E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bode: Kemi bërë rimodelim të taksave për të ulur barrën fiskale

SHKRUAN: Sabina Veizaj 30-09-2011 11:44

Ministri i Financave, Ridvan Bode, i thirrur në interpelancë dje nga grupi parlamentar i PS-së, për taksën e re të automjeteve, iu përgjigj akuzave të opozitës se qëllimi i qeverisë ka qenë vetëm të ulë barrën fiskale të qytetarëve. Sipas Bodes, është bërë vetëm një rimodelim i taksave të makinave, për të thjeshtuar procedurat dhe për të ulur barrën fiskale. “Vendosëm të hiqnim 3 taksa, i zëvendësuam me dy. Ndryshimet u bënë për të thjeshtuar procedurat. Sqaroj se me këto taksa synojmë uljen e barrës fiskale. Taksat e makinave do paguhen në varësi të përdorimit të makinave. Çdo qytetar sot paguan gjysmën e taksave që paguante me përpara", sqaroi ministri, sipas të cilit, “mjetet bujqësore nuk paguajnë fare taksa.”, shtoi ministri. Bode tha se me ndryshimin e taksave makinat paguajnë gjysmën e taksave të mëparshme. Kodheli u shpreh se arsyeja e kësaj interpelance është rritja e paprecedent e çmimit të naftës . “Me politikat tuaja fiskale të gjashtë viteve të qeverisjes, zoti ministër i Financave, keni pretenduar se jemi vendi me taksat me të ulëta në botë. Kjo gënjeshtër sa e madhe aq dhe e pabesueshme na detyron sot të kërkojmë interpelancë, për një prej shumë e shumë rasteve ku qeveria ndërhyn dhunshëm në rritjen e taksave, duke e justifikuar atë me sofizma të cilat nuk i beson më askush, pasi gjithkush i beson pikësëpari xhepit të vet dhe sa para i mbeten në të.”- tha ajo. Duke akuzuar qeverinë për korrupsion në lidhje me taksën e re, ajo u shpreh se

“pak kohë më parë, nën presion nga Bashkimi Europian, qeveria juaj hoqi taksën e importimit të makinave të përdorura për ta zëvendësuar atë me një taksë mbi përdorimin e makinave të përdorura që do të paguhet te Kolaudimi. Nëpërmjet një procesi abuziv dhe jo transparent, monopoli shtetëror i kontrollit teknik të automjeteve iu dha një shoqërie të huaj. Se sa kjo shoqëri ka mundësuar heqjen nga qarkullimi të makinave që mezi mbahen mbi rrota, apo të shumicës së makinave që në rastin më të mirë kanë nga një dritë jashtë funksionimi, kjo vihet re lehtë nëpër rrugë. Por kjo do të ishte pa as me të voglin dyshim një temë e drejtë dhe me interes për një tjetër interpelancë.” Sipas Kodhelit, kjo taksë do të rëndojë barrën fiskale mbi qytetarët shqiptarë. “Dy janë taksat kryesore të konsumit në Shqipëri: tatimi mbi vlerën e shtuar dhe akciza. Këto taksa i paguhen shtetit sa herë që të gjithë ne konsumojmë ushqime, pije, ilaçe apo dhe karburant. Sot kjo taksë përbën 28% të çmimit që paguajmë me para në dorë.”- tha Kodheli. Për të gjitha këto arsye, në emër të opozitës ajo propozoi të hiqet taksa e karbonit, pasi paratë që përftohen nga kjo taksë, sipas saj, nuk investohen në asnjë fushë që lidhet me përmirësimin e kushteve apo indikatorëve ambientalë. Dhe gjithashtu, meqenëse çmimi i naftës në tregun botëror që nga 2005-a është dyfishuar, TVSH-ja mbi këtë produkt kur ai përdoret për mjetet e transportit publik, ngrohjen e shkollave apo spitaleve, bujqësisë dhe peshkimit, ngrohjen e qytetareve, të mund të reduktohet deri në 11%.

Kodheli:

Deri tani një individ që zotëronte një automjet të përdorur paguante:

- Taksë vjetore për qarkullimin rrugor 7 500 lekë

- Taksë vjetore regjistrimi 2 500 lekë

Pra, gjithsej një individ që zotëronte një automjet paguante çdo vit 10 000 lekë detyrime për taksat.

Sipas ndryshimeve të fundit një individ që zotëron një automjet të përdorur sot paguan:

- Taksë vjetore për mjetet e përdorura 17 000 lekë

- Taksën e re të karburantit (9 lekë/litër) 10 800 lekë

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›