BSH ul normën e interesit me 0,25%. Fullani: Do të nxisim investimet
Të gjithë individëve që kanë depozita në bankat e nivelit të dytë do t’u interesojë më mirë t’i investojnë kursimet e tyre sesa t’i mbajnë me interesa më të ulura. Pasi Banka e Shqipërisë, ashtu siç ishte paralajmëruar, uli normën e interesit me 0,25% duke e çuar atë në 5%, në nivelin më të ulët historik, që do të ndikojë automatikisht në uljen e interesave të depozitave. Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani argumentoi vendimin e Këshillit Mbikëqyrës për uljen e normës së interesit me nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të ekonomisë, duke synuar rritjen e investimeve dhe konsumit, pasi numri i depozitave është rritur në raport me kreditë dhe investimet. “Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit me 0.25 pikë përqindjeje, duke e çuar atë në nivelin 5.00 për qind. Një vendim i tillë i shërben arritjes së objektivit për inflacionin në periudhën afatmesme dhe njëkohësisht ofron kushtet monetare të nevojshme për stimulimin e aktivitetit ekonomik në vend. Banka e Shqipërisë mbetet plotësisht e vëmendshme ndaj zhvillimeve të ardhshme ekonomike dhe financiare, duke synuar të ndërmarrë gjithnjë hapat e duhur për përmbushjen e mandatit të saj.”- tha Fullani gjatë konferencës për shtyp. Duke sqaruar vendimin e Këshillit Mbikëqyrës, ai bëri një ekspoze të termave monetarë gjatë muajve të fundit. “Muaji gusht u karakterizua nga një rënie e fortë e presioneve inflacioniste. Norma vjetore e inflacionit rezultoi në nivelin 3.1%, ose 0.4 pikë përqindjeje më e ulët në krahasim me muajin e kaluar. Përveç zbutjes së goditjeve të çmimeve të huaja, gjatë këtij muaji u evidentua dhe reduktimi i kontributit të inflacionit të çmimeve të rregulluara dhe ulja e kontributit të çmimit të bukës e të drithërave. Gjithashtu, efekti sezonal i rritjes së ofertës së prodhimit bujqësor në vend është shfaqur më i fortë këtë vit, duke ndikuar në rënien e mëtejshme të inflacionit vjetor të mallrave ushqimorë. Gjatë vitit 2011, çmimet e konsumit në vend kanë qenë nën ndikimin e goditjeve të ofertës, të materializuara në çmime të larta të mallrave të importit. Ky efekt u shfaq më i moderuar në muajt korrik-gusht dhe, në mungesë të goditjeve të papritura, ai pritet të zbehet më tej në muajt e ardhshëm. Kështu, inflacioni bazë rezultoi 2.9% në muajin korrik, duke shfaqur një tendencë në rënie dhe duke qenë pranë objektivit tonë të inflacionit.”- u shpreh guvernatori Fullani. Ndërkaq, bllokimi i parasë në bankat tregtare, pra mungesa e likuiditetit në treg, ka detyruar BSH të ulë normën bazë të interesit. Dhe si rrjedhojë do të detyrojë qytetarët të mos depozitojnë më nëpër banka, por të investojnë. Lëvizja e fundit e Bankës se Shqipërisë parashikon që të rrisë qarkullimin e parasë, duke nxitur investimet dhe konsumin. Në të njëjtën kohë, pas këtij vendimi do të vazhdojnë edhe lehtësirat për kredimarrje.