E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha; Shteti, falje publike për persekutimin e klerikëve

Qeveria shqiptare angazhohet të përjashtojë nga taksat të gjitha bashkësitë fetare, ndërsa merr përsipër të përshpejtojë punën për rikthimin dhe kompensimin e pronave për këto bashkësi. Kjo bëhet e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar dje midis Këshillit të Ministrave dhe tri bashkësive fetare, përkatësisht, Komitetit Mysliman, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane

Kryeministri Sali Berisha e cilëson detyrim madhor të shtetit faljen publike ndaj klerikëve dhe besimtarëve shqiptarë për persekutimin që iu bë në kohën e egër të diktaturës komuniste. Madje sipas z. Berisha, marrëveshja e djeshme mes qeverisë dhe kulteve fetare në vetvete mbart detyrimin madhor të këtij shteti për t`u paraqitur një ndjesë të thellë, një falje të gjithë atyre klerikëve shqiptarë, besimtarëve shqiptarë që për besimin tek Zoti, tek e vërteta u flijuan, u sakrifikuan, por që qëndruan të pamposhtur, pasuruan altarin e martirëve të këtij kombi, me vlera që ndrisin dhe do ndrisin përjetë. Qeveria shqiptare angazhohet të përjashtojë nga taksat të gjitha bashkësitë fetare, ndërsa merr përsipër të përshpejtojë punën për rikthimin dhe kompensimin e pronave për këto bashkësi. Kjo bëhet e mundur falë marrëveshjes së nënshkruar dje midis Këshillit të Ministrave dhe tri bashkësive fetare, përkatësisht, Komitetit Mysliman, Kishës Ortodokse Autoqefale dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, e vlerësoi marrëveshjen një dokument historik dhe u zotua për zbatimin e saj dhe për hartimin e një ligji për financimin e tyre. “Marrëveshja është një dokument historik dhe dua t’ju garantoj ju, udhëheqësve më të lartë të besimeve të mëdha fetare të kombit, se do të bëj çdo përpjekje për zbatimin e saj në interesin më të mirë të vendit dhe kombit. Marrëveshja detyron qeverinë të bëjë ligjin e financimit të besimeve fetare, kjo marrëveshje do të jetë kushtetuta e besimeve”, - tha Kryeministri Berisha. Kjo marrëveshje parashikohet në nenin 10 të Kushtetutës, ajo rregullon lidhjet e ndërsjella midis qeverisë dhe komuniteteve fetare. Në projektligjin mbi fenë do të gjejmë pasqyrim të problemeve të kërkesave të bashkësive dhe grupeve të tjera fetare, ndërsa marrëveshja detyron qeverinë të kthejë të 180 objektet e kultit të besimeve në objekte të vizitueshme për turistët. Sipas Kryeministrit Berisha, marrëveshja e firmosur me autoritetet më të larta fetare të vendit shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet midis shtetit shqiptar dhe besimeve fetare në Shqipëri. “Është me vend për të paraqitur një ndjesë ndaj të gjithë besimtarëve shqiptarë që një regjim, që një shtet me një akt të paprecedent në këtë shkallë në histori, jo të kombit, por të Evropës i privoi ata nga mundësia e shërbimit të fundit, i privoi ata nga mundësia e ndarjes nga familja dhe shoqëria me shërbimet që meritonin”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri shtoi se është një rast për të kërkuar ndjesë për shkatërrimin dhe barbarinë që iu bë kryeveprave të trashëgimisë fetare dhe kulturore të kombit që qëndronin realisht si margaritarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan dhe më gjerë me vlerat, lashtësinë, dëshminë, arkivin dhe gjithçka tjetër. Në të gjitha të drejtat që ka një njeri dhe që meriton t`i gëzojë, njëra është e drejta e të gjitha të drejtave, njëra është më privatja, më e pafajshmja, më themelorja, e drejta e besimit. Marrëveshja mbi "Rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella" u rikthen komuniteteve fetare statusin që kishin humbur në vitin 1967. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha, drejtues të komuniteteve fetare, kryetari i Komitetit të Kulteve, Rasim Hasanaj, si dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, dhe nga drejtuesit e Komunitetit Mysliman, Kishës Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›