E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kolombë e Magelanë

Këtë javë ka ndodhur një ngjarje tragjike, ku në bazë të saj qëndron historia e një nëne dhe fëmijës së saj 3-muajshe, të cilat të dyja së bashku humbën jetën në ujërat e liqenit të Butrintit, në përpjekje për të kaluar në mënyrë klandestine në Greqi. Nuk do të donim që në bashkëbisedimin tonë të sotëm të flasim për çështje të qarkullimit të lirë, por të raportit dhe perceptimit që shqiptarët kanë për vendin e tyre. A mendoni se ka ardhur koha që të thuhet me zë të larte se vendi ynë nuk është në fazën ku ia vlen të rrezikosh gjithçka për t’u larguar prej tij, se në këtë vend mund të jetohet me punë dhe me tregti?

Nuk jam i mendimit se sot, për të zgjidhur problemet shoqërore, ka nevojë që të rinisim të bëjmë punë edukative. Kjo është një çështje parimore. Fatin dhe të mirën e secilit e vendos vetë gjithkushi. Mua dhe ty mund të na duket se është më mirë të jetosh në Shqipëri, kurse dikujt tjetër, për arsyet dhe rrethanat e tij, i pëlqen të largohet në emigracion. Aq më tepër që nuk duhen bërë arsyetime të përgjithshme për raste konkrete. Nga ata që humbën jetën, të mjerët, kishte që ishin apo kishin qenë tashmë në emigracion, kishin ardhur për raste apo vakira të ndryshme familjare, dhe donin të riktheheshin përsëri në Greqi. Pra, nuk është çështja përherë e një emigracioni të ri, e një vale të re, por e vajtje–ardhjeve, për të cilat kanë nevojë emigrantët.

Këtu ka tre probleme të ndryshme, të cilat më vjen keq ta them, po politizohen në mënyra të papëlqyeshme. Nuk bëhet politikë me drama që në themel kanë aventurën personale. Përgjegjës në kësi rastesh është vetë individi që i hyn në sy rrezikut. Ka nevojë të hiqet mentaliteti se shteti është një “protektor” që mban përgjegjësi për fatet tona personale në çdo hap që hedhim.

Problemi i parë ka të bëjë me shkaqet e emigracionit. Ato janë shumë të thella dhe do të vazhdojnë ta orientojnë shqiptarin përtej kufijve. Puna andej paguhet më shumë. Disa kushte jetese janë sigurisht më të mira. Pastaj, fundja, një vend i huaj ka një sharm më të madh se yti, sepse është sfida e së panjohurës që të rrit adrenalinën e përballimit të së huajës. Sa shumë shqiptarë kanë dashuruar ruse, greke a sllave? Gjuha e huaj, femrat dhe meshkujt e huaj, mjedise të huaj! Kanë forcë të madhe tërheqëse. Mos harroni se popujt kanë qenë gjithmonë aventurierë, Uliksi, Kolombi, Magelani etj., fshehin dëshirën njerëzore për të ikur, një forcë misterioze që i shtyn njerëzit drejt së panjohurës. Kështu e trajtoj këtë çështje te libri “Rrota e mundimit”. Për mua kryqëzatat, trans-humancat me bagëtitë që kanë zhvendosur njerëz e bagëti nga njeri cep në tjetrin të Ballkanit, krijimi i ngulmimeve të reja nga bota greke drejt botës romake, e kështu me radhë, nuk janë veçse procese që fshehin brenda dëshirën për të shkuar drejt së panjohurës, drejt një jete me intensitet më të madh, drejt ritmeve më të shpejta të grumbullimit të parasë, arit, sendeve me vlerë. Çfarë janë ata që shkonin gjithnjë e më thellë, me rrezik jete, drejt Perëndimit të largët në Amerikë, drejt kapjes së tokave të reja, drejt kërkimit të arit? Janë emigrantë.

Kjo është historia. Popujt lëvizin. Lëvizin edhe për shkaqe kulturore. I ikin baltës, shkojnë atje ku ka më shumë mundësi për kulturë. I thërret sharmi i imazheve që krijon televizioni në darkë, i parë nga të rinjtë e zonave rurale thellë fushave apo maleve. Nga të dhënat e mia personale që i kam shumë të sakta e të verifikuara, dy në tre të rinj shqiptarë kanë dëshirë të fshehur për të emigruar. Nuk është çështje thjesht varfërie kjo. Kush e shpjegon emigrimin vetëm me shkaqe ekonomike, apo thjesht nga varfëria, gabohet rëndë, është ende nën ndikimin e avujve të një ideologjie të shkuar izolacioniste. Emigrojnë edhe të pasurit, sepse emigrojnë kapitalet e tyre. Ndonjëherë njerëzit emigrojnë nga zonat rurale ku janë më të qetë e të pasur drejt qendrave urbane, ku i pret rruga apo fabrika e tymosur, stigmatizimi, por thirrja e qytetit është si ajo e sirenave nga ishulli, është një tundim i fortë. Kafenetë, kinematë, bulevardet, veturat, jeta e dendur në banesa kolektive, kryqëzimi me të huajin. Kjo është historia e Evropës. Braktisje e zonave të vetmuara rurale. Doni që populli ynë të veprojë ndryshe? Nuk ka gjasa.

