E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryepolici Mithat Havari kërcënon gazetarin Bledi Mane

Dje në mbrëmje qyteti i qetë i Përmetit u bë dëshmitar i ofendimeve, mallkimeve dhe kërcënimeve që nxirrte nga goja shefi i policisë së rajonit të këtij qyteti Mit’Hat Havari.

Kësaj here kryepolici zhurmues kishte zgjedhur të atakonte drejtorin e kulturës së bashkisë dhe gazetarin Bledi Mane. Mes dhjetëra qytetarëve dëshmitarë, Havari kërcënonte me jetë gazetarin dhe e paralajmëronte se nuk duhet të shkruante më kundër qeverisë dhe eksponentëve të saj. Njëkohësisht në mënyrë brutale dhe të egër, kryepolici i Përmetit kërkonte që aktivitetet kulturore të organizuara nga departamenti që drejton zoti Mane si fillim duhet të merrnin aprovimin e kryepolicit.

Gjatë një kontakti me gazetarin Bledi Mane, ky i fundit u shpreh:

Ka kohë që Mit’hat Havari po bëhet i bezdisur në marrëdhëniet me mua. Kërkon të dominojë e kontrollojë jetën e çdo qytetari këtu në Përmet. Pardje dhe dje situata i doli jashtë kontrollit. Gjuha e egër dhe kërcënimet e tij tashmë nuk mund ti duroj dot më. E kam toleruar shumë dhe po i them se ka gjetur personin e gabuar, kohën e gabuar dhe vendin e gabuar. E ndjej veten me fat që jeta dhe e kaluara ime më kanë bërë aq të fortë sa pensionistë si Mit’hat Havari dhe Sali Berisha nuk më trembin dot. Është e çuditshme sesa herë qyteti argëtohet me aktivitete kulturore ky kryepolic ndjehet keq, sa herë shkruaj në gazetë kundër regjimit të sotëm ky pacient i qeverisë diabetoset akoma më keq. Në Përmetin ku njerëzia shqetësohen më shumë për pastërtinë, gjelbërimin dhe kulinarinë, kërcënimet demode të Mit’hatëve thjesht ndotin atmosferën. Mit’hat Havari kujton se duke më mbyllur gojën mua regjimi do e shpërblejë me ndonjë transferim afër Tiranës. E ka të kotë. Misioni im tashmë është i qartë: Do vazhdoj të kontribuoj edhe unë si mijëra shqiptarë të tjerë në nxjerrjen në pension të të gjithë havarëve të këtij regjimi të kalbur.

Mit’hat Havari ishe lenë në harresë e pa punë këto 9 vitet e fundit, por dalja e tij në emisionin “Opinion” të TV Klan dhe atakimi që i bëri liderit të opozitës e ktheu sërish në radhët e policisë. Qeveria e shpërbleu me postin e kryepolicit të rajonit të policisë në qytetin zyrtarisht më të qetë të vendit, në Përmet.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›