E Shtunë, 31 Tetor 2026

Babai hedh nga ura djalin 2-vjeçar

SHKODËR/ Eduard Gjoka është shpallur në kërkim ndërsa akuzohet për "vrasje të mbetur në tentativë"


Mësohet se burri kishte vetëm pak muaj që ishte divorcuar dhe kërkonte kujdestarinë e fëmijës


SHKODËR - Babai hedh fëmijën e vet vetëm 2 vjeç nga ura, duke i shkaktuar fraktura, ndërsa vetë është larguar nga vendngjarja, duke u shpallur në kërkim nga policia. Ngjarja ka ndodhur pasditen e së hënës, ndërsa Eduard Gjoka ka tentuar t'i japë zgjidhje problemeve të jetës së tij, me dhënien fund të jetës së fëmijës.


Ngjarja mësohet të jetë parë nga persona të ndryshëm, kalimtarë në atë vend, të cilët kanë çuar edhe fëmijën në spital, i cili nga rënia nga lartësia ka pësuar një frakturë në këmbën e majtë, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.


Gjithçka ka ndodhur në orët e pasdites së të premtes. Eduard Gjoka, i cili ishte divorcuar prej disa muajsh nga e shoqja, ka marrë të birin nga duart e saj, duke qenë se sipas vendimit të gjykatës, kjo ishte edhe dita që ai mund të kalonte me djalin 2-vjeçar.


Pas kësaj, ai ka marrë të birin dhe ka hipur në një mbikalim të linjës hekurudhore dhe e ka lëshuar të birin që aty, në një lartësi prej 4 metrash, duke e përplasur në asfalt. Kanë qenë kalimtarët ata që kanë parë ngjarjen dhe që i kanë dhënë fëmijës ndihmën e parë duke e dërguar menjëherë në spital.


Më pas kanë lajmëruar edhe policinë, e cila shpalli në kërkim Eduard Gjokën, ndërsa mësohet se në pyetje është marrë ish-bashkëshortja e tij, për të zbardhur ngjarjen.


Gjatë hetimeve të para të kryera ka rezultuar se Eduard Gjoka është ndarë nga gruaja e tij, me të cilën kishte një fëmijë mashkull, 2 vjeç, disa muaj më parë. Në vendimin e saj lidhur me kujdestarinë e fëmijës, nisur edhe nga mosha e tij e vogël, Gjykata e rrethit të Shkodrës ka vendosur që vogëlushi duhet të rrinte me nënën, ndërsa babai kishte të drejtë që ta merrte çdo të premte të javës dhe të përkujdesej për të.


Por një vendim i tillë nuk është pranuar asnjëherë nga kryefamiljari, i cili ditën që ka marrë edhe fëmijën, në vend që të kalonte një kohë me të, ka vendosur t'i japë fund jetës së të birit vetëm dy vjeç. Ky i fundit, i dërguar menjëherë pas ngjarjes në spitalin e Shkodrës, fatmirësisht ka mundur të shpëtojë vetëm me disa fraktura në këmbë dhe në trup, por gjithsesi jashtë rrezikut për jetën.


Deri në orët e vona të mbrëmjes nga ana e policisë nuk është mundur që të gjendet se ku fshihej babai 35-vjeçar. Burime nga uniformat blu bëjnë të ditur se autori i tentativës së vrasjes së të birit, është një person i njohur si problematik.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›