E Diel, 1 Nëntor 2026

BSH i shet valutë qeverisë, nuk ndërhyn në treg

Ndërhyrjet

Banka e Shqipërisë i ka shitur valutë me vlerë të përgjithshme 3.1 miliardë lekë Ministrisë së Financave gjatë muajit dhjetor, por ka ruajtur asnjanësinë në tregun e hapur valutor, ku as nuk ka shitur dhe as nuk ka blerë valutë. Lajmi bëhet i ditur nga një deklaratë periodike për ndërhyrjet në tregun e parasë, që publikohet çdo tre muaj.

“Në tremujorin e katërt të vitit 2009, Banka e Shqipërisë nuk ka ndërhyrë në tregun e brendshëm valutor dhe nuk ka kryer veprime me bankat e nivelit të dytë”, thuhet në deklaratë. Ndërkohë, BSH-ja duket se ka përdorur rezervën valutore ndërkombëtare të vendit për t’i shitur qeverisë valutë. “Gjatë kësaj periudhe kanë vijuar të realizohen veprime të shitjes dhe të blerjes së valutës me Ministrinë e Financave. Kështu, shitjet me Ministrinë e Financave gjatë tremujorit të katërt llogariten në 3.09 miliardë lekë. Vëllimi i blerjeve me Ministrinë e Financave për këtë periudhë ishte 0.48 miliardë lekë”, vijon më tej deklarata.

BSH-ja ka shitur për herë të fundit valutë në treg në mbrojtje të monedhës kombëtare më 5 qershor 2009, por pas kësaj hoqi dorë nga mbrojtja e vlerës së lekut dhe në raportet e saj filloi të përdorë termin “zhvlerësim,” në vend të termit të zakonshëm “nënçmim”, kur komentonte për ecurinë e lekut. Sipas fjalorit të BSH-së, termi “nënçmim” përdoret për të shpjeguar ecurinë normale të lekut bazuar në kërkesë-ofertën. Ndërsa termi “zhvlerësim” nënkupton politikë monetare zhvlerësuese. Zyrtarisht BSH-ja nuk e ka komentuar arsyen e ndryshimit të terminologjisë.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›