Babai i Gentian Beqirit nuk vdiq nga infarkti, por nga dhuna
Që ditën e djeshme kishte raportime se babai i Gentian Beqirit, 35 vjeçarit nga Elbasani, që u ekzekutua dje në mëngjes në banesën e tij ku gjendej në arrest shtëpie, kishte vdekur për shkak të dhunës së ushtruar mbi të. Por policia kishte deklaruar menjëherë se ai vdiq nga infarkti.
Rezultatet paraprake të autopsisë së kryer nga ekspertët mjeko- ligjorë mbi trupin e tij tregojnë se ai nuk vdiq nga infarkti, por nga dhuna e ushtruar mbi të.
Policia kishte bërë me dije se Nezir Beqiri vdiq për shkak të një infarkti pasi pa ekzekutimin e të birit. Kurse në raportin mjeko-ligjor thuhet se Nezir Beqiri ka marrë një goditje të fortë pas kokës, shkaktuar me sende të forta si dhe një tjetër plagë në brinjë, që ka çuar në thyerjen e saj. Të dyja këto goditje duket se kanë qenë fatale për të moshuarin duke shkaktuar dhe vdekjen e tij.