E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH-ja do të rishtypë monedhën metalike shqiptare me prerje 10 lekë

Banka e Shqipërisë ka përgatitur projektin ”Për rishtypjen e monedhës metalike shqiptare me kurs ligjor, me prerje 10 lekë”. Burime nga Banka Qendrore sqarojnë se vendimi për zbatimin e këtij projekti pritet të miratohet javën e ardhshme në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Ndërkohë, BSH-ja, mbështetur në ligjin “Për Bankën e Shqipërisë”, në pikën "Për hedhjen në qarkullim të prerjeve të reja të kartëmonedhave dhe monedhave kombëtare e për tërheqjen nga qarkullimi të parasë", po vazhdon punën për tërheqjen nga qarkullimi të disa kartëmonedhave. Sipas BSH-së, nga qarkullimi do të tërhiqen kartëmonedha të prerjes 100 lekë, emetim i viteve 1993, 1994, 1996, imazhi i "Luftëtarit kombëtar"; kartëmonedha e prerjes 100 lekë, emetim i vitit 1996, imazhi i "Fan S. Nolit" dhe kartëmonedha të prerjes 200 lekë, emetim i viteve 1992,1994 dhe 1996, imazhi i "Ismail Qemalit". Tërheqja e plotë nga qarkullimi do të vazhdojë deri më 31.12.2010 dhe do të bëhet në dy faza. Ndërkohë që në fazën e parë, këto kartëmonedha do të vazhdojnë të kenë kurs ligjor, pra do të mund të përdoren si mjet pagese për likuidimin e transaksioneve tregtare dhe shërbimeve deri më datë 31.12.2008. Pas kësaj date, ato nuk mund të përdoren më për qëllimet e sipërpërmendura, duke mos u pranuar më si mjet pagese. Ndërsa në fazën e dytë, kartëmonedhat me prerjet e përcaktuara më lart, do të mblidhen për këmbim kundrejt pagesës të vlerës fillestare të emetimit me kartëmonedha dhe monedha të tjera të qarkullimit, deri në datën 31.12.2010.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›