E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Takut, policia rishqyrton provat

Uniformat blu i kthehen analizës së vendit të ngjarjes për të shkuar tek autori

Policia nuk ka asnjë të dyshuar për ekzekutimin e Spartak Canajt, 35-vjeçarit nga Yzberishti. Specialistët e sektorit të vrasjeve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë po marrin edhe njëherë në shqyrtim të gjitha provat e mbledhura në vendngjarje duke dashur të gjejnë ndonjë gjurmë që do t’i çojë te vrasësi. Burime policore thanë për “Shqip” se është shumë e vështirë të zbulohen autorët e vrasjeve me paramendim, kur dihet se ata e llogarisin saktë vendin dhe momentin e pritës. Rasti i atentatit ndaj Canajt është një prej ngjarjeve që me shumë gjasë do të vonojë të ketë një emër autori. Megjithatë, uniformat blu nuk i kanë humbur shpresat për të shkuar deri te vrasësi edhe pse deponimet e dëshmitarëve okularë nuk u kanë ardhur në ndihmë me informacionin e dhënë. Ata besojnë se me rishqyrtimin e provave në vendngjarje do të arrijnë të zbardhin ngjarjen që i ngjan një ekzekutimi mafioz apo hakmarrjeje kulmore. Ekspertët kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale katër gëzhoja pistolete, ndërsa kanë përgatitur identikitin e autorit të dyshuar bazuar në deklarimet e dëshmitarëve okularë, ku më i rëndësishëm ishte ai i vajzës që dyshohet të ketë qenë në makinë me viktimën më 30 mars 2010, rreth orës 20:30 në rrugën “Sulejman Delvina”. Vajza, sipas burimeve policore, ka qenë e tronditur dhe është marrë në pyetje disa herë dhe mendohet që ta ketë parë autorin, por dëshmia e vajzës nuk e ka identifikuar atë. Sipas të dhënave, vajza ka treguar gjatësinë e vrasësit, si dhe veshjen që mbante, pa dhënë detaje për pamjen e tij, pasi ngjarja ndodhi shumë shpejt. Ajo ka firmosur në procesverbal se autori mund të ketë qenë i gjatë rreth 175-180 centimetra, kishte veshur rroba të zeza dhe në kokë mbante kapele. Të dhëna që ndihmojnë hetimin janë edhe verifikimet e telefonatave të Canajt ditën e ekzekutimit. Personat që kanë kontaktuar me të janë paraqitur në polici, por nuk kanë dhënë sqarime për konflikte të mundshme të 35-vjeçarit. Ata deklaruan se Taku ishte një tip i hedhur dhe kishte shumë shoqëri. Hetimet po zhvillohen në tri pista; e para ka të bëjë me një konflikt të vjetër me një ish-shokun e tij, e dyta lidhet me një çështje pronësie dhe e treta është konflikti i 35-vjeçarit për një femër. Prokuroria ka marrë në dorë tri vendime ku Canaj është dënuar nga gjykata tri herë; në vitin 1991 për veprime të pamoralshme në dëm të shoqërisë, 5 vjet më pas për plagosje, ndërsa dënimi i fundit i takon vitit 2003, për rrëmbim të mbetur në tentativë dhe kanosje.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›