E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arratiset 29-vjeçari nga mjediset e paraburgimit në Kavajë



Edmond Teferiçi ka mundur që të dalë nga komisariati dhe të largohet me vrap, duke arritur që t’i shmanget kapjes. SHKB zbarkon në komisariat

Një 29-vjeçar i shoqëruar për veprën penale të “kanosjes” i ka shpëtuar policisë dhe është arratisur nga mjediset e paraburgimit në komisariatin e Kavajës. Ngjarja ndodhi paraditen e djeshme, ndërsa është shpallur në kërkim nga policia Edmond Teferiçi, i cili po hetohej për akuzën e kanosjes. I riu kishte kërkuar që të shkonte në banjë, por ai ka përfituar nga mungesa e vëmendjes dhe është larguar me vrap. Ai ka mundur që të dalë nga komisariati dhe të largohet me vrap, duke arritur që t’i shmanget kapjes. Me gjithë mobilizimin e uniformave blu, nuk është arritur ende në kapjen e 29-vjeçarit, ndërkohë që për të hetuar në lidhje me arratisjen e Teferiçit kanë shkuar në Kavajë dhe punonjës të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm (SHKB). Ndërkohë, burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit u shprehën se kanë nisur hetimet mbi ngjarjen dhe mundësinë e implikimit të personave që punojnë në komisariat. Sipas burimeve nga policia, personi i arratisur nga mjediset e paraburgimit të Komisariatit të Policisë së Kavajës ishte shoqëruar pasditen e së martës pas një sherri të ndodhur mes disa djemsh në qytetin e Kavajës. Ai kishte kërcënuar të rinjtë dhe po hetohej nga policia për akuzën e kanosjes me vdekje.

Arratisja

Rreth orës 13:00 të ditës së djeshme, 29-vjeçari u ka kërkuar punonjësve të paraburgimit që të mund të dilte nga qelia. Duke përfituar nga një moment pakujdesie, ai është larguar me shpejtësi nga mjediset e paraburgimit dhe ka dalë në portën kryesore duke vrapuar dhe u zhdukur në drejtim të paditur. Forca të shumta policore kanë rrethuar zonën dhe janë ngritur postblloqe, por ende nuk ka asnjë gjurmë të të zhdukurit.

29-vjeçari ka arritur që të largohet, me gjithë reagimin e shpejtë të forcave të policisë, të cilat rrethuan zonën menjëherë pas marrjes së lajmit të arratisjes, gjë që tregon se ai është treguar shumë “i shpejtë” gjatë ikjes. Sipas burimeve policore, i riu ka qenë duke u marrë në pyetje para se të kërkonte të largohej për në tualetin e qelive të paraburgimit. Në Kavajë ka shkuar një ekip i SHKB-së, pasi dyshohet se i riu mund të jetë ndihmuar nga persona brenda komisariatit për t’u arratisur. Por do të jetë përfundimi i hetimit, që do të përcaktojë të vërtetën në lidhje me këtë ngjarje.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›