E Shtunë, 31 Tetor 2026

BSH:Bankat e nivelit të dytë jo para jashtë vendit

Bankat e nivelit të dytë në Shqipëri nuk do të çojnë kapitalet e tyre jashtë vendit. Ky ka qenë vendimi i fundit i Bankës së Shqipërisë i miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit Mbikëqyrës, me qëllim për të ruajtur sistemin nga efektet që mund të përcjellë kriza globale financiare. Kjo konfirmohet edhe nga anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së. Sipas tyre, Banka e Shqipërisë ka ndaluar bankat private në Shqipëri që të transferojë para te bankat mëmë që ndodhen jashtë shtetit, duke siguruar në këtë mënyrë mosndikimin e sistemit tonë financiar. Mjaft prej bankave private në Shqipëri janë pjesë e grupeve bankare më të mëdha të botës, dhe transferimi i kapitaleve pranë tyre ka qenë një veprim normal i tyre në veprimtarinë e tyre. Këtë veprim Banka e Shqipërisë e ka ndaluar deri në një vendim të dytë. Deri më tash bankat e nivelit të dytë kanë mundur të investojnë në bankat e huaja apo pranë bankave mëmë deri më 30 për qind të kapitalit të bankës së tyre. Ndërkohë, tani Banka e Shqipërisë e ka ndaluar dhe asnjëra prej bankave të nivelit të dytë nuk do të mund të transferojë më shumë se 10 për qind të kapitalit të tyre. Një masë e tillë merret për të rritur sigurinë në bankat shqiptare. Duke qenë se bankat mëma janë të ekspozuara ndaj risqeve që mund të shfaqen në sistemin bankar në Evropë, BSH-ja ndalon investimin e kapitaleve në to.

Ndërkohë dhe vetë bankat mëmë kanë marrë masat e tyre. Disa prej tyre kanë thirrur në takime zyrtare drejtuesit e bankave të nivelit të dytë në Shqipëri, për t’i njohur me masat që duhet të marrin për t’u paraprirë risqeve që mund të vijnë nga kriza. Një ndër porositë e dhëna është të kihet kujdes me investimin e kapitaleve, madje dhe ato nuk kanë sugjeruar investimin tyre në bankat evropiane. Po kështu, në këto takime u rekomandua që të forcohen rregullat e dhënies së kredive, me qëllim që bankat të japin kredi të pastra dhe të mos rrezikojnë të rritin nivelin e kredive të këqija.

Por gjithsesi, Banka e Shqipërisë dhe vetë Guvernatori i saj, Ardian Fullani, kanë garantuar të gjithë shqiptarët se paratë e tyre janë të sigurta në bankat shqiptare, pasi asnjëra prej tyre nuk rrezikon të falimentojë. Guvernatori Fullani ka deklaruar se garancia e plotë është sistemi i sigurt bankar shqiptar, i cili është i mirëkapitalizuar, likuid dhe i mbikëqyrur nga Banka e Shqipërisë. Po kështu, Guvernatori ka siguruar se depozitat e shqiptarëve janë tepër të sigurta, pasi Shqipëria nuk është vend “i intoksikuar”, është i sigurt. Sipas tij, sistemi bankar shqiptar nuk ka investuar në produkte të “intoksikuara”. Nuk ka asnjë krahasim me vendet e tjera, të cilat kanë banka dhe institucione financiare me humbje të mëdha nga investimet.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›