Firmoset kontrata e shitjes së 76% të aksioneve të OSSH-së
OSSH kalon zyrtarisht tek kompania çeke CEZ
Privatizimi i OSSH-së do përmirësojë furnizimin me energji
Është finalizuar procesi i privatizimit të shoqërisë shqiptare të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), duke bërë kalimin zyrtar të shoqërisë tregtare tek blerësit çekë. Qeveria shqiptare firmosi dje kontratën për shitjen e 76 % të aksioneve të OSSH-së me kompaninë energjetike çeke, CEZ. Në firmosjen e kësaj kontrate ishte i pranishëm ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, përfaqësuesi i kompanisë CEZ, Vladimir Schmalz, përfaqësuesi i IFC-së, Shahbaz Mavaddat. Kompania çeke CEZ bleu kompaninë shqiptare me një vlerë prej 102 milionë eurosh, duke u shpallur fituese në tenderin e hapur ndërkombëtar. Ministri Ruli vlerësoi kapacitetet e firmës çeke, e cila garanton investimet në sektorin e energjisë, për të përmirësuar furnizimin me energji. “Gjykoj se kemi zgjedhur një investitor që jo vetëm ka garancitë financiare për të kryer investimet e nevojshme, për të përmirësuar cilësinë e shërbimit të furnizimit me energji elektrike, por mendoj se ka dhe eksperiencën dhe motivimin e duhur që reputacioni i tij të vazhdojë të jetë në të njëjtin nivel dhe në Shqipëri”, - deklaroi ministri Ruli. Ka qenë IFC, që këshilloi qeverinë në ndarjen e kompanisë, ristrukturimin e transaksionit dhe në mbarëvajtjen dhe realizimin e një procesi tenderimi të hapur, transparent dhe konkurrues. Në tetor 2008, CEZ u zgjodh si kompania fituese. Pas konsultimeve të mëtejshme, ky vendim u konfirmua nga qeveria. Vlera e kontratës është 102 milionë euro. Privatizimi i OSSH-së është një shembull konkret se si mund të realizohet një transaksion i komplikuar në mënyrë profesionale nga një qeveri e angazhuar dhe se si mund të tërhiqen investitorë seriozë, megjithëse po jetojmë në një periudhë të krizës financiare globale. “Jemi të sigurt që CEZ do të përmirësojë ndjeshëm furnizimin me energji elektrike në Shqipëri, duke përmbushur në këtë mënyrë kërkesat e klientëve”, - vuri në dukje Genc Ruli, ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjisë. “Zgjedhja e CEZ-it dhe procesi i tenderimit u zhvillua bazuar në praktikat më të mira ndërkombëtare dhe në këtë drejtim, ne jemi shumë të kënaqur me bashkëpunimin tonë me IFC-në”. Vladimir Schmalz, drejtor në CEZ, theksoi se “grupi CEZ ka një eksperiencë të gjatë dhe të madhe në ristrukturimin e kompanive të shpërndarjes në Republikën Çeke, Bullgari dhe Rumani. Ne jemi shumë të kënaqur që të ofrojmë këtë përvojë në të mirë të sektorit shqiptar të shpërndarjes së energjisë elektrike”. Ndërsa Shahbaz Mavaddat, drejtori për Departamentin e Evropës Jugore dhe Azisë Qendrore në IFC, nënvizoi se “privatizimi i OSSH-së është rezultat i përpjekjeve këshillimore për të siguruar një proces të drejtë, të hapur dhe transparent duke u mbështetur edhe në bashkëpunimin e mëparshëm konstruktiv që kemi pasur me qeverinë shqiptare. Realizimi i kontratës me CEZ është një tregues shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit si dhe rritjen e mirëqenies të shqiptarëve”. Qeveria shqiptare dhe IFC-ja kanë punuar së bashku në përmirësimin e infrastrukturës së vendit që nga viti 2006, duke filluar me përgatitjen dhe aprovimin e ligjit të ri të koncesionit. Më pas, IFC-ja ka këshilluar qeverinë për dhënien me koncesion të hidrocentralit të Ashtës, i pari në rajon që ndoqi praktikat më të mira për një proces tenderimi të hapur, konkurrues, duke trajtuar me kujdes çështjet sociale dhe mjedisore. Shërbimi Këshillimor në Infrastrukturë i IFC-së në Evropën Juglindore është pjesë e programit të përbashkët financuar nga qeveritë e Austrisë, Italisë, Holandës, Norvegjisë, Zvicrës dhe Shteteve të Bashkuara. Një pjesë e kostos së projektit u financua gjithashtu nga DEVCO, një fond shumëdonatorësh i ngritur nga IFC-ja dhe Departamenti i Mbretërisë së Bashkuar për Zhvillim Ndërkombëtar. IFC është pjesë e Grupit të Bankës Botërore, që ndihmon në përmirësimin e jetës së njerëzve dhe ul varfërinë. IFC synon zhvillim ekonomik të qëndrueshëm në vendet në zhvillim, duke mbështetur sektorin privat, mobilizuar kapitale private dhe duke ofruar shërbime këshillimore dhe shërbime për zvogëlimin e riskut për bizneset dhe qeveritë. Investimet e reja të IFC-së arrijnë shifrën 16.2 miliardë dollarë në vitin fiskal 2008, rreth 34 % më shumë sesa një vit më parë. Kompania CEZ që bleu OSSH-në në Shqipëri është një ndër kompanitë energjetike që udhëheq në Evropën Qendrore, me 7 milionë klientë dhe me një kapacitet të instaluar për prodhimin e energjisë, energjisë nukleare, nga qymyri dhe hidrocentraleve prej 14 300 MW. Grupi CEZ renditet ndër dhjetë kompanitë energjetike më të mëdha në Evropë. Përveçse në Republikën Çeke, grupi CEZ operon në më shumë së dhjetë vende të Evropës Qendrore dhe Juglindore.
USAID përshëndet privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes
USAID përshëndet privatizimin e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes. Sipas USAID, ky privatizim do të lejojë në vijim futjen e metodave moderne të menaxhimit, të cilat do të përmirësojnë furnizimin me energji elektrike për të gjithë shqiptarët, ndërkohë që do të bëjë të mundur tërheqjen e investimeve kapitale aq të nevojshme për sektorin elektroenergjetik të Shqipërisë. USAID vlerëson se furnizimi më i sigurt dhe i garantuar me energji elektrike i bizneseve do të nxisë gjithashtu rritjen ekonomike dhe investimet private, edhe pse gjendemi në një periudhë vështirësish ekonomike globale. USAID shpreh kënaqësinë që punoi me qeverinë e Shqipërisë dhe me institucionet financiare ndërkombëtare për të ndihmuar që ky privatizim të kryhej në mënyrë të suksesshme dhe efiçente.