E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH liberalizon qarkullimin e kapitalit të bankave me jashtë

Banka e Shqipërisë çliron kufizimet e kapitalit të degëve të bankave të huaja me bankat mëmë. Banka e Shqipërisë liberalizoi ekspozimet e bankave ndaj bankave mëmë ose filialeve të tyre, në 20 për qind, nga 10 për qind që ishte më parë. Gjatë krizës financiare globale, Banka e Shqipërisë për të mbrojtur sistemin bankar në vendin tonë, forcoi rregulloret e bashkëpunimit financiar të bankave të huaja në Shqipëri me bankat mëma. Me pak fjalë nuk lejoheshin të transferoheshin me shumë se, 10 për qind e kapitalit rregullator. Në fakt, ky kufizim në qarkullimin e vlerave monetare, ndërmjet bankave në Shqipëri me vendet e origjinës së tyre, nuk kaloi pa bujë. Mirëpo në një nga mbledhjet e fundit të Këshillit të Mbikëqyrjes, është liberalizuar ky kufizim, nga 10 për qind që ishte më parë, në 20 për qind ashtu siç kishte qenë edhe në vitin 2008, në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave”. Mirëpo Këshilli i Mbikëqyrjes ka miratuar një nen të veçantë në këtë rregullore, duke lënë të hapur rrugën për kufizime të mëtejshme, nëse është nevoja. “Banka e Shqipërisë, në rastet kur e gjykon të arsyeshme, mund të caktojë kërkesa dhe norma të përkohshme më kufizuese, lidhur me ekspozimet e mëdha, të ndryshme nga ato të parashikuara në këtë rregullore. Në këto raste, Banka e Shqipërisë përcakton kohën e vlefshmërisë së zbatimit të këtyre kërkesave/normave, dhe/ose masat dhe kohën e nevojshme për vendosjen e ekspozimeve brenda këtyre kufizimeve, si dhe mënyrën e monitorimit dhe raportimit të tyre”, sqarohet në vendimin e fundit të Këshillit të Mbikëqyrjes. Është Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, që rast pas rasti urdhëron vendosjen e kërkesave dhe normave të përkohshme më kufizuese, lidhur me ekspozimet e mëdha, ndërsa lidhur me këto masa, Guvernatori informon Këshillin Mbikëqyrës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›