Fundja, jeta një herë jetohet. Niçja thotë se ajo është heroike nëse jetohet si sfidë. Ka periudha kur popujt duan qetësi dhe rehati, rrinë pranë zjarrit, lidhur me peizazhet e fëmijërisë, por ka periudha pastaj kur ata i kap ankthi i nomadizmit që nuk përmbahet. Duhet të lodhen që të ndalen. Ekuilibri rivendoset.

Kjo është Evropa e popujve që lëvizin. Ikin dhe vijnë. Por, ne jemi një shoqëri që nuk e pranojmë kollaj multikulturalizmin, ndonëse kombi duket se ka më shumë energji sesa mund të përmbajë brenda vetes. Një gjë krejt normale për periudha të ndryshme. Çfarë të bëjmë? T’i themi Uliksit, Kolombit, atyre që shkojnë drejt “far west”–it, mos ikni drejt aventurës? Nuk besoj se ka kuptim. Kush të dëgjon? Njeriu nuk është qenie vegjetative, bimë e ngulur në një tokë, është qenie që ecën, lëviz, zhvendoset.

Problemi i dytë ka të bëjë me sqarimin se deri ku është përgjegjësia e shtetit. A ka mundësi që shteti t’i vërë kujtdo një polic nga pas a një polumbar për ta shpëtuar nëse ai dëshiron të rrezikojë jetën e vet, duke u nisur me një varkë të mjeruar në ndonjë natë të errët nga brigje të humbura? Nuk ka shtet që mund ta realizojë këtë mbrojtje. Patjetër që shteti duhet të luajë një rol protektori të jetëve njerëzore. Po atje ku duhet ama! Për shembull, kur shoh kanale të hapura mes rrugëve ku mund të gremisesh orë e çast, pyes: A ka shtet apo jo? Unë dua që shteti të më mbrojë nga vjedhësit, nga sëmundjet e ndryshme, nga aksidentet, nga ndotja, sepse ende nuk më mbron, më ka lënë të ekspozuar si qytetar ndaj së keqes, por jo të më mbrojë nga aventurat e mija ku për rrezikun që marr në sy e mbaj vetë përgjegjësinë.

Problemi i tretë, ka të bëjë me operacionet e shpëtimit, nëse janë të mundshme, ku shteti pasi njoftohet për dramën duhet të ndërmarrë. Mesa di këtu nuk është rasti për ta marrë në shqyrtim, sepse nuk ka pasur sinjale.

Pra, ndonëse fushata elektorale po afron, nuk ka vend që të bëhen debate e të gjenden përgjegjësi partiake për fakte afatgjata, e me rrënjë të thella, të natyrave të ndryshme, edhe psikologjike, sikurse është emigracioni.

Ka parti që mund t’i thotë Kristofor Kolombit apo Magelanit, apo prindit të Obamës: Mos u nis drejt deteve të largëta a të afërta, por ngulu si pensionist pranë zjarrit në shtëpi? Do të kishte qenë një thirrje fatkeqe.

Emigracioni, pastaj, thërret emigracionin. Ka shqiptarë që tani kanë familje, miq, të dashura e të dashur në emigracion, kanë fëmijë, a prindër, si t’iu themi: Mos shkoni atje? Bota e sotme është bota e emigrantëve. Emigrantët po bëhen gati të kapin fronet e pushteteve më të fuqishme të botës.

Në një konferencë të organizuar në vendin tonë me pjesëmarrjen e investitorëve gjermanë, këta të fundit kanë ngritur si problemin bazë dhe të vetmin që shpjegon mungesën e investimeve gjermane në Shqipëri çështjen ende të pazgjidhur të pronësisë mbi tokën. A është e moralshme që qytetarët shqiptarë të të gjitha kategorive të vazhdojnë të penalizohen vetëm për shkak të frikës së krijuar gjatë viteve të diktaturës ndaj kulakëve dhe latifondistëve?

