tregjet ndërkombëtare”, ka thënë Bislim Muçaj, zëdhënës në ndërmarrjen “Trepça”.
Fatkeqësisht edhe muajt e parë të këtij viti ka rënie të çmimit të metaleve, çka ka shtyrë menaxhmentin të presë muajin mars për të eksportuar, pasi pritet që deri atëherë të stabilizohen çmimet.

“Në këto luhatje është me rëndësi se prodhimi nuk është ndalur. Sapo të fillojë stabilizimi i çmimit, do të fillojmë me eksporte”, ka thënë, Muçaj.
Gjithashtu në eksportin e Kosovës, përbërje të lartë kanë mbeturinat e hekurit që mblidhen në tërë Kosovën. Eksportuesit thonë se kur kanë rënë çmimet e metaleve, këto mbeturina nuk janë eksportuar, duke ndikuar kështu në rënien e eksportit.

Kriza godet eksportin dhe importin

Sipas Entit të Statistikave të Kosovës (ESK), në vitin që e lamë pas, kriza ekonomike ka ndikuar negativisht edhe në bilancin tregtar të Kosovës. Rënia e importit ka qenë 1.5 për qind krahasuar me vitin 2008, ndërsa eksporti ka shënuar rënie 18.1 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›