Grabitja e 67 mijë eurove, pranga të tretit
Policia e Tiranës arreston 26-vjeçarin, Enkeledian Arifaj, si autorin e tretë të grabitjes së agjencisë
Tiranë Policia e Tiranës ka çuar në pranga edhe grabitësin e tretë të 67 mijë eurove të agjencisë turistike. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës bëjnë të ditur se dje është arrestuar 26- vjeçari, Enkeledian Arifaj, si bashkëpunëtori i fundit i Rodrig Maljat dhe Gerta Mezurajt, në grabitjen e punonjëses së agjencinë Turistike “Ar-Lo”. Në momentin e arrestimit, atij iu gjet dhe një pistoletë, të cilën e mbante pa leje. “Arrestimi i tij u krye sepse në rrugën e Dibrës, është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë me një pistoletë “TT”, së bashku me dy krehëra me 14 fishekë, të cilat i posedonte pa leje. Nga kryerja e veprimeve proceduriale e hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë u arrit dokumentimi ligjor i vjedhjes së ndodhur më datë 14 dhjetor 2010, në rrugën “Abdyl Frashëri” në Tiranë, ku Arifaj rezulton të jetë bashkëpunëtor me Gerta Ylli Mezuraj, 22 vjeç dhe Rodrig Hektor Malaj, 23 vjeç, të cilët aktualisht ndodhen të arrestuar” – thuhet në njoftimin e Policisë së Tiranë. Nga hetimet e kryera për këtë ngjarje ka rezultuar se Gerta Mezuraj, punonjësja e agjencisë së udhëtimeve pasi ka parë kolegen e vet të dilte nga zyra me shumën e majme të parave, ka lajmëruar mikun e saj t’i zinte pritë pak para dorëzimit. Ngjarja në fjalë ka ndodhur më datë 14 dhjetor 2010 në kryeqytet, kur punonjësja e agjencisë së udhëtimeve “AR&LO TRAVEL” po drejtohej për në një prej bankave të Tiranës për të depozituar shumën prej 67 mijë eurosh, para këto të mbledhura gjatë punës disaditore. Pasi është spiunuar nga kolegia e zyrës, ajo është përballur me Rodrig Malajn dhe dy persona të tjerë, të cilët i kanë rrëmbyer valixhen me para në rrugën “Abdyl Frashëri” në Tiranë. Nga ana e saj, punonjësja e grabitur ka njoftuar menjëherë efektivët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e kësaj grabitjeje. Hetimet e komisariatit nr. 2 kanë çuar policinë në gjurmët e planit të lezhjanes, Gerta Mezuraj, duke zbardhur historinë e grabitjes si dhe duke arrestuar organizatorët e ngjarjes.