Biznesi: Kreditë e këqija rrezikojnë sistemin bankar
Konfindustria kërkon nga BSH-ja masa të forta shtrënguese
BSH-ja duhet të rrisë kontrollin mbi bankat e nivelit të dytë
Ndërsa kriza financiare botërore nuk e kërcënon sistemin bankar shqiptar, një risk serioz duket se ky sistem e ka nga aktiviteti i tyre. Behët fjalë për kreditë që vetë bankat japin. Rritja e nivelit të kredive me probleme në kohët e fundit, sipas komunitetit të biznesit të industrialistëve, shihet si rrezik serioz për sistemin bankar shqiptar. Kjo është arsyeja që konfindustria i ka kërkuar Bankës së Shqipërisë të forcojë masat dhe kontrollet ndaj bankave të vilet të dytë. Konfindustria ka tërhequr dje edhe një herë vëmendjen e Bankës së Shqipërisë, që jo vetëm të vazhdojë urgjentisht përmirësimin e vonuar të akteve rregullatore të sistemit bankar për t’ua përshtatur zhvillimeve të fundit të vendit dhe ndërkombëtare, të rrisë transparencën e domosdoshme ndaj biznesit dhe publikut për gjendjen e sistemit bankar, por dhe detyrimisht të ushtrojë në mënyrë të plotë të drejtat e saj ligjore me masa të prekshme të ashpra mbi bankat e nivelit të dytë dhe stafin menaxherial të tyre, lidhur me çështjen mjaft të ndjeshme dhe problematike të rritjes së shpejtë të portofolit të “kredive të këqija” në portofolin e përgjithshëm të kredive të dhëna. Duhet të jetë e qartë se thelbi i problemeve në sistemin bankar shqiptar për shkak të fenomenit të “kredive të këqija” është prodhuar nga brenda sistemit nga keqmenaxhimi në vazhdimësi dhe nuk është aspak i ri në kohë. Pasojat që mund të vinë nga paqëndrueshmëritë e tregjeve financiare ndërkombëtare, kanë vetëm ndikim dytësor dhe në asnjë mënyrë nuk mund të shërbejnë si justifikim për përgjegjësitë e brendshme të keqmenaxhimit bankar. Kështu, nëse vlerësojmë të dhënat zyrtare, në një periudhë kohe prej vetëm 2 vjet e gjysmë (dhjetor 2005-qershor 2008) kemi një rritje dramatike në krahasim relativ prej mbi 400% të kredive problematike në sistemin bankar të vendit. Sa më sipër, e përkthyer në shifra absolute, bazuar në të dhënat e vetë bankave të nivelit të dytë, sot llogariten “kredi të këqija” në shifrën shqetësuese të mbi 400 milionë $. Ndërkohë, realiteti mund të jetë edhe më shqetësues për sa më sipër. Gjithashtu, shqetësimi rritet kur dihet se tashmë jemi vetëm në fillimin e kohës kur ka filluar të maturohet masa kryesore e kredive të dhëna. Pavarësisht se sipas standardeve ndërkombëtare ende nuk është arritur shkalla e rrezikut të masës së kredive të këqija, kahu rritës i përshpejtuar i tyre duhet të shërbejë si kambanë alarmi për Bankën e Shqipërisë, qeverinë dhe vetë vendimmarrjen politike tërësore të vendit.
Masat e Bankës së Shqipërisë duhet të jenë të shpejta dhe të ashpra brenda të gjitha hapësirave ligjore të dhëna ndaj subjekteve bankare shqiptare që paraqesin prirje për performancë negative ndaj rritjes së masës relative dhe absolute të “kredive të këqija”, nëse kihet parasysh dhe paqëndrueshmëria dhe pasojat e krizës së sistemit bankar dhe financiar botëror. Masat e ashpra duhet të shkojnë deri në hetimin e hollësishëm të pasaktësisë së mundshme në raportimet e operatorëve bankarë dhe financiarë, nxjerrjen e përgjegjësive të stafit administrativ të bankave, marrjen e masave përkatëse ndaj personave përgjegjës që për paaftësi, subjektivizëm ose korrupsion keqpërdorin paratë e shqiptarëve dhe deri heqjen e licencave për operatorët bankarë me performancë negative, duke gjykuar se përbëjnë rrezik jo vetëm për vetveten dhe depozituesit e tyre, por për gjithë besueshmërinë publike të lidhur drejtpërdrejt me qëndrueshmërinë e sistemit bankar të vendit. Pasojat psikologjike të lëna nga viti 1997, të shtuara edhe me efektin psikologjik të pasojave e krizës së tashme të tregjeve financiare ndërkombëtare, janë burim rreziku i përhershëm për sistemin bankar dhe ekonominë e vendit në tërësi.