E kam thënë edhe herë tjetër. Nuk ka gjë më të keqe sesa të politizohet problemi i pronësisë mbi tokën. Interesa për t’u njohur pronësia e vjetër e tokës nuk kanë vetëm ish-latifondistët, por edhe ish-pronarët e një cope të vogël toke apo trualli. E kam sqaruar edhe në librin tim “Shoqëria periferike”. Janë mijëra e dhjetëra-mijëra fëmijë ish-pronarësh tokash, të vegjël e të mesëm, që mund të thonë: Na ktheni tokat e familjes! Këta nuk janë vetëm me origjinë kulake, por midis tyre ka në shumicë edhe ish-njerëz që vijnë nga familje të integruara normalisht në shoqërinë moniste. Pra, problemi i pronësisë mbi tokën i kapërcen dukshëm ndarjet politike të sotme. Aq më shumë sot kur pasuritë marramendëse vihen në qendrat urbane, të kesh frikë se mos rikthimi te pronësia e vjetër mbi tokën mund të krijojë ndarje e çarje të thella pasurore në shoqëri – duket absurditet.

Por, as që behet fjalë të vihet në diskutim ligji 7501, e keqja u bë, ajo është e pariparueshme tani. Prodhon padrejtësi. Mbi të gjitha ishte një padrejtësi që iu bë popullsive veriore nga ana e Jugut, që i bë popullsive malore nga fusharakët. Kjo është historia e Mesdheut. Grindjet e malësorit me fusharakun. Privatizoni pronat e katundit! Ne marrim tokat e mira, ju merrni shkrepat e rrëpirat. Mos kështu! Pastaj, si reaksion krejt legjitim vetëmbrojtjeje, kemi zbritjen e popullsive në qytete dhe zënien klandestine të tokave dhe trojeve. Për mendimin tim zënia ilegale e tokave, pra krijimi i zonave informale, është përgjigje masive ndaj një padrejtësie paraardhëse që ishte ligji 7501, e keqja që nuk zhbëhet më. Kemi një përgjigje të padrejtë dhënë ndaj një padrejtësie paraprake. Ju pronësuat tokat më të mira, në hapësira ku nuk ishit veçse përdorues dhe jo pronarë të tokave? Atëherë ne zëmë tokat të tjera me forcë, sepse nuk kemi ku jetojmë.

Shoqëria shqiptare është e mbështetur në origjinë, sikurse çdo shoqëri tjetër, mbi padrejtësinë.

Në fillim padrejtësia bëhet, pastaj ajo ligjërohet, harrohet, dhe pas dy a tri brezash, gjithçka përmbyllet në terr. Mos është historia e pronës private, shpesh, një grabitje ku i forti, me dhunë, ushtri, ligj, manipulim, mashtrim, kërcënime, rrëmujë, në kohë të vështira, iu ka rrëmbyer të tjerëve atë që asnjë drejtësi nuk kishte për t’ia dhënë? Në shumë e shumë raste në histori kështu ka qenë sigurisht. Kështu është edhe tani. Padrejtësi e shprehur dhe e mbrojtur me ligj. Kjo ka tronditur të gjitha themelet morale dhe ligjore të shoqërisë sonë. Lexojeni po të keni kohë librin tim “Shoqëria periferike”. Atje jam edhe më i qartë.

Vëllai në fshat mori tokën, ca nga e kooperativës, ca nga e babait, kurse vëllai në qytet, ndonëse nga e njëjti baba, nuk mori gjë. Efendikoi i qytetit mori pronë e plaçkë, ish-pronari i një toke në zonat rurale lëpin gishtat e dorës bosh. Ortodoksi i qytetit e mori dyqanin, punishten, truallin në qytet, myslimani i fshatit ka ngelur me gisht në gojë. Banori i një pallati qytetas ndjen vetëm erën e vajgurit të gatimit, kurse klandestini në truall të tjetrit, ka edhe tokën, edhe banesën, por ruan edhe tokën në fshatin e origjinës. Për ca thuhet se do t’ju legalizohet grabitja që kanë bërë, kurse për dhjetëra mijëra qytetarë që banojnë pa tapi në apartamentet e blera me lekë djerse, as kujtohet njeri. Ku ka drejtësi këtu, mor zotëri? Këtu gjithçka është histori padrejtësie, vjedhjesh, grabitjesh, të ligjëruara më pas. Këtu gjithçka është mbivendosje pronash. Nuk ka kuptim që në disa zona të kërkosh që kjo të mos ndodhë, kurse në zona të tjera, informale, të premtosh legalizim.

Origjina e pronës mbi tokën në shoqërinë e re është e mbështetur në mos gjithmonë te vjedhja dhe grabitja e tokës së tjetrit, së paku tek zaptimi informal i saj, te padrejtësia, te mostrajtimi barabar ligjor i qytetarit. Kjo i shkatërroi themelet morale dhe ligjore të shoqërisë së re. Ligji dënon ndonjë vjedhës të vogël, edhe këtë kur arrin ndonjë polic ta kapi, por jo grabitësit e mëdhenj.

