E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shën Valentini në Berat, të rinjtë mbipopullojnë Kalanë

Edhe këtë vit pjesa më e madhe e qytetarëve beratas kanë festuar në Kalanë e qytetit, ditën e Shën Valentinit. Të organizuar në grupe, çifte të shumtë dhe qytetarë të moshave të ndryshme i janë drejtuar Kalasë së Beratit, ku kanë ndjekur koncertin që është dhënë për disa orë i organizuar nga  Qendra e Kulturës. Koncerti i dhënë mesditën e djeshme me regji të humoristit të mirënjohur beratas, Sejfulla Myftari, "Cekja", ka pasur të ftuar dy këngëtarët Eranda Libohova dhe Mariza Ikonomi, ndërsa kanë qenë artistë dhe këngëtarë të Beratit si Floresha Debinja, Dhimitër Dushi si dhe grupe të rinjsh të qytetit të Beratit. Edhe pse sheshi në Kalanë 2400 vjeçare ka qenë plot me qytetarë, aktiviteti ka qenë këtë radhë më i dobët se vitet e tjera. Për këtë, regjisori i këtij aktiviteti, Cekja tha se fondi i dhënë nga bashkia për këtë koncert ka qenë vetëm 1.5 milion lekë, çka e cila e ka bërë të pamundur pjesëmarrjen në të, të artistëve të tjerë të njohur shqiptarë. Ky është një nga investimet më të pakta që bashkia ka dhënë për këtë aktivitet me rastin e ditës së të dashuruarve. Edhe pse koncerti ka zgjatur disa orë, Kalaja ka qenë e mbushur për gjithë ditën edhe nga nxënës të shkollave të ndryshëm të rretheve Durrës dhe Vlorë, të cilët këtë ditë e kishin organizuar për të bërë ekskursione në Kalanë e bukur të Beratit për të parë nga afër vlerat e saj. Por përveç festimeve, në Kalanë e qytetit të Beratit ka pasur gjatë gjithë ditës dhe bllokim të rrugës nga autobusët dhe makinat e qytetarëve që kanë pritur radhën për qarkullimin dhe lirimin e rrugëve hyrëse në Kala. Sipas punonjësve të policisë rrugore, nuk ka pasur aksidente por radha e makinave ka qenë e gjatë për shkak se rruga që të çon në Kala është një kalimshe, ndërsa hyrja nga lagja Mangalem nuk është shumë e frekuentuar nga shoferët e automjeteve për faktin e vështirësisë në ngjitje. Por me gjithë problemet e hasura, qytetarët e Beratit i kanë mbushur rrugët e qytetit në këtë ditë të dashurisë. Ndërsa problem kanë pasur dhe shitjet në dyqane, ku shitësit kanë pohuar se në krahasim me vitet e kaluara shitjet e dhuratave kanë qenë në ulje dhe ka pasur një frekuentim shumë të vakët të dhuratave të shtrenjta, sidomos në argjendaritë e qytetit. Sipas shitësve, kjo vjen si shkak i krizës ekonomike që përjetojnë qytetarët këtë vit, duke qenë se frontet e punës kanë qenë me shkurtime këto muaj të parë të fillimit të vitit.

Email This Klikime: 3

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›