E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, anijet e peshkimit diskriminohen nga kapiteneria, pa vend akostimi

Dhjetëra motopeshkatore të sektorit të peshkimit në Durrës po përballen me pamundësinë për gjetjen e një vendi të përhershëm për akostimin e tyre. Në ditët me kohë të keqe dhe kur pronarët e anijeve nuk dalin në det, qëndrimi i tyre në kalatën e peshkimit është bërë gjithmonë e më i vështirë. Incidentet e njëpasnjëshme që kanë ndodhur për shkak të kohës së keqe dhe përplasjes së trageteve me këto anije, kanë bërë që kohët e fundit flota e peshkimit të shpërndahet në disa vende të ndryshme të portit. Kështu, një pjesë u futën në territorin e kantierit detar, një pjesë në kalata të ndryshme, tek kalata zero dhe kalata nr 4, por shumë shpejt kapiteneria e portit i largoi që andej. Pronarët e anijeve kanë reaguar duke kërkuar nga Autoriteti Portual dhe Kapiteneria që të gjendet një vend i sigurt. Në fakt, kalata aktuale e peshkimit është bërë problem për motopeshkatoret. Dispeçeri i peshkimit, Nevzat Kanina shprehet se këtu shumë anije janë në riparim dhe qëndrojnë vazhdimisht në kalatë, një anije më tej (Stivens) ka pesë vjet që qëndron e mbytur dhe nuk e heq askush. Sipas tij, peshkatarët nuk dinë se ku të qëndrojnë. Flota aktuale e peshkimit në Durrës përbëhet nga rreth 90 anije në gjendje pune, ndërkohë që po kaq të tjera janë të papuna, në gjendje të amortizuar dhe që përbëjnë rrezik për mbytjen e të tjerave. Në çdo cep të kalatës së peshkimit gjen anije të mbytura që nuk janë pastruar ende. Ndërsa Fadil Kërtalli, pronar i anijes "3 Dëshmorët e Kavajës" shprehet se: "Ishim në kantierin detar, e lamë anijen aty për disa kohë dhe tani na larguan që andej. Është e drejtë e tyre, se është territor privat. Ne kërkojmë nga kapiteneria që të na lënë në një vend të sigurt, sepse ne nuk e paguajmë dot tarifën që vendos porti". Në fakt tarifat e portit të Durrësit janë 3 euro për metër linear në orë, por peshkatarët kërkojnë që të përjashtohen nga kjo taksë, me pretendimin se vetëm anijet me flamur të huaj e paguajnë një taksë të tillë.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›