BSH miraton rregulla të reja për licencimin e bankave të huaja
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e radhës rregulloren “Për licencimin dhe ushtrimin e veprimtarisë së bankave dhe degëve të bankave të huaja në Republikën e Shqipërisë”. Rregullorja “Për dhënien e licencës për të ushtruar veprimtari bankare në Republikën e Shqipërisë” është hartuar në përputhje dhe në zbatim të dispozitave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe të ligjit “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”, si dhe duke konsideruar eksperiencat e vendeve të tjera. Një nga risitë e rëndësishme që sjell rregullorja është procesi i riorganizimit të bankës (ndarja e bashkimi), i cili trajtohet së fundmi në ligjin “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” dhe rregullorja bën përshtatjen e këtij procesi edhe për bankat që veprojnë në Shqipëri, duke përcaktuar format e ndryshme të riorganizimit të një banke, si dhe kërkesat e dokumentacionin e nevojshëm për t’u paraqitur në Bankën e Shqipërisë për shqyrtimin e kërkesës për miratim, për secilin rast në veçanti. Po kështu, rregullorja parashikon kërkesa të reja lidhur me dokumentacionin kryesisht në përshtatje të kërkesave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit” . Subjektet duhet të paraqesin sipas rregullore së re të dhëna që vërtetojnë natyrën dhe burimet financiare të mjaftueshme për fillimin dhe vazhdimësinë e biznesit, komisioni i vlefshmërisë së licencës sipas kërkesës së ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, trajtimi i miratimit të veprimtarisë shtesë dhe rasteve të miratimeve të tjera paraprake sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, rastet e detyrimeve për njoftim sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë”, si dhe kërkesa të tjera që lidhen me biznes-planin, duke e synuar këtë si një dokument efektiv për zbatim, të shoqëruar me argumentet e aplikantit për krijimin e bankës, strategjinë për të arritur suksesin, marrjen në konsideratë të kufijve të treguesve prudencialë sipas kërkesave të ligjit “Për bankat në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve të tjera normative.