E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, 6.5 milionë dollarë për ujitjen, por ujë s’ka

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje edhe në projektin "Ujitja e fushës së Korçës", pranë Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit me vlerë totale 6.5 milionë USD. Qëllimi i këtij projekti ka qenë rehabilitimi dhe modernizimi i sistemit të ujitjes së tokës me derdhje të lirë në një sipërfaqe prej 7 000 ha në fushën e Korçës, si dhe shërbimet e konsulencës lidhur me këtë projekt. Nga kontrolli ka rezultuar se qëllimi i lartpërmendur nuk është arritur, për shkak se nuk është siguruar zgjidhja e burimit të ujit dhe vënia në eficencë e investimit të kryer për kanalet primare të projektit "Ujitja e fushës së Korçës". Projekti është ndërprerë dhe konsiderohet i dështuar. Nga shqyrtimi i të gjithë elementëve dhe faktorëve që kanë sjellë dëmin ekonomik në vlerën 134 277 USD (pagesa për punime të pakryera) dhe nga vlerësimi i shkallës së përgjegjësisë të punonjësve shkaktarë, KLSH-ja ka depozituar kallëzim penal pranë organit të prokurorisë ndaj 3 (tre) punonjësve të projektit.

OSSH Shkodër, me qindra fatura “zero” të energjisë

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka gjetur shkelje në kontrollin e ushtruar në degën e OSSH-së Shkodër. Kontrolli konstatoi planifikim të paargumentuar nga ana teknike të treguesit "humbje në rrjet" në masën 41%, me pasojë tejkalimin e saj duke arritur në 50.7%. Nivel i ulët i arkëtimit të faturave të energjisë elektrike gjatë vitit 2007, konkretisht në masën 49.3%. Në kundërshtim me VKM nr. 1 datë, 10.01.2007 "Për miratimin e rregullave të prokurimit publik", është lejuar copëzimi i fondeve, duke shmangur procedurat e tenderimit dhe në disa raste është tejkaluar vlera limit e lejuar. Faturime më pak se programimi për vitin 2007 dhe nga vlera gjithsej e faturuar janë arkëtuar 63.7% e saj. Ndërsa, për tremujorin e parë 2008, niveli i arkëtimeve ka rezultuar në masën 60%. Shtim i numrit të faturave "zero" në vitin 2007, për 3 226 abonentë, kryesisht në klientë familjarë, privat e buxhetorë dhe në fund të 3-mujorit të parë 2008, këto faturime kanë pësuar rritje krahasuar me fillimvitin. Dëm ekonomik në lidhjet e reja, si pasojë e moszbatimit të procedurave të aplikimit dhe të llogaritjes së tarifave, për 42 praktika në shumën 1.054.770 lekë, kryesisht në njësitë Lezhë dhe Shkodër. Parregullsi dhe shkelje nga më të ndryshmet të dispozitave ligjore në fushën e prokurimeve publike, si dhe mosplotësim të theksuar të investimeve dhe detyrimeve të ndërsjella në zbatimin e kontratave të sipërmarrjes. Për përmirësimin e gjendjes, KLSH-ja ka rekomanduar dhënien e 19 masave organizative, 4 masave për shpërblimin e dëmit në vlerën 1 126 258 lekë dhe 27 masave disiplinore për punonjësit shkaktarë përgjegjës. Gjithashtu, për 5 punonjës, anëtarë të komisionit të vlerësimit të ofertave, për shkelje të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 "Për prokurimin publik" në zhvillimin e një tenderi, është depozituar kallëzim penal pranë organit të prokurorisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›