E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH ul me 0.5% koston e lekut, Fullani: Synojmë stimulimin e ekonomisë

TIRANE- Banka e Shqipërisë ul me 0.5 për qind normën bazë të interesit për lekun duke cuar në 5% koston e monedhës vendase. Vendimi i këshillit mbikëqyrës të bankës synon që të stimulojë ekonominë nëpërmjet nxitjes së konsumit dhe investimeve private, dy tregues që janë karakterizuar nga një ecuri e ngadaltë gjatë këtij viti, duke bërë që edhe ekonomia të rritet nën potencialet e saj.

“Ulja e normës e bazë të interesit reflekton presionet e kontrolluara inflacioniste, pritjet e ankoruara të agjentëve ekonomikë dhe një politikë fiskale më të kujdesshme gjatë periudhës së ardhshme. Lehtësimi i politikës monetare synon të krijojë kushtet monetare të përshtatshme për përmbushjen e objektivit afatmesëm të inflacionit dhe njëkohësisht të nxisë aktivitetin ekonomik nëpërmjet stimulit të konsumit dhe të investimeve në vend. Konsumi vijon të vuajë nga pasiguria e perceptuar nga familjet shqiptare, duke i shtyrë ato të rrisin normën e konsumit megjithëse të ardhurat agregate shfaqin rritje. Ecuria e investimeve private vlerësohet të ketë qenë e ngadaltë në periudhën në fjalë por ajo ruan norma pozitive në rritje”, tha Fullani.

Vendimi i bankës qendrore pritet që të reflektohet nga bankat e nivelit të dytë, me ulje të normave të interesit për kreditë dhe depozitat në lekë. Guvernatori Fullani ka vlerësuar gjendjen e mirë të sistemit bankar, si dhe mundësitë për rritjen e mëtejshme të kreditimit.

“Sektori bankar ruan ritme të qëndrueshme të rritjes së të ardhurave neto nga interesat dhe të fitimit operativ bruto. Ndonëse sistemi bankar ka lehtësuar kushtet e financimit, Banka e Shqipërisë gjykon se ka ende hapësira për përmirësimin e mëtejshëm të tyre, vecanërisht në funksion të kredive për zhvillimin e investimeve private”, shtoi Fullani.

Vendimi për uljen e normës bazë të interesit si përpjekje për të stimuluar ekonominë erdhi pas frenimit të rritjes së cmimeve. Guvernatori Fullani ka shpjeguar se inflacioni ndodhet brenda objektivit të BSH. Sipas të dhënave të INSTAT në fund të gushtit ky tregues arriti në 3.1%.
(m.a/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: BSH ul me 0.5% koston e lekut, Fullani: Synojmë stimulimin e ekonomisë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›