Bahri Shaqiri Orët e shkarkimit tim
Ish-kreu i SHISH tregon çfarë ndodhi të enjten në mesditë kur në zyrën e tij mbërriti dekreti presidencial që e liroi nga detyra mbas shtatë vjetësh. Reagimi i menjëhershëm amerikan dhe i politikës lokale. Cilat janë arsyet që shtynë Berishën të hedhë një hap përtej vijës së kuqe? Gjithë historia e një përplasjeje të cilës nuk i dihet fituesi, por që parashihet të ndryshojë shumëçka në Tiranë
Diku nga mesdita, në zyrën e drejtorit të Shërbimit Informativ Shtetëror, Bahri Shaqiri, në periferi të Tiranës, korrieri presidencial dorëzoi një zarf të dyllosur: ishte një dekret i firmosur nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani. Pak rreshta. Në fillim citohej baza ligjore, nenet 92 dhe 93 të Kushtetutës së Republikës, ligji i ndryshuar për SHIK, sot SHISH dhe pasonte një nga vendimet më të rëndësishme që Nishani do të ketë mundësi të marrë në pesë vitet e mandatit të tij. Dhe që me siguri absolute, do të shënjojë mandatin e tij në pesë vjet. Me propozim të kryeministrit liroj nga detyra drejtorin e SHISH, zoti Bahri Shaqiri dhe emëroj në këtë detyrë, drejtor i SHISH Visho Ajazi Likën. Ky tekst, deri të enjten në mbrëmje vonë nuk ishte pasqyruar në faqen zyrtare të Presidentit, në zërin dekrete.
42 vjeçari Bahri Shaqiri, njeriu që për më shumë se shtatë vjet mbante këtë detyrë, e hapi vetë zarfin presidencial. Askush nuk di se çfarë ka menduar njeriu i sekreteve në ato momente. Telefoni i tij i rezervuar nuk i është përgjigjur asnjërës prej thirrjejeve këmbëngulëse për disa orë, sa kohë që ndodhej në takim me pasardhësin e tij. Përjashtim bëjnë vetëm disa telefonata të realizuara jo në gjuhën shqipe.
E sigurtë është që pak kohë mbas mbërritjes fizike të dekretit në SHISH, në rendin e pak minutave, në zyrën e tij mbërriti menjëherë pasardhësi i tij në detyrë. Ish-zëvendësi i Genc Pollos në ministrinë me emër të gjatë dixhital dhe me vetëm një dyzinë punonjësish, përfshi dhe shoferët, u takua në një rreth të ngushtë njerëzish me Shaqirin. Shaqiri vetë pohon Po, u takuam në mënyrë normale. Dorëzova detyrën sipas ligjit dhe u largova. Kisha planifikuar të largohesha me pushime dhe e bëra një gjë të tilla mbasi përfundova detyrimin e fundit institucional, thotë ai me zë të qetë. Dhe mohon me të njëjtin ton të ketë pasur dijeni apo ndonjë sinjal për atë çfarë ndodhi. Nuk e dija që do të kishte një dekret të tillë sot, thotë juristi enigmatik, i cili më pas, konfirmon se rreth orës 16.30 vazhdoi programin që kishte parashikuar: largimin për pushime. Refuzon sjellshëm të flasë më gjatë dhe kërkon mirëkuptim, ndoshta i bindur se më shumë se ai, për këtë akt do të flasin të tjerët. Në shqip dhe në anglisht. Dhe ashtu ndodhi menjëherë. Dhe madje, reagimi i parë ishte në anglisht, nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për tu pasuar nga Edi Rama, kryetar i Partisë Socialiste.
