E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, 487 objekte kualifikohen për fazën e dytë të legalizimeve

Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave të Ndërtimeve Informale (ALUIZNI) në Elbasan ka kualifikuar 487 objekte të zonës kadastrale 8521 për në fazën e dytë të legalizimit. Shefi i zyrës rajonale të ALUIZNI-it në Elbasan, Ditor Musai, i ka thënë dje Agjencisë Telegrafike Shqiptare se "të gjithë qytetarëve që kanë aplikuar për legalizim në këtë zonë, u është dërguar fatura e shërbimit prej 4000 lekësh, me anë të së cilës çdonjëri prej tyre është i detyruar të paguajë për hartat, dokumentacionin, matjet etj.". Sipas tij, në fazën e dytë qytetari duhet të paguajë taksën e ndikimit në infrastrukturë që për banesat është 1 për qind dhe për objektet, si dyqane apo biznese, është 2 për qind.

Musai theksoi se deri tani janë lajmëruar nëpërmjet postës qytetarët, të cilët duhet të paraqiten pranë degës së bankës "Credins", ku duhet të derdhin shumën prej 4000 lekë dhe do të pajisen me një faturë, e cila do t'u shërbejë pas kualifikimit për fazën e dytë.

"Një banesë legalizohet kur nuk shkel ligjet, ndër të cilat nuk pengon zhvillimin urbanistik, nuk ndodhet mbi kolektorë, ujësjellës, nën linjat e tensionit të lartë, nuk bllokon sheshe etj. Në rastin tonë shtesat e pallateve që pengojnë zhvillimin, nuk do të marrin leje legalizimi", - nënvizoi Musai, ndërsa shtoi se nuk do të legalizohen gjithashtu garazhe mes shesheve apo objekteve, të cilat dëmtojnë infrastrukturën arkitektonike të zonës.

Musai siguron se të gjithë pronarët e truallit ku janë bërë ndërtime pa leje, do të marrin kompensim të plotë. Në të gjithë qarkun e Elbasanit janë rreth 18700 ndërtime informale, të cilat tashmë presin të legalizohen dhe të certifikohen si ndërtime formale për të dalë nga skema e informalitetit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›