E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat e shtetit dalin në ankand

11/03/2009  Nëse është në procedura falimentimi, shoqëria nuk ka mundësi të përfitojë nga ky projektligj

Ministria e Ekonomisë publikon kompanitë private që mund të blejnë trojet shtetërore

Trojet shtetërore, për të cilat nuk ka vendim nga Komisionet e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave mund të blihen nga kompanitë që ushtrojnë aktivitetin e tyre. Fondet do të përdoren për kompensimin e ish-pronarëve. Komisioni i Ekonomisë ka kaluar projektligjin e propozuar për disa shtesa në ligjin "Për kthimin dhe kompensimin e pronës". Për këto prona përcaktohet shitja përmes procedurës së ankandit. Ministria e Ekonomisë ka sjellë listën e subjekteve private, 97 në total, mes të cilave ka edhe shoqëri në likuidim. Sipas Mimoza Vokshit, përfaqësuese e Ministrisë së Ekonomisë ka të dhëna të shoqërive që aktualisht kryejnë aktivitet, si dhe ato që kanë qenë me bilanc negativ, ose janë në proces gjyqësor ose janë në likuidim. “Ne vazhdimisht i kontrollojmë këto shoqëri dhe bashkëpunojmë me Drejtorinë e Tatimeve dhe me QKR-n për të parë se si është situata financiare e tyre. Pra, këta nuk përfitojnë nga ky ligj. Duhet të paktën tre vjet me bilance negative që shoqëria të kalojë në likuidim”, - tha përfaqësuesja e Ministrisë së Ekonomisë. Këto sipas Vokshit do të shihen rast pas rasti dhe kriteret do të përcaktohen me vendim të Qeverisë.

Diskutimet

Deputetët ranë dakord që plotësimi i kritereve të bëhet me vendim të Këshillit të Ministrave. Nëse nuk është në falimentim shoqëria atëherë i lind e drejta që të përfitojë nga ky ndryshim i ligjit, pra për të blerë truallin shtetëror në të cilin zhvillon aktivitetin. Nëse është në procedura falimentimi, shoqëria nuk ka mundësi të përfitojë nga ky ligj. Deputeti Durim Hushi ka propozuar që në kriteret, të cilat do të përcaktohen me VKM, të kihet parasysh fakti që shoqëritë kanë paguar taksën e ndërtesës, në bazë të sipërfaqeve që kanë shfrytëzuar deri tani. “Pjesa më e madhe e shoqërive tregtare kanë paguar taksën e ndërtesës, taksën e pasurisë. Një pjesë e madhe paguan shumë më pak se sa janë sipërfaqet reale, që kanë në përdorim. Ata e kanë deklaruar sipërfaqen e domosdoshme nëpërmjet taksës së ndërtesës. Në kriteret të shkruhet edhe kjo pjesë. Në zbatim të këtij projektligji i lihet vend abuzimeve që këto shoqëri të rrisin fiktivisht sipërfaqet e tyre të domosdoshme. Që kjo do të thotë se dëmtohen edhe pronarët e tokave, të cilët kanë dokumente hipotekore”, - tha Hushi. Zonja Vokshi e gjeti me vend këtë sqarim për t’u përdorur si kriter në vendimin e ardhshëm të Këshillit të Ministrave. “Është një rekomandim mjaft i vlefshëm për ne. Nuk e kishim menduar që të shikoheshin edhe taksat e paguara për përcaktimin e sipërfaqes së domosdoshme”, - tha Vokshi.

Problematika

Sipas Vokshit, shoqëritë kanë qenë të fushave të ndryshme. “Më problematike janë shoqëritë e bujqësisë ku janë me mijëra ha që janë në përdorim. Ishte e vështirë që të përmblidheshin kriteret dhe të përgatiteshin në ligj”, - tha Vokshi. Këto shoqëri janë krijuar nga 1990 deri në 1995. Sipas Vokshit, bazë për krijimin e tyre kanë shërbyer statutet e shoqërive. Pothuajse në të gjitha parashikohet që zgjidhja e mosmarrëveshjeve bëhet me arbitrazh ndërkombëtar. “Kjo pengon futjen në bashkëpronësi të detyruar ish-pronarit, pra dhënien e pronës ish-pronarit legjitim. Të gjitha qeveritë shqiptare kanë humbur miliona para vetëm në një gjyq. Një rast e ka dënuar qeverinë shqiptare me 6 milionë dollarë. Të gjitha janë sh.p.k problematike, për sa i përket pronësisë”, - tha Vokshi. Ndërmarrjet që ushtrojnë aktivitet në Autoritetin Portual të Durrësit, sipas ligjit nuk lejohet tjetërsimi i pronës. Aktiviteti i ndërmarrjes do të rregullohet me marrëdhënie qiraje. Kjo trajtohet me ligj të veçantë, sipas Vokshit. Në këtë territor nuk ka shoqëri sh.p.k, por vetëm një sh. a, në proces privatizimi. Po privatizohen vetëm aksionet. Rekomandimi

Deputët e PD-së miratuan projektligjin, i cili do të plotësohet me këto rekomandime të reja. Në të njëjtën kohë edhe ish-pronarët janë dëmtuar, sipas deputetit Hushi, pasi këtyre nuk u është paguar qiraja për një periudhë shumë të gjatë kohe. “Ju nuk merrni parasysh dëmin e shkaktuar ish-pronarëve të këtyre trojeve mbi të cilat u ndërtuan shoqëri tregtare duke ua marrë arbitrarisht. Ish-pronarët e gëzojnë të drejtën e pronarit të vërtetë. Unë mendoj se duhet ta kishit marrë parasysh faktin që ish-pronarët të konsiderohen si bashkëpronarë”, - tha Hushi. Projektligji parashikon edhe rastin kur shoqëria refuzon të blejë tokë brenda një afati kohe të përcaktuar. Në këtë rast, toka i kthehet fizikisht subjektit të shpronësuar dhe marrëdhëniet ndërmjet tyre rregullohen sipas legjislacionit në fuqi. Projektligji është në kuadrin e nismave të herëpashershme të qeverisë për të përmbushur detyrimin ligjor për kthimin e pronave të shpronësuara dhe për kompensimin e tyre me vlerën e tregut. Me përmirësimet në këtë ligj i hapet rrugë një mundësie të re për kompensimin e ish -pronarëve.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›