Gjithçka sekret
Vetëm dy vetë kishin dijeni për çfarë do të ndodhte sot në mesditë. Dy krerët e shtetit. Presidenti Nishani dhe kryeministri Berisha. Kryetari i shtetit dhe ish-eprori i tij me siguri absolute e kanë pasur në paketën e përbashkët marrëveshjen për të liruar institucionin e pavarur nga një peshë e rëndë që i garantonte pavarësinë, drejtori Bahri Shaqiri. Ishte një pakt i firmosur që në momentin kur Berisha orientoi votat e maxhorancës drejt ish-ministrit të tij të brendshëm si pasardhës i bamir Topit. Të enjten pakti u shpall. Në një situatë që ngjan, megjithatë vetëm në formë, me çfarë ndodhi me Fatos Klosin në vitin e largët 2002. Një nga firmat e para të presidentit konsensual të kohës Alfred Moisiu ishte pikërisht shkarkimi i kreut të SHISH, Klosit. Në atë kohë, kokën e tij e kërkonte edhe Fatos Nano, kryeministër prej pak ditësh, edhe Sali Berisha lider i opozitës që kishte nisur një muaj mjalti PS-PD. Kësaj rradhe, binomi Nishani-Berisha e pati më të lehtë: gjithçka bëhej brenda të njëjtës familje politike nga e cila presidenti formalisht është dorëhequr. Por kjo gjë e komplikon edhe më tej situatën.
Vetë drejtori i ri i SHISH e ka mësuar mundësinë e emërimit të tij në detyrë pak orë para se një gjë e tillë të bëhej realitet. Një zyrtar i nivelit të lartë, por me profil të ulët publik, Visho Ajazi Lika, edhe në Google kishte mbas emërimit të tij vetëm 1280 përmendje. Ai doli nga zyra në të cilën do të qëndrojë me një mandat të pacaktuar deri tani në kohë, vetëm disa minuta përpara se prej derës së SHISH, të largohej Bahri Shaqiri. Ky ishte skaji i fundit që bashkoi një rreth vicioz të kërkesës së pandryshuar të kryeministrit: në krye të SHISH dua njeriun tim! Atë që nisi ta bëjë që në vjeshtën e vitit 2005 kur morri mandatin e parë të qeverisjes së tij, e bëri vetëm shtatë vjet më pas me një firmë të vetme të Presidentit Nishani.
Të parët amerikanët
Pak minuta mbasi lajmi u bë publik, ambasada amerikane reagoi informalisht në një mënyrë gjysmë zyrtare dhe tejet lakonike: Njoftimin e mësuam nga lajmet. Koha dhe arsyet përbëjnë pikëpyetje. Por dhe kaq, duke njohur dinamikën shtatë vjeçare të kësaj historie, dëshmon hapur pakënaqësinë amerikane në disa drejtime. Së pari në karshillëkun e pakuptimtë që aleati i vogël dhe shpesh ballkanik në detaje të tilla, i bëri nervit të zbuluar të interesave direkte amerikane në Shqipëri. Në mënyrë të përsëritur dhe tërësisht hapur, në momente të caktuara, amerikanët kanë deklaruar se institucioni i SHISH dhe drejtori i saj ishin një vijë e kuqe që nuk duhej të kalohej nga politika lokale në Tiranë. Në 12 mars 2010, kur koka e Shaqirit u kërkua nëpërmjet ndryshimit të kuadrin ligjor për institucionin, ish-ambasadori amerikan Uidhers u shpreh nga Kukësi: Në kuadrin e NATO-s dhe sipas marrëveshjeve dypalëshe, kjo është një çështje me implikime ndërkombëtare. Dhe, për pasojë, cilido qoftë diskutimi i brendshëm, është shumë, shumë e rëndësishme që ekspertë ligjorë ndërkombëtarë të mund ta rishohin këtë projektligj gjerë e gjatë dhe me hollësi për tu siguruar që ai përmbush komponentin ndërkombëtar të detyrimeve të tij. Vërtet që po e ndjekim nga afër diskutimin e brendshëm mbi këtë ligj dhe të gjithë deputetëve, të të gjithë spektrit politik u kërkojmë të vlerësojnë pasojat e këtij ligji për interesat afatgjata kombëtare dhe ndërkombëtare të Shqipërisë.
Sikur të mos mjaftonte kjo, një muaj më pas, në prill, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, kreu një vizitë të paparalajmëruar në Tiranë. Mesazhi i tij ishte i thjeshtë, përtej mirësjelljes diplomatiko-ushtarake u tha qartë se ligji nuk është vetëm çështje e brendshme e Shqipërisë, është dhe çështje e NATO-s.
Asgjë nuk ka ndry
