E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode–Fullani, marrëveshje për uljen e interesave

SHKRUAN: Blerina Hoxha 17-01-2011 11:05

Synimi për të ulur edhe më shumë normat e interesit ka çuar në një marrëveshje të re ndërmjet ministrit të Financave, Ridvan Bode dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani. Të dy krerët e financave shqiptare kanë rënë dakord të amendojnë marrëveshjen e mëparshme për emetimin e bonove të thesarit, ku ndalojnë një praktikë të bankave që tentojnë të rrisin interesin. “Në rast të paraqitjes së më shumë se 5 kërkesave nga një subjekt, përjashtohen nga ankandi kërkesat me interesin më të lartë”, thuhet në ndryshimin që i është bërë marrëveshjes ekzistuese. Kështu, me këtë ndryshim në mënyrë automatike merren në konsideratë shumatorët e interesave të ulta, duke bërë që interesi fundor i ankandeve të jetë më i ulët. Ekspertët në Bankën e Shqipërisë thanë se, ndryshimet u bënë të nevojshme për shkak se, një subjekt paraqet shumë kërkesa me interesa të ndryshme në një ankand, në mënyrë që të përfitojë një interes fundor sa më të lartë. Kështu rritja e interesit në mënyrë artificiale, që përkthehet në fitim të lartë për bankat dhe në kosto për borxhin e qeverisë, tani nuk mund të jenë të tilla, sepse Banka e Shqipërisë, sipas marrëveshjes së re, do të marrë në konsideratë vetëm interesin e ulët. Interesi i bonove të thesarit paraqet rëndësi të madhe, si për koston e borxhit të qeverisë, ashtu edhe për koston e kredive në lekë. Pasi në bazë të interesit të bonove maturohen të gjitha interesat e depozitave dhe huave në monedhën vendase. Kështu sa më e lartë të jetë normave e interesit të bonove, aq më e lartë është norma e interesave të kredive në lekë dhe e kundërta. Duhet thënë se, këtë fillimvit ka një rënie drastike të interesave të bonove të thesarit. Sipas Bankës së Shqipërisë, rënia e interesave në letrat e borxhit të qeverisë ka ardhur për dy arsye, që lidhen me kërkesën edhe ofertën. Nga njëra anë bankat kanë rritur ndjeshëm pozicionin e tyre të likuiditetit, duke rikthyer tërësisht në sistem depozitat që kishin rrjedhur përgjatë krizës dhe së dyti, qeveria ka ulur kërkesën për financimin me borxh të brendshëm të deficitit buxhetor, duke ulur kështu kërkesën për lekë në tregun vendas dhe për rrjedhojë edhe uljen e normave të interesit. Rezultatet e fundit të ankandit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie drastike të interesit, të bonove të thesarit për afatin 12-mujor, në 6.6 %, nga 6.82, që ishte në ankandin paraardhës. Ndërsa në fillim të vitit që shkoi, për bonot e të njëjtit maturim, interesi ishte 9 %. Interesi ra në këto nivele për shkak se numri i kërkesave ishte shumë më i lartë se kërkesa e qeverisë. Rezultatet e fundit të ankandit të Bankës së Shqipërisë tregojnë për një rënie drastike të interesit, të bonove të thesarit, të cilat të paktën për dy vitet e fundit kanë shënuar nivele tashmë të larta, duke rënduar edhe koston e borxhit qeveritar. Në këtë nivel, interesi konkurron edhe interesin e eurobondit, të marrë në tregun e huaj këtë vit nga qeveria, interesi i të cilit ishte 7.5 për qind në monedhën euro në momentin e emetimit. Kur në tregun bankar ekzistojnë norma të ulëta interesi, konsumatorët e kanë më të lehtë të blejnë një makinë apo një shtëpi. Blerja e një shtëpie, rrit kërkesën për mallra të tjerë si mobilie, pajisje elektrike, duke i dhënë kështu një shtysë rritjes ekonomike. Për më tepër, konsumatorët shpenzojnë më pak në kostot e interesit, duke u dhënë mundësi atyre të kenë më shumë para për të shpenzuar në mallra dhe shërbime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›