Ne jemi shoqëri grabitësish,

aventurierësh,

heronjsh,

zbuluesish vendesh e jetësh të reja,

mashtruesish,

utopistësh,

rendim si të marrë drejt së panjohurës,

shpikësish,

krijuesish,

dhunuesish

grumbulluesish ari,

dioniziakësh.

Jemi pra të gjithë Magelanë e Kolombë.

Uliksa të “far test”-it.

Kryqëtarë.

Shoqëri aventurierësh që dinë nga vijnë, por nuk dinë ku shkojnë.

As nuk duan ta dinë.

Folu, nuk dëgjojnë.

Ecim somnambulë rrugëve të historisë.

Bota jonë është e mbështetur në aventurën, në çalltisjen, në spontanitetin barbar, tek e drejta e më të fortit, dhe jo te vlerat e ligjit dhe të së drejtës. Kjo origjinë e jetës sonë nuk mund të ribëhet.

Shoqëria është kapur në kurth: Të ribëjë origjinën e saj duke anuluar ligjin për tokën dhe zbuar informalët? Kjo mund të sillte tronditje sociale po aq sa edhe revolucionet me armë. Të ligjërojë gjendjen e tanishme? Qesharake. Kësaj do t’i thoshim: Legjitimim i së paligjshmes. Kjo është kontradikta themelore e shoqërisë sonë që shpjegon gjithçka në shumë fusha.

E gjitha kjo nuk kthehet më pas. Ka vetëm një zgjidhje. Atje ku toka ose pasuritë e paluajtshme mbi të janë ende të lira t’iu kthehen menjëherë ish-pronarëve të tyre. Për rastet, kur mbi këtë pasuri është vënë dorë nga të tjerë: Të kuotohet vlera financiare e tokës dhe e pasurive të paluajtshme mbi të. Të shprehet kjo në mjete financiare virtuale që t’iu jepen ish-pronarëve. Privatizimet që bën shteti të hapen fuqishëm, sinqerisht, drejt aksioneve masive, ku të privilegjohen ata që janë dëmtuar në pronat e tyre mbi tokën dhe kështu të bëhet konvertimi i butë dhe i drejtë i tyre nga ish-pronarë trojesh a tokash bujqësore në sipërmarrës financiarë në sipërmarrje të reja.

Zgjidhje tjetër nuk ka.

Kjo që propozoj më lart mund ta rivendosë disi situatën dhe ta qetësojë tregun e tokës, pra edhe ata sipërmarrësit gjermanë për të cilët ju flisni. Edhe ata magelanë e kolombë kanë qenë në origjinat e historisë së tyre. Por, kjo zgjidhje gjen rezistencë nga pronarët dhe pasunarët e rinj, ku hyjnë edhe deputetët. Kjo është shoqëria jonë. E bazuar jo në luftën e klasave, sepse ky term është i damkosur dhe duhet zmbrapsur. E bazuar në konfliktin midis grupeve shoqërore, midis pasunarëve të rinj dhe ish-pronarëve të dikurshëm, që kanë një bazë shumë të gjerë sociale. Kjo kontradiktë sociale nuk përputhet fare me ndarjet e sotme politike, prandaj edhe shoqëria dridhet e tëra dhe nuk e gjen veten te politika, edhe politika ka mbetur pa identitet. Në çdo parti ka edhe pasunarë të rinj edhe ish-pronarë të dikurshëm.

Ministri i Arsimit, Beja, ka theksuar mbështetjen e qeverisë për arsimin e lartë jopublik. Në opinionin tuaj, a është e domosdoshme që në këtë fazë të bëhet akreditimi i universiteteve të të gjitha llojeve, publik dhe jopublik, në një proces që pak më parë e ka kaluar edhe Kosova?

Kam folur dy javë më parë shumë gjatë për këtë çështje dhe nuk kam vend këtu për t’i rikthyer asaj. Diçka e deklaroj: zgjidhja që iu dha në Kosovë këtij problemi është më e keqja e mundshme dhe ne nuk duhet në asnjë mënyrë ta ndjekim atë shembull. Arsimi është emancipim. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se cilësia e tij është në përputhje me kulturën e kombit dhe me gjendjen pararendëse të arsimimit të tij. Unë jam i sigurt se po të vijnë agjenci të huaja me kritere perëndimore për të monitoruar institucionet tona, do t’i mbyllnin pothuajse të gjitha spitalet, bashkitë, ambulancat, stadiumet, restorantet, hotelet, kopshtet e kalamajve, dikasteret, universitetet, partitë, gjithçka. Le të mbyllin atëherë edhe Universitetin e Prishtinës. Jo. Nuk është kjo rruga që duhet ndjekur. Se çfarë duhet bërë, po të më pyesni javën tjetër, jua them, por ajo që u ndoq si rrugë në Kosovë nuk ka asnjë logjikë.

Për më tepër shih: www.artanfuga.com

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›