E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taçi në prokurori njihet me akuzën para mbylljes së hetimit

Biznemseni i karburanteve pritet të përballet me hetuesit, që t'i kërkojnë shpjegimet e fundit atij para dërgimit të dosjes në gjykatë. Dy bashkëpunëtorët e tjerë të akuzuar për dhunën ndaj gazetarit Mero Baze pritet të thirren pas "shefit" të tyre


TIRANË- Taçi në prokurori për t'iu komunikuar akuza përfundimtare në prag të mbylljes së hetimit ndaj tij përpara se dosja të shkojë për shqyrtim në gjykatë për veprën. Rezart Taçi, biznesmeni i naftës që pak javë më parë bashkë me nipin dhe shoferin e tij ushtruan dhunë mbi gazetarin Mero Baze, pritet që pasditen e sotme të paraqitet në prokurorinë e rrethit, për t'u pyetur nga prokurorët, përpara se t'i komunikohet akuza përfundimtare për të cilën ai dhe "shoqëruesit" e tij do të përgjigjen para togave të zeza. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët theksuan se pasditen e sotme, Taçi do të paraqitet pranë institucionit të akuzës, bashkë me avokatin e tij mbrojtës.
Burimet thonë se "vizita" e biznesmenit të njohur në prokurori, mund të jetë e para dhe e fundit për të që kur Gjykata e Apelit ndryshoi masën e arrestit ndaj tij, dhe nga Gjykata e Shkallës së Parë në Tiranë, nga arrest me burg në detyrim paraqitjeje. Gjykata e Apelit në kryeqytet, ndryshoi masën e sigurisë ndaj Taçit, duke e urdhëruar paraqitjen e tij çdo të hënë në ora 14:30 para oficerit të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës. Javën e kaluar "oligarku" i naftës nuk u paraqit për shkak të festës zyrtare dhe mungesës së punonjësve në prokurori.
Sipas prokurorisë, Taçi i dyshuar për dhunimin e gazetarit Baze, duhet të paraqitet para oficerit Sokol Muslia dhe prokurorit Gjergji Tako. Ai pritet të merret në pyetje me cilësinë e personit nën hetim dhe më pas t'i komunikohet akuza përfundimtare e "goditjes për shkak të detyrës" ndaj gazetarit Mero Baze, Drejtor i gazetës TEMA. Pas këtij veprimi procedural, mësohet se prokuroria, do t'i kërkojë shpjegime Taçit, në praninë e avokatit të tij, me cilësinë e personit të pandehur për akuzën e "goditjes për shkak të detyrës". Mësohet gjithashtu, se gjatë pasdites së sotme do të paraqitet edhe shoferi i kompanisë së tij, Bledar Lilo, i akuzuar edhe ai për goditjen e gazetarit Baze. Më tej në ditët në vazhdim pritet të paraqitet në prokurori Irgen Selfo, nipi i biznesmenit të naftës, i akuzuari kryesor i goditjes së gazetarit Baze. Sipas prokurorisë, hetimet për këtë dosje penale thuajse kanë përfunduar dhe brenda javës dosja penale ndaj tre të akuzuarve Taçi, Selfo dhe Lilo, dhe dosja në ngarkim të tyre pritet të mbërrijë në gjykatë.

Incidenti i Taçit me Bazen, më 2 nëntor
Në lidhje me ngjarjen e datës 2 nëntor 2009, ku tre të sipërpërmendurit goditën dhe ofenduan gazetarin për shkak të detyrës në prani të dy kolegëve të tij, prokuroria ka siguruar katër dëshmitarë të pranishëm në vendin e ngjarjes. Këta dëshmitarë, sipas hetuesve, kanë ndërhyrë për të larguar agresorët që po godisnin gazetarin. Ngjarja ndodhi në një lokal në zonën e ish-bllokut, ku gazetari Baze po pinte kafe bashkë me dy kolegët e tij, kur edhe janë përballur me biznesmenin Taçi. Me të kanë shkëmbyer sharje dhe ofendime që kanë degjeneruar në grushta mes tyre. Për pasojë të rrahjes mes tyre, gazetari Baze ka pësuar disa dëmtime në fytyrë që i ka kushtuar qëndrim një natë në Spitalin Ushtarak dhe nipi i biznesmenit të naftës studenti i ekonomikut Selfo me pak dëmtime.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›