E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olldashi paraqet projektligjin e planifikimit të territorit

Ministria e Punëve Publike Transport dhe Telekomunikacionit ka hartuar një projektligj të ri për planifikimin e territorit. Në prezantimin e këtij projektligji ka qenë i pranishëm dje ministri Sokol Olldashi, ku merrnin pjesë dhe përfaqësues të kryesisë së Shoqatës së Qarqeve të Shqipërisë. Ministri Olldashi në fjalën e tij theksoi se ky projektligj i jep një forcë më të madhe planifikimit të detyruar, si një proces ku çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi; ndan më qartë dhe delegon një numër më të madh kompetencash drejt autoriteteve të pushtetit vendor si dhe ruan dhe konsolidon konceptin e pranimit të heshtjes, pra i heqjes së barrëve të tepërta që shpeshherë përdoren si mekanizma abuzimi në kërkesat për dhënien e lejeve të ndërtimit. “Projektligji, - tha ai, - vendos detyrime ndaj administratës nëse nuk përgjigjet në kohën e caktuar nga ky ligj, duke e konsideruar lejen të mirëqenë.

Projektligji jep gjithashtu mekanizmat e duhur të transparencës për zhvillimin, për hartimin e planeve, për miratimin e planeve duke i bërë ato pjesë të diskutimit publik me të gjithë aktorët”, - u shpreh ai. Ministri Olldashi ka folur për ndryshimet dhe avantazhet që ka ligji i ri. Ai i ka njohur të pranishmit me faktin se drafti i ri ka disa ndryshime themelore në skemën e funksionimit të vet, pavarësisht se ruan disa prej koncepteve që mbartte drafti i parë. Ai sqaroi se i është dhënë një forcë më e madhe planifikimit të detyruar, duke vendosur në projektligj mekanizma që precizojnë në mënyrë të qartë që planifikimi i territorit është një proces jo fakultativ, por një proces i detyruar, pra që çdo hapësirë e territorit duhet të mbulohet me një plan zhvillimi apo me një strategji zhvillimi. Po kështu, në këtë projektligj është bërë një përpjekje për ta lidhur më mirë draftin me buxhetimin, pra që planifikimi mbi territor të mos jetë vetëm një vendosje njollash apo gjurmësh, por të jetë një orientim edhe për investimet publike apo private që do të bëhen brenda territorit. Planet urbane pra duhet të shërbejnë jo vetëm për dhënie të lejeve të ndërtimit, por kryesisht të orientojnë investimet publike në infrastrukturë dhe shërbime. Në këtë projektligj është vendosur një hierarki më e mirë e planifikimit. U është dhënë një ndarje më e qartë kompetencave të niveleve të ndryshme duke u prirur drejt delegimit të sa më shumë kompetencave pranë njësive të qeverisjes vendore dhe qarqeve, pra e ndarë sipas niveleve të autoritetit në qendror, rajonal dhe lokal. Në dy nivelet e para planet kanë natyrë strategjike, ndërsa në nivelin fundor planet marrin një natyrë më normative dhe rregulluese. Krijimi i një hallke të tillë planifikimi synon të rregullojë dhe koordinimin midis planifikimit të territoreve të ndryshme. Në këtë projektligj flitet për një planifikim të integruar dhe jo sektorial, çka është në themelin e planifikimit bashkëkohor edhe në vendet e zhvilluara. Në raport me ligjin ekzistues, projektligji ka pasur në themel tendencën decentralizuese të qeverisë. Nivelit lokal i është dhënë autoritet më shumë se në ligjin ekzistues, duke u përputhur më mirë me ligjin për pushtetin lokal. Pushteti lokal është më përgjegjës për planifikimin dhe zhvillimin e territorit. Në këtë kuadër do theksuar roli i qarkut, i cili ashtu si në ligjin e pushtetit lokal, është konceptuar në rolin e një koordinatori të strategjive rajonale, duke bërë një përputhje më të mirë mes politikave kombëtare dhe atyre rajonale. Projektligji “Për planifikimin e territorit” mbështetet gjerësisht në parimet evropiane dhe ndërkombëtare, si Agenda 21 e Kombeve të Bashkuara “Për zhvillim të qëndrueshëm”, marrëveshja “Për perspektivën e zhvillimit hapësinor Evropian”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›